Nga: BUJAR VANI*
Rreth tre vjet më parë, me rastin e 100-vjetorit të Pavarësisë, u ngrit dhe një problematikë në dukje formale, por që në gjykimin tonë me një domethënie të rëndësishme për vetëdijen identitare, dinjitetin shtetëror dhe komplekset tranzitive që gjallojnë në shoqërinë tonë. Fjala është për përhapjen e një flamuri të deformuar në elementët e tij thelbësorë (sqepi i zgjatur tip pelikan, numri i kthetrave, forma e krahëve etj.), si një parodi e vetë kremtimit të festës së Flamurit. Shpejt zhurma mediatike u fashit, pasi “faji” iu la një tregtari që i kishte porositur jashtë shtetit! Se për ç’arsye një tregtar mund të marrë mundimin të rimodelojë grafikisht një flamur kur i ka klishetë të gatshme, kjo nuk u sqarua kurrë. U konsiderua si një incident i rëndomtë dhe u harrua, ashtu siç harrohen (qëllimisht, më duket) të gjitha skandalet në Shqipëri. Në logjikën e punëve tek ne, rihapja e kësaj teme pas kaq kohësh do të dukej një absurd, nëse flamuj të tillë nuk do t’i shihnim të montoheshin përsëri këtyre ditëve në shtyllat e neonit të bulevardit, me rastin e takimit ndërkombëtar që u zhvillua me aq pompozitet në Tiranë. E kjo të mos bëhej shkas për të vëzhguar pak më tej në paraqitjen e flamujve të tillë që bien ndesh me formën zyrtare të miratuar me ligj. Mjerisht i gjen dhe në formate të mëdhenj nëpër mjedise të ndryshme, apo edhe të pasqyruar nëpër faqet e rrjeteve sociale edhe të politikanëve tanë të rëndësishëm. Kjo na shtyn të reflektojmë tashmë mbi simbolikën e flamurit jo në lidhje me këtë aspekt, por në një optikë më të gjerë edhe në raport me shoqërimin e flamurit kombëtar (apo shtetëror) ta quajmë po të doni, me flamuj të huaj të larmishëm, në mjediset dhe institucionet tona shtetërore e private.
Kemi vërejtur gjerësisht se në kohë normale, e sidomos në kohë zgjedhjesh, në mjediset publike e private shqiptare, brenda e jashtë institucioneve, në tryeza pune politikanësh, ojq-istësh e deri biznesmenësh, ndër oborre e fasada ndërtesash, në këto vite demokracie një dukuri permanente janë flamujt me shumicë. Deri këtu gjithçka ngjan në normalitet. Por problemi, pra vështruar nën një optikë tjetër siç thamë, qëndron në llojshmërinë e flamujve. E këtu nuk e kemi fjalën për flamujt e partive, organizatave, apo edhe logot e bizneseve, për të cilët mund të flitet njëherë tjetër. Ajo që në gjykimin tonë përbën një sindromë të zvjerdhjes së identitetit është prania tepër e madhe në mjediset që thamë, e flamujve të huaj, të cilët simbolizojnë identitete të tjera kombëtare e shtetërore.
Kjo sindromë e shfaqur rëndom në mjediset e Republikës së Shqipërisë menjëherë pas viteve ‘90 si “reaksion ndaj regjimit komunist” (a thua se identiteti kombëtar dhe flamuri kombëtar ishin në simbiozë me vetë regjimin!), u importua më pas edhe në Republikën e Kosovës, dikur të dëshiruar fort vetëm për flamurin kombëtar. Në një aspekt kjo dukuri ngjante dhe ngjan e përligjur në fillimet e saj, si një shenjë e orientimit politik të shqiptarëve drejt perëndimit, drejt botës demokratike, drejt qytetërimit perëndimor. Por në një këndvështrim racional, çdo flamur i huaj është një simbol identiteti të veçantë, dhe përdorimi me tepri i tyre merr një ngjyresë dyshimi të vetëdijes dhe të identitetit shtetëror e më tej kombëtar.
Në kohë zgjedhore nëpër mitingje e mjediset publike, flamujt e huaj (amerikanë, europianë, anglezë, francezë, italianë e deri dhe grekë, sidomos në fushatat e këtyre 25 viteve në Shqipëri) të çonin deri në një përfytyrim të mjediseve të OKB-së, prej larmisë dhe shumëllojshmërisë së tyre. Ndërsa tryezat e politikanëve, e deri funksionarëve shtetërorë, nuk dallonin me ato të komisionerëve apo punonjësve të organizatave botërore. E kjo dukuri duket se ka arritur të ngjajë edhe normale në anormalitetin e vet për shkak të kohëzgjatjes së saj. Duke gjykuar për motivin e përdorimit të tyre, herë-herë ato kanë shërbyer si kartë kredibiliteti, herë si krizë identiteti, herë si pikë orientimi politik, herë si modë e kohës, e shpesh tashmë edhe si forcë zakoni. Por, në të vërtetë, kjo dukuri shpreh shtratin konceptual mbi të cilin zhvillohet politika dhe jeta publike shqiptare, atë të vullnetit për varësim, servilizëm, e deri mercenarizëm.
Nëse do të pyesësh një politikan apo zyrtar (pa folur më tej për ojq-istët) se përse mban në zyrë, mbi tryezë apo të varur në mur, një mozaik flamujsh të huaj (zakonisht amerikan, europian, anglez, grek, turk etj.), kundërpërgjigja mund të jetë deri dhe befasuese: “Pse, mos duhet të mbaj flamur kinez apo rus?!”. Pra, nuk mund të kuptohet ndryshe: Qenësia e tij politike qëndron e mbështetur në një (apo disa) flamuj të huaj. Vërehet pa shumë mundim kujdesi i politikanëve për të nxjerrë në pah mbajtësen e flamujve mbi tavolinë në raste konferencash shtypi apo intervistash vetjake para kamerave, flamujt e varur nëpër mure në raste takimesh të mbyllura, apo militantët që i tundin ato nëpër tubime, mitingje e fushata zgjedhore. Demonstrimi është i qartë, kërkohet të theksohet se ata janë të afërt dhe favoritë të politikës amerikane, europiane, apo edhe më specifike, angleze, franceze apo greke. Ndërkohë, ajo që të shkon ndërmend në çdo rast është mosdëshira dhe paaftësia për t’u shfaqur si politikanë denjësisht shqiptarë, si përfaqësues të një shoqërie që ka shtetin e vet, simbolikën e vet, gjuhën dhe institucionet e veta. Padyshim, në kohë dhe rrethana të tjera më të hershme, po ky soj politikanësh mund të mbante me zell e krenari “mercenare” edhe flamurin sovjetik, jugosllav, kinez apo vietnamez. Mendësia dhe vetëdija është po ajo, vetitë e kësaj race politikanësh po ato, kanë ndryshuar vetëm ngjyrat dhe llojet e flamujve!
Për të hequr çdo dyshim mbi arsyen e mosmiratimit të kësaj dukurie nga ana jonë, dhe për të mos lënë shteg për keqkuptime se këtu bëhet fjalë për “antiamerikanizëm” e “antieuropianizëm”, i kthehemi një argumentimi të përmbledhur duke renditur edhe motivet prej të cilave nisemi në këtë gjykim:
– Flamuri, si simbol qendror kombëtar (apo shtetëror) i një vendi me sovranitet të njohur juridikisht, ka ngarkesat e veta konceptuale, emocionale, domethënien dhe pasqyrimin pikërisht të këtij sovraniteti, kuptimin dhe qenësinë e një kombi, identitetin dhe legjitimitetin e tij. Si simbol, në momente dhe rrethana të caktuara historike, ai kthehet në një tabù dhe udhërrëfyes për lëvizje historike, organizative e përcaktuese për një popull. Si i tillë ai mbart dhe kuptimin e pavarësisë dhe profilit të një shteti, populli, kombi, duke u shpalosur nëpër institucione apo mjedise të tjera; ai i jep ngjyrën reale kombëtare, shtetërore, i jep rëndësinë dhe legjitimitetin vetë shtetit dhe institucioneve të tjera të tij. Në këtë kontekst, shpalosja dhe valëvitja e flamujve të shteteve të huaj në veprimtari dhe institucione mirëfilli shqiptare, përdorimi i tyre në jetën politike dhe publike shqiptare – shpreh dhimbshëm krizën e identitetit, dinjitetit, ekzistencës sovrane të shtetit shqiptar; shpreh shtratin botëkuptimor dhe moral të politikës që drejton këtë shtet dhe shoqëri. Simbolet e shteteve të tjerë respektohen, por kur ato suprimojnë simbolin shtetëror shqiptar, kur ato kthehen në një dukuri të natyralizuar në mjedisin shqiptar, padyshim s’bëhet më fjalë për respekt. Apo më mirë të themi ato dëshmojnë mungesën totale të respektit, vlerësimit dhe dinjitetit për veten, apo deri dhe një mentalitet kolonial.
– Flamuri nuk është vetëm një simbol dhe shenjë konvencionale, ceremoniale. Ai shpesh kthehet dhe në precedent në marrëdhëniet mes shteteve apo edhe në akt domethënës në lëvizjet politike ndërkombëtare. Për ilustrim, mjafton të kujtojmë krizën e marrëdhënieve greko-maqedone dhe shqetësimin që solli flamuri i shtetit të sotëm maqedon për shtetin grek. Apo kur administratori i dikurshëm i Kosovës ndaloi në mënyrë të prerë vendosjen e flamurit kombëtar shqiptar në institucionet zyrtare atje. Pra, për organizmat ndërkombëtarë, flamuri qenka një precedent domethënës dhe tepër i vlerësueshëm.
– Siç thamë më lart, nëse në fillimet e përmbysjes së regjimit në vitin 1991, flamuri amerikan apo ai europian u përdorën si simbol i demokracisë dhe shprehnin aspiratën popullore e politike për të ndryshuar në përshtatje me modelin perëndimor, më pas, me instalimin e sistemit demokratik në Shqipëri, kthimi në akt normativ i përdorimit të këtyre flamujve nuk e kishte më atë rol. Në këtë këndvështrim, kthimi në normë të papërligjur i vijimësisë së përdorimit të këtyre flamujve, merr trajtat e dënimit dhe braktisjes qëllimkeqe të simbolit kombëtar e shtetëror shqiptar nga ana e politikës, për të larguar shqiptarët prej identitetit, prej kuptimësisë së shtetit të tyre. Sot, përdorimi masiv i flamujve të huaj flet për një psikozë kolektive të skalitur hap pas hapi prej politikanëve dhe ndihmësve të tyre ojq-istë, për një psikozë zhvlerësimi të çdo gjëje kombëtare drejt një mentaliteti popullor me orientim kolonial.
– Edhe shtete të tjerë ndërruan sistemet, por (tek ata që kanë një kuptim të drejtë mbi sovranitetin dhe identitetin kombëtar e shtetëror) nuk ndjejnë të nevojshme të largohen prej simboleve dhe aspekteve kombëtare, përkundrazi tek ata është shfaqur dukuria e kundërt, ringritja e nacionalizmit.
– Nëse fillimisht flamuri i Europës së Bashkuar u përdor për të motivuar moton “Të shkojmë drejt Europës!”, tashmë pas njëzetepesë vitesh prej ndërrimit të sistemit përdorimi i pavend i këtij flamuri nuk ka më atë kuptim. Për më tepër, që ende Shqipëria nuk është bërë pjesë e asaj bashkësie, edhe pse aspiron dhe është në proces asocimi. Institucionalisht Shqipëria, ashtu si dhe Kosova, janë jashtë atij entiteti politik dhe flamuri i saj nuk iu përket ende atyre. Është tjetër gjë kuptohet përdorimi zyrtar në raste ceremoniale, diplomatike, apo në institucioneve që i përkasin në kuadër të bashkëpunimit. Nëse bëjmë një analogji të rastit, në kuadër të bashkëpunimit reciprok apo partneritetit mes shteteve të mirëkuptuara ndërsjelltas, do të kishim përdorim paralel të flamurit shqiptar në institucionet zyrtare amerikane, europiane, franceze, greke apo italiane; apo më tej do të kishim fushata zgjedhore të Obamës, Merkelit, Kameronit, apo deri dhe Ciprasit, me flamur shqiptar krahas me atë të vetin; do të kishim flamurin shqiptar në tryezën e punës së Rencit, Hollandit apo liderëve të tjerë të huaj; do të kishim flamurin shqiptar në ndërtesat e partive amerikane, angleze, franceze, greke, etj. Gjë që natyrisht nuk ndodh e s’ka se si të ndodhë. Precedenti shqiptar është vetëm shqiptar. Ai shpreh një mendësi vasale, klienteliste e pse jo deri dhe mercenare e koloniale të politikanëve që udhëheqin shqiptarët.
Flamujt e huaj që përdoren pa kursim në Shqipëri, nuk janë më disa copa bezesh që shërbejnë veçse për çlirim emocional të momenteve të caktuara. Ato janë simptomat e një patologjie psikike kolektive (përderisa kjo sindromë është përqafuar dhe natyralizuar në mjedisin shqiptar), e cila është projektuar në shoqëri prej një klase të zvjerdhur politike dhe shqiptarëve, nën efektin e saj, nuk iu duken të mjaftueshëm simbolet identifikuese kombëtare, por rendin pas simbolesh të tjera, një patologji që mund ta përkufizojmë edhe si “sindroma e flamujve”.
Megjithatë dëshirojmë të vëmë në dukje edhe një aspekt tjetër. Çuditërisht, në raste spontane, në ato të ndeshjeve të futbollit, vetëdija qytetare rend drejt identifikimit dhe dinjitetit kombëtar, duke skuqur me flamuj kombëtarë sheshet, stadiumet dhe mjediset e tjera publike e private. Ndërsa, në aspektin ku sundon politika dhe ojq-izmi, vetëdija mercenare shpalos për turp padinjitetin e institucioneve shqiptare, duke iu bërë temena flamujve dhe simbolikave të huaja. Pra, një konkluzion i thjeshtë na çon edhe në përfundimin se qytetarët shqiptarë janë të etur të shfaqen kombëtarisht në identitetin dhe simbolikën e tyre, ndërsa institucionet politike e publike jo. E si përfundim, dëshirojmë të themi se flamuri (kombëtar) është simbol sovraniteti e identiteti, kurse “dashuria” për flamujt (e huaj) është simbol mercenarizmi. Këndej rrjedh edhe lehtësia me të cilën pritet në mjediset politike, mediatike apo shoqërore, edhe deformimi i vetë formës dhe përmbajtjes së flamurit, qoftë në raste të zakonshme, qoftë edhe në rastet e kremtimit solemn të festës së Tij…

(g.b/GSH/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: