SARANDE- Një 44-vjeçar ka rënë në pranga, pasi akuzohet të jetë autor i vjedhjeve të shumë makinave. Burime nga policia e Sarandës bënë me dije për ‘BalkanWeb’ se bëhet fjalë për Aleksander Qarrin, lindur në Novosele e banues në Tiranë, i dënuar me parë.

Të njëjtat burime sqarojnë për ‘BalkanWeb’ se Qarri, i njohur si ‘Gim Lepuri’, dyshohet për 5 vjedhje makinash në Sarandë. Mësohet se arrestimi i tij u krye dje në qytetin bregdetar në orën 22:30.

Qarri është arrestuar më herët për 110 vjedhje makinash në Tirane, 7 vjedhje makinash në Vlore si dhe vjedhje ne Itali vepra për të cilat ka kryer dënimin.

Gazetarja Shpresa Dine raporton për BW se se nga data 1-17 dhjetor ka vjedhur 5 mjete në Sarandë, ndërsa dyshohet se u merrte kryesisht kasetofonat, të cilat më pas i shiste tek një servis në Tiranë.

Nga të dhënat e grupit hetimor, bëhet e ditur se 44-vjeçari vinte në Sarandë të shtunave në darkë, dhe niste ‘aksionin’ pasi dilte nga hoteli pas orës 2 të mëngjesit, dhe pasi mbaronte ‘punët’, nisej me autobus në 05:00 të mëngjesit për Tiranë. Policia pohon se Qarri kishte si në objektiv të tij mjetet e shtrenjta, që nga BMW X6, Benz C-Class dhe Benz E-Class. Theksojmë se në vitin 2015 Qarri u arrestua për 17 vjedhje makinash në Durrës, ndërkohë në 2011-ën për 100 vjedhje në Tiranë. Ai u kap në flagrancë mbrëmjen e djeshme, falë edhe filmimeve të dokumentuara, ndërsa në bazë të ‘metodave’ që ai bënte gjatë vjedhjeve, u arrit të identifikohej.
(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb