TIRANE-Mundet që buzët e përveshura të telenovelave perëndimore, pas çdo hapjeje e mbylljeje të derës, të duken ca velëse, por jo se të krijon ndonjë simpati të qëndrueshme as namuzi i atyre turke. Në Shqipërinë komuniste, puthjet jo vetëm që s’mund të përfshiheshin në kinematografi, por mjaftonte mendimi i kontaktit të faqeve me një të afërm që të bënin të ndiheshe i çrregullt mendërisht. Njerëzit nuk putheshin. Tjetër gjë që kashta e mullarëve vinte gjithnjë si e shpupurisur!

Regjisori Kristaq Mitro dhe bashkëpunëtori i tij i gjithmonshëm që nuk jeton më, Ibrahim Muça, e dinin mirë këtë. Limitet nuk të mësoheshin në shkollë, duhet të vije i brumosur. Megjithatë, sot, ata të gjithë thonë se askush nuk mund t’u kufizonte idenë, paçka se kjo e fundit nuk bënte as dy hapa deri te konkretizimi. E shumta u matnin pulsin kontrollorëve, për të kuptuar se deri ku mund të ëndërronin. Me të nuhatur se perdja frynte për t’u sjellë pak ajër, vepronin. E bën këtë te filmi i famshëm “Duaje emrin tënd”. Me gjithë mohimin e dy aktorëve protagonistë, Ndriçim Xhepa dhe Rajmonda Bulku, regjisori pohon se ata janë puthur. Skena e Jonës me Arsenin, të shtrirë në parkun e Kodrave të Liqenit, ishte paraprirë nga një më “e nxehtë”, xhiruar në Volorekë. Kishte plasur bomba. “E keni marrë vesh ç’ka ngjarë në Pogradec?! Monda me Çimin janë puthur!”. Në Kinostudio nuk shkëmbeheshin fjalë të tjera, veç tyre. Por entuziazmi për arritjen e së pamundurës aq zgjati, sa psherëtima e ministres së Kulturës së kohës, në fund të sekuencës. Bashkë me “çlirimin” e saj të shqetësuar, erdhi edhe urdhri zyrtar që puthja të hiqej. Do të bëheshin xhirime të tjera… Mbase jo me të njëjtën ngarkesë, por ngjarje si këto regjisori Mitro ka pasur vazhdimisht me filmat e tij. Një herë i është afruar greminës e një tjetër ka mbyllur sy e veshë. Për disa nga filmat e tij më të suksesshëm, na tregon sot në këtë intervistë për “Panorama”.

Pra, ndryshe nga ç’kanë thënë vetë, Jona me Arsenin janë puthur?

E puthura u arrit të realizohej me sukses të plotë. Asnjëri prej të dy aktorëve as Xhepa e as Bulku nuk shfaqi komplekse për kërkesën që patëm. Bulku në këtë rast, meqë femrat ishin në qendër të paragjykimeve, e priti pa më të voglin shqetësim këtë gjë. I vetmi që reagoi për keq, gjatë xhirimeve, ishte i biri, të cilin e kishte me vete. Ishte jo më shumë se 7 vjeç kur pjesëtarë të grupit të xhirimeve e ngacmonin duke i thënë se mami po puthet me Çimin. Ai mori një thupër dhe ndiqte me vrap nga pas Ndriçim Xhepën për ta qëlluar. Vrapo Çimi, e vrapo djali, deri sa e realizoi të tijën, e qëlloi. Sigurisht që të gjitha këto në sheshxhirim krijuan atmosferë humoristike, asgjë më tepër.

Jo se është çudi, por çfarë ndodhi konkretisht që nuk u lejua?

Ajo që ndodhte gjithmonë. Kontrolli! U dërgua materiali në Kinostudio, të lahej, siç ndodhte gjithmonë, pastaj do ta shihte grupi i punës, kur ta kthenin, në Pogradec. Ndërkaq, sapo shkoi, kishte plasur bomba. “E keni marrë vesh për Mondën dhe Çimin?! Janë puthur”. Këta zëra na erdhën edhe ne, sado që nuk ishim në Tiranë. Vjen më pas për ta parë ministrja e kohës, Tefta Cami. Donte ta shihte filmin vetëm dhe ashtu u bë. Unë prisja jashtë, gjithë ankth, nëpër shi, me mikun tim Luan Rama. Do e presin, i thosha Luanit, i cili shpresonte më shumë se unë që kjo gjë nuk kishte për të ndodhur. Dhe vërtet ishte fatkeqësi që e prenë, sepse ishte një skenë shumë e bukur. Pas vërejtjes me shkrim, dhanë urdhër të bëhej skena nga e para, pa puthje. Ajo që është në film sot, nuk është skena që xhiruam në Volorekë, por ajo që ribëmë te Kodrat e Liqenit Artificial.

(a.n/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: