GJIROKASTER- Është ndalur në qytetin e Vlorës konsultimi publik për paketën e ndryshimeve kushtetuese, në kuadër të Reformës në Drejtësi. Në këtë tryezë të zhvilluar në Universitetin “ Ismail Qemali”, të pranishëm ishin Richard Reger, Ekspert Ndërkombëtar i Misionit Euralius, Jan Rudolph Kryetar i Sektorit Ekonomik dhe Politik në BE, Sokol Sadushi Bashkëkryetar i Grupit të Punës për Ndryshimet Kushtetuese, si dhe Arben Rakipi Ekspert i Nivelit të lartë në Grupin e Punës për Drejtësinë Penale.

Richard Reger i njohu të pranishmit me të gjithë procesin në të cilin ka kaluar deri më tani Reforma në Drejtësi, duke theksuar se ky draft nuk është përfundimtari dhe se çdo koment, sugjerim i vlefshëm do të pasqyrohet në ndryshimet e tij.

Ndërsa Jan Rudolph vuri theksin edhe njëherë tek rëndësia e madhe që ka kjo reformë për procesin e integrimit të Shqipërisë në BE.

“Ishte KE para disa javësh që publikoi Raportin për Shqipërinë. Nevoja për reformën ishte kushti kryesor që të hapen negociatat. Unë besoj që profesorët, akademikët, studentët mund të luajnë një rol kyç edhe për rritjen e ndërgjegjësimit për ato çfarë duhet të bëjë Shqipëria për të përmbushur kushtet. Nëpërmjet kërkimit shkencor, por edhe publikimeve, bota shkencore mund të orientojë por edhe të ndryshojë dogma ideologjike. Bota akademike mund të ndihmojë që të krijohet një masë kritike e atyre që mendojnë me përgjegjshmëri.

Të rinjtë, studentët janë të rëndësishëm në këtë proces pasi janë e ardhmja. Ju do të jeni ata që një ditë në të ardhmen do punoni në institucionet e vendit tuaj, po pse jo dhe ato të Bashkimit Europian, ndaj duhet ta bëni atë punë që ju jepet me integritet. Ne do bëjmë të pamundurën që kjo reformë ta sjellë në nivelin e duhur sistemin e drejtësisë. Duke folur për Raportin është theksuar se kjo reformë është kyçi për hapjen e negociatave.

Shqipëria ka nevojë të tregojë stabilitet, vendosmëri, transparencë në reformat e ndërmarra. Ky takim është pjesë e një sërë takimesh intensive me grupet e interesit. Këto drafte që janë përgatitur janë pjesë e kësaj Reforme, e cila është më e madhja e bërë deri tani dhe ne besojmë që do jetë më e madhja dhe më e rëndësishmja që pas rënies së diktaturës. Këtë duhet të arrijë reforma, besimin e shqiptarëve dhe partnerëve tek drejtësia. Kjo është detyra më e madhe e kësaj reforme. Duhet të sigurojë që të ketë një gjyqësor që ta bëjë të pamundur të ketë këtë korrupsion. Të arrihet fakti që një prokuror ta ketë të pamundur të mos hetojë një çështje sepse është i korruptuar, apo sepse mund të blihet. Duhet të sigurojë një ndarje të plotë të pushteteve dhe kontrollit të gjyqësorit. Pavarësi të plotë duhet të ketë dhe Prokuroria, të mos ketë ndikime sidomos në rastet e hetimit të krimit të organizuar. Nuk duam të shohim në sistem njerëz të korruptuar, si dhe një sistem të
mosndëshkueshmërisë. Nga ana tjetër duhet respektuar edhe puna e atyre që e kryejnë me dinjitet”, përfundoi Rudolph.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb