TIRANË- Politikani dhe akademiku Skënder Gjinushi është në krye të grupit të punës që po harton një projektligj për reformimin e Akademisë së Shkencave. Për të folur për këtë reformim, Gjinushi si një nga anëtarët e vjetër të Akademisë ka qenë i ftuar sot në rubrikën “Opinion” në News24.
Ai tha se aktet nënligjore do të hartohen nga Akademia në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit duke folur për procedura dhe kritere të reja në pranimin në Asamble, jo thjesht me një votim.

“Aktet ligjore duhet t’i hartojë Akademia në bashkëpunim me ministrinë kurse aktet nënligjore i takon t’i përpunojnë institucioni. Meqë ligji duhet të ishte produkt i përbashkët, isha në pozicionin edhe si anëtar akademie por meqë isha edhe në politikë, por i shkëputur. Qeveria e çon projektligjin. Reformat opozita ia kërkon qeverisë. Në rastin e arsimit, jo gjithmonë arrihet konsensusi sepse ndryshon edhe vizioni. Në rastin e akademisë mendoj se do ketë edhe konsensus. Sepse tek Akademia përveç debatit çfarë akademie do, të tërë kanë interesin të jetë një Akademi funksionale, elitare, këshilluese e produktive”, tha Gjinushi.

I pyetur se çfarë do bëjë për t’i ndryshuar mendjen kryeministrit për të bërë financimin e Akademisë, Gjinushi tha se bëhet fjalë për ringritje të gjithë punës.

“Sa më keq të jetë gjendja aq më mirë është për ta reformuar sepse në çdo çast do ta bësh më mirë. Të flasim për një ringritje të gjithë punës. Duhet kuptuar që Akademia nuk është e vetme. Qeveria është për t’u përshëndetur për faktin që flet për shkencën, kërkimin shkencor. Kërkimi, shkenca nuk prodhohet në asamblenë e Akademisë, por në institute e Shkolla të Arta. Akademia është produkt i këtyre. Niveli i kërkimi, i Akademisë e Shkollës së Lartë janë të lidhura me njëra-tjetrën. Këto ose ngrenë njëra-tjetrën ose e zhysin. Pozitive është shqetësimi që institucioni nuk është në atë nivel që ti e kërkon. Reforma synon të përmirësojë punën”, tha Gjinushi.

Ai tha se ligji duhet të rregullojë çfarë mund të rregullohet. “Ne synojmë për të futur disa norma që garantojnë një kualitet më të mirë. Pranimet e para. Kriteret do jenë pjesë e legjislacionit. Do jenë kriteret dhe procedurat. Do jenë grupet e interesit që do jenë konsulentë. Procedura do të jetë e tillë që nuk mjafton të votohesh dhe fiton, por do kalosh një proces seleksionimi. Hallkat përkatëse do japin vlerësimin dhe në bazë të vlerësimeve të marra do konkurrosh në Asamble. Gjëja e parë që duhet të bëjë Akademia, që njerëzit që mbërrijnë të jenë njerëzit më të suksesshëm të fushave përkatëse. Rishikohet numri i akademikëve, kualifikimet. Mendohet të ngushtohet numri i akademikëve aktivë, ata që ushtrojnë aktivitet në Shqipëri. Është 30 mendohet të bëhet 25 dhe shtohet numri i anëtarëve të jashtëm që ushtrojnë aktivitetin jashtë. Ata do jenë anëtarë korrespodentë. Mbledhjet e asamblesë bëhen të hapura. Krijohen edhe komisione ku futen anëtarë edhe jo akademikë. Komisionet janë organi i parë ku diskutohet, debatohet dhe trupëzohet kush do jetë drejtimi i punës, çfarë do jetë prioritet e me radhë. Bëhet një hapje e akademisë. Vendosen disa rregulla në komunikim me ekzekutivin dhe me institucione të tjera”, tha Gjinushi.

Në lidhje me bashkëpunimin me Ministrinë e Arsimit, ai u shpreh se përgjegjësitë tek reformat i ka ekzekutivit përkatës gjithandej. “Mënyra si komunikohet është e ndryshme. Ne jemi në kushte ku pse të hyjmë me alternativa, jo Akademia mendon kështu, jo Ministria mendon ashtu. Duhet folur pa emra dhe jo nga pozicioni. Ligji duhet të jetë sa më i pandikuar nga subjektivizmit. Nuk duhet të shprehë emocione të çastit. Kjo është arritja kryesore që ka një koordinim të punës. Për aktet nënligjore i ka Akademia, sepse është organ autonom. Autonomia është e garantuar sepse flasim për një Akademi elitare”, tha Gjinushi.
Për sa i përket komunikimit me kryeministrin Edi Rama, Gjinushi tha se ka ardhur gradualisht. “Ka ardhur gradualisht. Kam qenë në disa debate që ka organizuar kryeministri. Kam folur edhe më parë për Akademinë”, u shpreh ai.
Ai foli më tej edhe për kërkimin shkencor. Ndërkaq dha si afat për përfundimin e reformës, muajin mars.
“Kërkimin nuk e bën Akademia. Studimet më të mëdha që mund të bëjë Akademia janë studimet mbi perspektivat e zhvillimit të shkencës dhe në raste të veçanta mund të drejtojnë një ekip dhe drejtojnë një projekt të caktuar. Kurse shkenca e mirëfilltë bëhet në institute dhe shkolla të larta.
Kryeministri ka dhënë një afat, marsin dhe brenda marsit aktet janë gati. Tani është marrë mendimi i të gjithë grupeve të interesit. Kemi marrë mendimin edhe të Akademisë së të rinjve. Është marrë mendimi veçanërisht i shoqatës së akademive europiane, do mblidhen të gjitha këto. Projektligji është pranuar”, tha Gjinushi.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb