Nga Rashela Shehu
Hapja e negociatave të Shqipërisë me BE-në është pritur pozitivisht edhe nga Turqia. Ambasadori turk ne Tiranë ka thëne se Turqia do të vijoje ta mbështesë Shqipërinë, por nuk ka lënë pa përmendur disa qarqe që sipas tij duan ta pengojnë Shqipërinë në procesin e integrimit.

Lajmi i rekomandimit nga Komisioni Evropian për çeljen e negociatave të Shqipërinë me Bashkimin Evropian është mirëpritur nga Turqia. Në një aktivitet të organizuar në Tiranë, Ambasadori i Turqisë në Shqipëri, Murat Ahmet Yörük, foli për marrëdhëniet e mira me dy vendeve, duke e cilësuar Shqipërinë një vend mik. Ambasadori turk foli edhe për disa qarqe, pa i identifikuar specifikisht, të cilat sipas tij nuk duan të shohin përparimin e Shqipërisë drejt Bashkimit Evropian.

“Sigurisht që ka edhe qarqe të caktuara që nuk  dëshirojnë që Shqipëria të hedhë hapa përpara, të përparojë në këtë drejtim dhe këto qarqe të caktuara japin mendime, japin opinione duke u fokusuar më tepër jo tek anët pozitive që mbizotërojnë në Shqipëri, por tek mangësitë e saj. Unë mendoj që shqiptarët nuk duhet t’jua venë shumë veshin këtyre qëndrimeve negative. Unë ju rekomandoj që të ecin përpara me objektivat që i kanë vënë vetës së tyre,” tha ai.

Ryshfeti, korrupsioni apo krimi i organizuar sipas diplomatit turk, janë probleme të cilat hasen në çdo vend dhe jo vetëm në Shqipëri.

“Vërejmë se në Evropë ka një përpjekje të ethshme që ta tregojnë Shqipërinë si vendi i krimeve dhe të kriminelëve, qendra e korrupsionit, qendra e krimit të organizuar në këtë rajon. Të gjitha mendimet e këtij lloji me duken të ekzagjeruara sepse ryshfeti, korrupsioni, krimi i organizuar ekzistojnë në çdo vend,” u shpreh ai.

Ambasadori turk shtoi se Turqia do të vazhdojë ta mbështesë Shqipërinë edhe në të ardhmen.

 (e.f/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb