TIRANË- Kryeministri Edi Rama e ka falënderuar disa herë përfaqësuesen e lartë të diplomacisë europiane Federica Mogherini për rekomandimin pozitiv të marrë nga Shqipëria për çeljen e negociatave për anëtarësim në BE.

Në një konferencë për mediat pas takimit me Mogherinin sot në Kryeministri, Rama tha marrja e këtij rekomandimi është e lidhur me punën e Mogherinit.

Ai tha se vendi dhe rajoni kanë bërë hapa përpara dhe se Shqipëria ka marrë atë që meriton, as më shumë dhe as më pak.

FJALA E RAMËS
Në këtë rast falënderimi për zonjën e diplomacisë së Europës së Bashkuar është posaçërisht i veçantë dhe i ndjerë sepse arritja e rezultatit të shumëpritur të rekomandimit të KE për çeljen e negociatave për anëtarësim të Shqipërisë është e lidhur drejtpërdrejt edhe me punën e palodhur të Mogherinit për të forcuar urën lidhëse mes Europës së Bashkuar dhe Ballkanit Perëndimor si dhe mbështetjen e paepur të saj për rajonin dhe Shqipërisë.

Rajoni dhe Shqipëria kanë bërë hapa përpara shumë të rëndësishme por të gjithë kemi nevojë për mbështetje të posaçme, për njerëz të hapur ndaj nesh, që të njohin vështirësitë tona dhe rëndësinë tonë. Të vlerësojnë ndershmërisht përpjekjet dhe arritjet tona aspak të lehta. Pro dhe të kenë dëshirën dhe vullnetin për të na mbështetur dhe të argumentojnë edhe kur ne mungojmë.

Njerëz dhe forca skeptike ndaj politikës së zgjerimit na shohin dhe nuk ngurrojnë të na përdorin për interesat e tyre si mish për top për politikën e tyre të mbylljes. Mogherini është këtu pasi ne Shqipëria ja kemi dalë të hedhim një hap të rëndësishëm historik.

Në emër të të gjithë ne shqiptarëve e falënderoj me gjithë zemër shefen e diplomacisë europiane për gjithçka ka bërë deri diku, duke na ndihmuar, duke na kritikuar ku ka qenë nevoja. Shumë, shumë faleminderit. Falënderoj dhe presidentin Juncker me të cilin kam pasur mbrëmë një telefonatë shumë inkurajuese si dhe komisionerin Hahan. Shqipëria ka marrë atë që meriton në këtë fazë të zhvillimit dhe modernizimit të saj, as më shumë e as më pak.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: