TIRANE– Kryetari i Frymës së Re Demokratike, Bamir Topi ka kundërshtuar dje reformën e pronës të paralajmëruar nga qeveria “Rama” pavarësisht faktit se në zgjedhjet lokale ai u rendit në krah të koalicionit të udhëhequr nga Partia Socialiste. Sipas ish-Presidentit të Republikës, për një projekt-ligj kaq të rëndësishëm, mungon transparenca e plotë e për më tepër, ky draft siç pretendon ai nuk e zgjidh çështjen e pronave. Kritikën më të fortë, Topi e ka për filozofinë e projektligjit që vendos si pike referimi për zonën kadastrale vitin 1976.

“Absolutisht kundër. Nuk mund të merret viti 1976, ndërkohë që prona asnjëherë, nuk vjen duke e ulur vlerën e vet. Ju e shikoni që çdo pronë është marrë me një çmim tjetër në fillim të viteve ’90 dhe sot ka një vlerë tjetër. Kësaj i thonë që t’i që e ke rehatuar veten, qëndro i qetë, sepse e ke vlerën e pronës tende, ndërsa ai tjetri që është në pritje, do të marrë vlerën e nje prone, e cila nuk ka më referencë vitin 1976. Viti 1976 është një vit famëkeq për sa i përket asaj që ndodh me pronën. Por kjo nuk do të thotë që ne duhet ta çojmë historinë e 1976-ës në vitin 2016 e me radhë”, – ka argumentuar Topi në një intervistë të dhënë për “Vizion Plus”. Sipas kreut të FRD-së, më e rëndësishmja nuk është afati kur zgjidhet çështja e pronës, por respektimi i të drejtave kushtetuese të pronarëve.

“Në rast se ne tentojmë të shkojmë në një ekonomi tregu, atëherë ne detyrimisht duhet të shkojmë tek vlera e tregut. Është tregu që i rregullon gjërat. Në rast se ka interesa të tilla që lidhen me veprimin e Gjykatës së Strasburgut, e cila me sa duket po rrit faturën, por ne, në mënyre absolute, nuk mund të kontestohet për dhënien e gjykimit, atëherë kjo është një histori që do t’i rëndojë shumë Shqipërisë, do t’u rëndojë shumë atyre që konsiderohen me të padrejtë ish-pronarë. Tentativa për të mbyllur në një kohë sa më të shkurtër, them pa e paragjykuar se nuk e kam, do të ishte ndoshta një gabim i radhës që do t’i mbivendoset gabimeve kronike që janë bërë me pronën në Shqipëri”, – u shpreh Topi për “Vizion Plus”.

Sipas kreut të FRD-së, reforma nuk duhet ndërtuar mbi pasione politike por ajo kërkon profesionalizëm, respektim të Kushtetutës dhe vendimeve te Gjykatës se Strasburgut dhe padyshim vullnet politik. Deri më tani reforma e pronës e prezantuar nga qeveria “Rama” është kritikuar pothuajse nga të gjitha partitë e spektrit të djathtë, si Partia Demokratike, Partia Republikane dhe Fryma e Re Demokratike, duke përfshire edhe shoqatat e pronarëve.

(b.e/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: