TIRANE – “Drafti më i mirë për reformën në drejtësi është ai që respekton pikë për pikë rekomandimet e Komisionit të Venecias”. Kështu deklaroi kreu i PR-së, Fatmir Mediu pas takimit me liderin demokrat Lulzim Basha në selinë e PD-së, një ditë përpara mbledhjes së komisionit të posaçëm parlamentar të reformës në drejtësi, ku do të jetë e pranishme edhe opozita.

“Ne do të kemi gjykimet tona nesër në komisionin ad-hoc që do zhvillohet në parlament. Opozita ka shprehur tashmë gjykimin dhe shqetësimet e saj. Shpresoj që në komisionin ad-hoc të kemi një diskutim sa më të mirë.”- deklaroi Mediu.

Opozita nuk do të dërgojë një draft paralel në Venecia, pasi për ta Komisioni i Venecias ka folur njëherë, por shihet mundësia e dërgimit të një letre sqaruese, ku opozita do të shprehë shqetësimin e saj për qëndrimin e mazhorancës, si dhe për faktin që ajo nuk ka dhënë dakordësi për draftin. Në mbledhjen e komisionit të posaçëm, opozita do të këmbëngulë që mazhoranca të reflektojë rekomandimet e Venecias.
(er.nu/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: