TIRANE- Avokati i Tom Doshit reagon pas lajmeve se deputetit do t’i hiqet e drejta e kandidimit në zgjedhjet e 25 qershorit.

Doshi kryeson listën e Shkodrës në partinë e Skënder Gjinushit, ndërsa avokati Vladimir Meçe sqaron se ngjarja e vitit 1990 nuk e djeg kandidimin e tij, pasi ajo vepër penale tashmë është shlyer dhe Doshi e ka kaluar edhe periudhën e rehabilitimit për t’u konsideruar i pastër.

Meçe sqaron ndër të tjera se vepra penale e atëhershme sot nuk konsiderohet më e tillë dhe se në dënimin e Doshit nuk ka asnjë vendim të formës së prerë.

SQARIM
Nga disa media eshte publikuar lajmi se Prokuroria e Pergjithshme ka derguar ne KQZ vendimin me ane te te cilit njofton se ka perfunduar verifikimin mbi deklarimin e Z.Tom Doshi dhe se konstaton se “subjekti deklarues z.Tom Gjeke Doshi…perfshihet ne fushen e ndalimit te parashikuar ne nenin 2, pika 1, germa “ç” të ligjit nr.138/2015 “Per garantimin e integritetit te personave qe zgjidhen, emerohen ose ushtrojne funksione publike.”

Sic shihet Vendimi i Prokurorise, ne dispozitivin e tij eshte i paqarte, dhe le shteg per interpretim. Ndaj, e shoh me vend te jap sqarimin si me poshte: Zoti Doshi ka deklaruar në formular, nën pyetjen 1 të tij, një vendim penal dënimi të formës së prerë nr.18. datë 25.05.1990, të Kolegjit Ushtarak të Rrethit Gjyqësor Durrës, ku është dënuar me 1 vit heqje lirie për veprën penale të “Sjelljes së padenjë në shoqëri”, parashikuar nga neni 129 i Kodit Penal të Kohës. Nga verifikimet e kryera po nga Prokuroria e Përgjithshme, nga Dëshmia e Gjendjes Gjyqësore rezulton se z.Doshi është arrestuar në 26.02.1990 dhe është liruar me datë 13.09.1990 dhe po nga Dëshmia e Gjëndjes Gjyqësore rezulton se z.Doshi në cilësinë e të pandehurit të dënuar për këtë vepër penale është i rehabilituar. Në referim të dispozitave të ligjit 138/2015, prokuroria ka konstatuar se z.Tom Doshi përfshihet në fushën e ndalimit të parashikuar në nenin 2, pika 1, gërma “ç” të ligjit nr.138/2015, për kryerjen me dashje të një krimi që nuk përfshihet në shkronjat “a” dhe “b” të pikës 1 të nenit 2 të ligjit por në germën ç të kësaj pike, për kryerjen e një krimi me dashje të dënuar jo më pak se 6 muaj burgim.

Pavarësisht nga konstatimi i mësipërm, Prokuroria e Përgjithshme ka ometuar të shprehet edhe për një tjetër kriter ligjor të përcaktuar nga ligji nr.138/2015, konkretisht nga neni 2 pika 5 dhe nga neni 4 i ligjit që përcakton periudhën e ndalimit të kandidimit të zgjedhjes, apo të ushtrimit të një funksioni të zgjedhuri ose të emëruar. Neni 2, pika 5 i ligjit nr.138/2015 përcakton se: “Kohëzgjatja e ndalimeve të parashikuara nga ky nen përcaktohen, sipas rastit, në nenin 4 të këtij ligji.”, ndërsa neni 4, në pikën 4 të tij thekson se “për personat e dënuar për kryerjen e një krimi parashikuar në shkronjën “ç” e pikës 1 të nenit 2 të këtij ligji, ndalimi zgjat nga momenti i përfundimit të dënimit me burg sipas vendimit gjyqësor të formës së prerë, deri në momentin e rehabilitimit sipas nenit 69 të Kodit Penal.”

Në rastin konkret, për z.Doshi sic vërtetohet nga Dëshmia e Gjendjes Gjyqësore e administruar prej vetë Prokurorisë së Përgjithshme, ai rezulton që të jetë i rehabilituar, pra është kaluar prej kohësh periudha ndalimit për të kandiduar, për tu zgjedhur apo për të ushtruar një funksion të zgjedhur apo të emëruar. Sipas nenit 69 të Kodit Penal në lidhje me rehabilitimin parashikohet se quhen “të padënuar” ata që janë dënuar me burgim për një kohë nga 6 muaj deri në 5 vjet dhe gjatë 5 vjetëve nga dita e vuajties së dënimit nuk kanë kryer asnjë vepër tjetër penale. Në këtë kontekst edhe vetë Prokuroria e Përgjithshme pas verifikimit të thelluar të kryer prej saj, ka konkluduar se: “…nuk rezulton që për z.Tom Doshi të ketë të dhëna të tjera për vendime penale të formës së prerë ose jopërfundimtare, arrestime, ndalime, masa sigurimi përsonale, në fuqi ose jo, apo vepra penale të tjera të kryera brenda territorit të Republikës së Shqipërisë, të padeklaruara”.

Pra, jo vetëm është vetëdeklarimi i z.Doshi i plotë dhe i saktë (dhe kjo konfirmohet nga Prokuroria e Përgjithshme), por përmbushet teorikisht edhe sipas ligjit penal aktual një nga kushtet për rehabilitimin e personit, pra që gjatë 5 vjetëve nga kryerja e dënimit (13.09.1990 – 14.09.1995) ai nuk ka kryer asnjë vepër tjetër penale. Duke qenë se ndalimi ligjor sipas pikës 4 të nenit 4 të ligjit, zgjat deri në momentin e rehabilitimit sipas nenit 69 të Kodit Penal të personit të dënuar për krime parashikuar në germën “ç” të pikës 1 të nenit 2 të ligjit, rezulton qartë se kjo periudhë ndalimi ka përfunduar rreth 12 vjet më parë, në datën 14.09.1995, pra moment ky kur nuk ekzistonte as vetë ligji 138/2015 dhe kjo provon që z.Doshi që në momentin kur është zgjedhur për herë të parë si deputet në Kuvendin e Shqipërisë në vitin 2005, ka plotësuar tërësisht kriteret për tu zgjedhur sipas ligjit nr.138/2015.

Referenca që bën Prokuroria e Përgjithshme në nenin 4, pika 9 të ligjit nr.138/2015, nuk ka asnjë lidhje me rastin konkret, pasi në rastin e z.Doshi kemi të bëjmë drejtpërdrejtë me institutin penal të rehabilitimit pasi dënimi është kryer, dhe asnjë nga institutet penale të parashikuara në nenin 4, pika 9 (ulja e masës së dënimit, amnistia, depenalizimi, falja, pezullimi i dënimit, lirimi i parakohshëm me kusht, apo cdo shkurtim i dënimit) nuk janë aplikuar apo nuk kanë ndikuar në dënimin e kryer dhe nuk kanë ndonjë ndikim në shkurtimin e periudhës së ndalimeve të parashikuar nga ligji nr.138/2015. Pra, rastin e zotit Tom Doshi nuk ekzistojnë rrethana për ndalimin e kandidimit, zgjedhjes apo ushtrimit të një funksioni të zgjedhur ose të emëruar, dhe vendimi i Prokurorise se Pergjithshme eshte minimumi abuziv, sikunder eshte abuziv dhe percjellja e tij per mediat !

Me respekt, Av.Vladimir Meci

Avokat i Deputetit Tom Doshi

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: