TIRANE– Rektori i Universitetit ‘Luarasi’, Arben Malaj është shpallur si ‘Ekonomisti më i mirë për vitin 2016’ pas një sondazhi publik të realizuar nga RTV ‘Scan’. Arben Malaj është emër i njohur në botën financiare shqiptare.

Arben Malaj ka mbaruar studimet e larta për financë në vitin 1986 pranë Universitetit të Tiranës. Mban titullin “Profesor” që prej muajit shkurt të vitit 2016. Gjatë periudhës 2005-2006, ai ka ndjekur programin “Senior Fellow” pranë Universitetit të Harvardit, Shkolla e Qeverisjes John F. Kennedy, Qendra për Biznes dhe Qeverisje, gjatë të cilit kreu studimin kërkimor me fokus perspektivën ekonomike të integrimit evropian të vendeve të Ballkanit Perëndimor. Ai ka kryer specializime pasuniversitare në disa universitete evropiane e amerikane dhe ka marrë pjesë në shumë konferenca shkencore kombëtare e ndërkombëtare.

Gjatë karrierës së tij të pasur profesionale, Malaj ka dhënë kontributin e tij si në fushën akademike ashtu dhe në shërbim të sektorit publik.

Prof. Dr. Arben Malaj ka qenë Ministër i Financave gjatë periudhës 1997-1998, Ministër i Ekonomisë gjatë periudhës 2002-2003 dhe sërish Ministër i Financave në periudhën 2003-2005, duke shërbyer edhe si Guvernator i Shqipërisë pranë Bankës Botërore.

Në periudhën 1997-2013, ka qenë Deputet i Kuvendit të Shqipërisë, gjatë së cilës ka qenë edhe anëtar, zëvendëskryetar dhe kryetar i Komisionit Parlamentar të Ekonomisë dhe Financave. Në vitin 2001, ai ka qenë Kryetar i Delegacionit të Kuvendit Shqiptar në Parlamentin Evropian.

Prof. Dr. Malaj është bashkëthemelues dhe ish-President i Institutit të Politikave Publike dhe Mirëqeverisjes. Prej vitit 2015, ai është dhe Koordinator i Këshillit Ekonomik të Bashkisë Tiranë.

Aktualisht, Arben Malaj është rektor i Universitetit “Luarasi”.

(d.d/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: