Nga: DARINA TANUSHI*
TIRANE – Partia Socialiste sqaroi dje, pretendimin e deputetit kritik Ben Blushi, se referendumi në bazë të kodit zgjedhor të PS-së nuk mund të mbahet 2 muaj pas Kongresit. Në një sqarim për “Top Channel”, një nga juristët e Komisionit të Garancive Statutore, pa përmendur emrin konkret, dha këtë shpjegim: “Vendimi i Kongresit është një nga aktet më të larta në hierarkinë e normave partiake. Është Kongresi që po me vendim miraton/ndryshon statutin. Kurse kodi i zgjedhjeve është i miratuar me vendim nga Asambleja Kombëtare, si i tillë është një normë inferiore në hierarkinë e normave partiake. Absolutisht që prevalon vendimi i Kongresit, dhe kjo nuk ka vend fare për diskutim”.

Blushi, në intervistën e tij të fundit, në “Top Story”, citoi kodin zgjedhor të partisë, pikërisht nenin 56 të tij, ku flitet pikërisht për kushtet e mbajtjes së referendumit, për të cilin Kongresi i 19 marsit vendosi që të bëhet më 9 prill. Sipas këtij neni të kodit zgjedhor, “Referendum në PSSH nuk mund të zhvillohet: a. Dy muaj para dhe dy muaj pas Kongresit të Partisë; b. Një muaj para fillimit të fushatës për zgjedhjet në parti; c. Një muaj para fillimit të fushatës për zgjedhjet parlamentare dhe organet e qeverisjes vendore”.

Tashmë data është përcaktuar dhe bashkë me të edhe pyetja me të cilën drejtuesit socialistë do t’u drejtohen rreth 95 mijë anëtarëve të partisë, sipas shifrës së deklaruar në Asamblenë e para kongresit. Pyetja e cila nuk u bë publike në Kongres, aty ku u mor edhe vendimi për të mbajtur një referendum, është: “Kur Partia Socialiste është në qeveri dhe kryetari i saj është kryeministër, a konsiderohet i rinovuar automatikisht mandati i kryetarit?”

NDRYSHIMET
Një diskutim tjetër dhe një debat që u hap edhe ditën e Kongresit ishte miratimi apo jo i statutit, i cili nuk u kalua nen për nen, por vetëm në parim. Në këtë statut ka pasur një sërë hyrjesh të reja, që kanë të bëjnë me integritetin e figurave të atyre që kandidojnë dhe që zgjidhen apo emërohen nga PS-ja. Por, ndër të tjera ka edhe ndryshime sa u përket afateve të mbledhjes së dy prej forumeve të larta, Asamblesë dhe kryesisë. Pas kritikave të përsëritura të Ben Blushit, se kryesia e PS-së nuk është mbledhur fare dhe Asambleja po ashtu, në dy pikat që përcaktojnë veprimtarinë e këtyre dy forumeve vihet re një ndryshim.

Kështu, kryesia sipas statutit të ri duhet të mblidhet jo më rrallë se një herë në dy muaj, ndryshe nga ç’ishte në statutin e vjetër, një herë në muaj. Ndërsa Asambleja thirret sipas statutit të ri jo më rrallë se një herë në 4 muaj, ndryshe nga sa ishte, që mblidhej jo më rrallë se një herë në 3 muaj. Madje parashikohen edhe se çfarë ndodh në rast se nuk mblidhen.

“Në çdo rast, nëse kryesia nuk mblidhet brenda afatit në tri mbledhje radhazi, ajo konsiderohet automatikisht e shpërndarë dhe Asambleja Kombëtare zgjedh kryesinë e re. Nëse Asambleja Kombëtare nuk e ushtron këtë detyrë dhe mbledhja nuk thirret as nga 1/3 e anëtarëve të saj, Asambleja quhet e shpërndarë dhe kryetari i partisë thërret Kongresin e jashtëzakonshëm për të zgjedhur forumet e reja drejtuese të partisë”, thuhet në statutin e ri.

Po kështu, statuti i ri ul edhe moshën e hyrjes së të rinjve në FRESSH. Nga 15 vjeç që ishte mosha minimale, tashmë është bërë 14 vjeç. Pra një i ri, që të jetë anëtar i FRESSH-it, mund të hyjë që në moshën 14 vjeç deri në 30 vjeç.

DISA NGA NDRYSHIMET NË STATUTIN E PS
Asambleja e PS
(Ishte)
Neni 27
3. Asambleja Kombëtare mblidhet jo më rrallë se një herë në 3 muaj. Mbledhja e AK thirret me kërkesë të Kryesisë, të Kryetarit të PS, ose të jo më pak se 1/3 së anëtarëve të saj.
(Bëhet)
Neni 41
Asambleja Kombëtare mblidhet jo më rrallë se një herë në katër muaj. Mbledhja e Asamblesë Kombëtare thirret nga Sekretari i Përgjithshëm, sipas axhendës vjetore politike të miratuar nga Asambleja Kombëtare ose edhe me kërkesë të kryesisë, kryetarit të partisë, ose të jo më pak se 1/3 së anëtarëve të saj. Nëse nuk mblidhet të paktën dy herë rresht në afatin e mësipërm, Asambleja Kombëtare shpërndahet automatikisht.

KRYESIA E PARTISË
(Ishte)
Kryesia e PS mblidhet jo më rrallë se një herë në muaj
(Bëhet)
Kryesia e partisë, si rregull mblidhet jo më rrallë se një herë në dy muaj. Në çdo rast, nëse kryesia nuk mblidhet brenda afatit në tri mbledhje radhazi, ajo konsiderohet automatikisht e shpërndarë dhe Asambleja Kombëtare zgjedh kryesinë e re.
(Shtohet)
Neni 52
Integriteti dhe standardet në përzgjedhjen e kandidatëve
2. Para kandidimit ose emërimit në funksionin politik, kandidatët e propozuar për t’u zgjedhur ose emëruar nënshkruajnë një deklaratë të miratuar nga Kryesia e partisë, në të cilën ndër të tjera deklarojnë plotësimin e kushtit se nuk janë shkarkuar nga çdo lloj detyre e mëparshme për korrupsion, nuk janë dënuar me vendim gjykate të formës së prerë me heqje lirie si dhe angazhimin se, nëse zgjidhen ose emërohen, do të zbatojnë me korrektesë standardet e funksioneve për të cilat kandidojnë ose emërohen si dhe rregullat e orientimet e partisë.
(Shtohet)
Neni 56
Papajtueshmëria me detyrën e kryetarit të partisë në nivel vendor
Përfaqësuesit e partisë në degët dhe organet e qeverisjes qendrore e vendore, ministrat, deputetët, kryetari i këshillit të qarkut, kryetari i bashkisë, prefekti, kryetari i këshillit të bashkisë, administrator i njësisë administrative, gjatë ushtrimit të mandatit të tyre nuk mund të jenë kandidatë ose të zgjedhur në detyrën e kryetarit të partisë të njësisë administrative, kryetarët të partisë së bashkisë dhe funksione të tjera të caktuara në rregulloren përkatëse të Asamblesë Kombëtare.

MOSHA E HYRJES NË FRESSH
(Ishte)
Neni 46
Forumi i Rinisë Eurosocialist i Shqipërisë (FRESSH)
1. FRESSH është organizëm politik që u asociohet strukturave të PS, i cili bashkon të rinj e të reja anëtarë dhe përkrahës të PS të moshës nga 15-30 vjeç.
(Bëhet)
Neni 74
1. FRESSH është organizëm politik që u asociohet strukturave të PS, i cili bashkon të rinj e të reja anëtarë dhe përkrahës të PS të moshës nga 14-30 vjeç.
(er.nu/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb