TIRANE- Shtyrja me një muaj e punës së Komisionit të Posaçëm të Reformës Zgjedhore nga Parlamenti, nuk po sjell ndonjë të re nga palët për gjetjen e konsensusit për ndryshimet në Kodin Zgjedhor.

Ndërsa nga data e zgjedhjeve na ndajnë vetëm katër muaj, Partia Demokratike vazhdon të këmbëngulë në kërkesën e saj për votim dhe numërim elektronik në procesin zgjedhor, të cilin e konsideron kusht të panegociueshëm. Përdorimi i teknologjisë nuk mbështetet, jo vetëm nga mazhoranca, por edhe nga OSBE, e cila argumenton se nuk ka kohë të pamjaftueshme për aplikimin e saj, shkruan ‘ATA’.

Në komisionin e posaçëm, i ngritur nga Parlamenti me qëllim jetësimin në Kodin Zgjedhor të rekomandimeve të OSBE/ODIHR-t, maxhoranca dhe opozita kanë depozituar platformat respektive se ku duhet ndërhyrë për përmirësimin e ligjit elektoral.

Amendamentet e përgatitura nga PS lidhen me depolitizimin e komisioneve zgjedhore të nivelit të dytë dhe të tretë, por dhe me transparencën e financave të fushatës së partive.

Ndërsa për Partinë Demokratike garantimi i një procesi zgjedhor të lirë e të ndershëm sigurohet me numërimin elektronik, identifikimin biometrik, dënimin e shitblerjes së votës, transparencën për financimet publike, etj.

Por, ndërsa në letër propozimet ka kohë që janë bërë të njohura, për miratimin e tyre nuk ka ende asgjë të re.

Komisioni i Reformës Zgjedhore, i ngritur nga Parlamenti në dhjetor 2015, kishte një mandat 6-mujor, por siç ka ndodhur dhe më parë afatet janë tejkaluar, duke e vënë në dyshim ndërhyrjen në Kodin Zgjedhor, të rekomanduar nga ndërkombëtarët.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: