TIRANE- Komisioni i posaçëm për Reformën në Drejtësi do të mblidhet nesër për të marrë në dorëzim draftin e përgatitur nga ekspertët. Mbledhja e komisionit të posaçëm do të zhvillohet në orën 11:00 për t’u njohur me draftin e ekspertëve.

Pas paraqitjes në këtë Komision, drafti për Reformën në Drejtësi do t’i dërgohet Komisionit të Venecias.

Edhe pse opozita braktisi tryezën e diskutimeve në nivel të ekspertëve, pasi sipas saj nuk u zbatuan rekomandimet e Venecias, në mbledhjen e nesërme të Komisionit të Posaçëm anëtarët e opozitës do të marrin pjesë.

Në komisionin parlamentar për reformën do të shkojë varianti i zgjedhjes me 3/5 e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese, pikë kjo ku u ndanë opozita me maxhorancën, pasi drafti u miratua pa praninë e ekspertëve të opozitës.

Opozita kishte kërkuar që kjo të miratohej me 2/3, ose thënë ndryshe me 93 vota.
Një pikë tjetër ku ndahet mazhoranca dhe opozita është zgjedhja e Prokurorit të Përgjithshëm dhe mbarimi i mandatit të Kryeprokurorit aktual.

Pasi drafti t’i dërgohet për dhënie mendimi Komisionit të Venecias, ekspertët e këtij Komisioni pritet që të mbërrijnë në Tiranë më 21 janar.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb