TIRANE- Në kuadër të hapave që po ndërmerren për rikthimin e ligjshmërisë në sektorin e ujit të pijshëm, zv.ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë Hantin Bonati zhvilloi një takim me Prefektët e 12 Qarqeve të vendit. Bonati i njohu ata nga afër me ecurinë e deritanishme të ndërhyrjes në terren nga ndërmarrjet e ujësjellësve në kuadër të fazës së parë të operacionit që ka të bëjë me ndërgjegjësimin e qytetarëve.

“Tashmë është një fakt që ky aksion po sjell frytet e para që janë mjaft pozitive. Janë rreth 6 mijë kontrata të lidhura në një periudhë shumë të shkurtër për një muaj. 6 mijë kontrata të reja që po t’i referohemi madhësisë së bashkive, si të themi është formalizuar një bashki e tërë, për një afat kohor që është mjaft i shkurtër. Pra, ne synojmë që me kalimin e ditëve, deri në fund të kësaj periudhe të parë që është periudha e sensibilizimit, gjithë subjektet të ofrojnë shërbim të shpejtë, të vazhdojë procesi i formalizimit. Duhet kujtuar që 1 Shkurti është data që do nisë aksioni derë më derë dhe çdo ndërhyrje do penalizohet sikundër e parashikon ligji”, u shpreh Bonati.

Më tej, zv.ministri kërkoi që Prefektët të marrin një rol aktiv në ndjekjen nga afër të punës që bëjnë Bashkitë dhe ujësjellësat në zonat respektive. Bonati u ndal edhe tek kontrolli që duhet bërë ndaj institucioneve publike dhe nëpunësve të administratës. “Duhet të marrim masa që të jenë korrekt në zbatim të gjithë legjislacionit në fuqi me kontrata të rregullta, me ujëmatës. Punonjësit e administratës publike duhet të japin shembullin e tyre të parë për këtë. Duke e përshkallëzuar këtë edhe tek bizneset të cilët ushtrojnë veprimtarinë e tyre, ku në mjaft raste ka edhe shpërdorues të ujit dhe duke vazhduar më pas deri tek qytetarët. Fokusi do të jetë institucionet publike, bizneset dhe pastaj do të jetë ndërhyrja tek qytetarët. Vëmendja juaj në këtë rast duhet të jetë në tre elementë kryesorë. Është zbatueshmëria e urdhrit të Kryeministrit që gjithë institucionet publike të formalizojnë formën e tyre të bashkëveprimit me shoqëritë. Pra, të kenë kontratë ujëmatësi. Pika e dytë që kërkohet vëmendja juaj është pjesa e monitorimit të vazhdueshëm të procesit të aksionit që po zhvillojnë bashkitë. Dhe pika e tretë është udhëheqja e grupeve të punës për eliminimin e ndërhyrjeve të paligjshme në rrjetet e transmetimit të ujit”, nënvizoi Bonati.
(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: