TIRANE – Çdo vit, mijëra shqiptarë provojnë fatin me lotarinë amerikane që hapet nga 1 tetori deri më 3 nëntor. Sipas të dhënave të publikuara nga Departamenti Amerikan i Shtetit plot 198,625 aplikantë kanë plotësuar 100 mijë aplikime, personalisht ose si familje, për t’u zhvendosur në vendin e ëndrrave.

Ky është një rekord historik. Departamenti Amerikan i Shtetit publikon të dhënat mbi numrin e aplikantëve që nga viti 2007 dhe asnjëherë gjatë kësaj periudhe nuk ka pasur kaq shumë aplikantë. Në 2015 pati mbi 27 mijë aplikime më shumë se në 2014 dhe 76 mijë aplikime më shumë se në 2013.

Përgjatë kësaj periudhe, numri më i vogël i aplikimeve shënohet në vitin 2011 me 87 mijë ëndërrimtarë. Viti 2011 qe edhe viti i parë i heqjes së vizave nga zona Shengen për Shqipërinë, viti kur një numër i stërmadh shqiptarësh vizituan për herë të parë Europën. “Kam aplikuar për lotarinë amerikane rregullisht prej 10 dhjetë vjetësh dhe për mua është bërë si një rit të cilin e provoj pavarësisht gjasave të pakta për të fituar”, tha për BIRN, Ervini, një 38-vjeçar nga Tirana i cili punon si operator marketingu, pavarësisht se ka dy diploma bachelor në drejtësi dhe ekonomi dhe një master në financë.

“Dua të emigroj jashtë shtetit sepse nuk e shoh Shqipërinë si një vend të sigurt, pasi këtu nuk ka vazhdimësi ligjore, gjithçka ndryshon me ndërrimin e partive,” shton ai. Por këtë vit Ervini nuk do të jetë vetëm. I sapomartuar me një të diplomuar arti, Anxhelën, ata shpresojnë se ndërrimi i statusit nga beqarë në të martuar do t’i sjellë fat.

“Kam aplikuar edhe një herë përpara se të njihesha me Ervinin, por uroj që martesa të jetë një ogur i mirë për ne,” thotë për BIRN Anxhela, një studente 24-vjeçare që është diplomuar në regji filmi, e cila ka humbur së fundmi punën pas falimentit të një televizioni. “Për mua Shqipëria është vendi ku të jesh artist do të thotë të mos marrësh dot frymë, vendet e punës paguhen keq dhe duhen gjetur me mik,” shton ajo.

Por të martuarit nuk janë të vetmit që provojnë fatin. Ina, 22 vjeçe, një studente infermierie në Durrës pranon për BIRN të ketë aplikuar për lotarinë amerikane të këtij viti. “Unë aspiroj të bëhem infermiere, por këtu shëndetësia është e zhytur në korrupsion dhe paraja ka hyrë mes pacientit dhe mjekut. Unë dua të jem në gjendje t’i ndihmoj njerëzit me pastërti dhe pa e ndotur qëllimin humanitar me para,” thotë ajo.

“E vetmja mënyrë për të shpëtuar profesionin tim për mua, është emigrimi në SHBA,” përfundon Ina. “Kemi aplikuar për lotarinë amerikane si familje, pasi dua që vajza jonë të ketë një mundësi më të mirë jetese, të cilën Shqipëria ka provuar se nuk mund t’ia japë,” thotë Alma, një përkthyese 34-vjeçare nga Tirana. “Represioni i shtetit në kohët e fundit, me ligje të ashpra, gjoba dhe dënime me burg, na bën të duam të zhdukemi nga këtu një orë e më parë,” përfundon ajo.

Por me fatin vijnë dhe supersticionet. Shumë nga të intervistuarit e BIRN u shprehën se besojnë se qytetarët korçarë janë të preferuarit e sistemit përzgjedhës të lotarisë. “Përvoja ime në lotarinë amerikane më ka bërë të besoj se fati shkon me korçarët, madje njoh njerëz që udhëtojnë deri në Korçë për të bërë aplikimin e tyre, me shpresën që do t’u ecë,” thotë Ervini.

“Këtë vit kam hequr dorë nga aplikimi. Pas gjashtë vjetësh shpresa, e kam humbur besimin se diçka e mirë do të dalë nga kjo lotari e përvitshme,” thotë për BIRN, Vilma, një parukiere 35-vjeçare. Megjithatë, Lotaria Amerikane nuk është e vetmja lotari ku shqiptarët provojnë fatin për të ndryshuar jetën.

“Do të marr seriozisht aplikimin në Lotarinë Kanadeze, e cila ka kritere më të larta përzgjedhjeje, por shanse më të mira për të fituar,” shton Ervini, me një grimcë shprese në vështrimin e tij. “Duam patjetër të largohemi nga Shqipëria që ta zgjerojmë familjen tonë në një vend të sigurt dhe me stabilitet ekonomik,” thotë Anxhela, duke ia shtrënguar dorën bashkëshortit të saj.
(ed.me/birn/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: