BURREL- Automjeti që përfundoi dje në ujërat e liqenit të Shkopetit është nxjerrë pas orësh të tëra operacion pasditen e sotme nga 26.5 metra thellësi nga liqeni i Shkopetit. Mësohet se makina është një tip “Benz 250” ngjyrë e bardhë me targa të verdha AB 220 T i vjedhur në Lushnje. Pronari i mjetit, me iniciale N.A. nga Kolonja e Lushnjes e kishte denoncuar të vjedhur pak muaj më parë.

“Ky shtetas ka bërë kallëzim në Komisariatin e Policisë Lushnjë në 14.02.2016 se i kanë vjedhur para lokalit të fshatit gjatë natës automjetin e tij Taxi”, deklaron policia.

Dje polumbarët kanë arritur të nxjerrin një tjetër automjet gjatë kërkimeve. Operacioni i policisë dhe polumbarëve të forcave RENEA erdhi pas njoftimit të dhënë dje nga peshkatarët se në orët e para të mëngjesit një automjet kishte përfunduar në liqenin e Shkopetit.

Pas kësaj nisën edhe kërkimet, ku në vendngjarje u gjetën një palë targa dhe pas verifikimeve rezultoi se ishin vjedhur në Lushnjë në janar. Më pas polumbarët gjatë zhytjeve të kryera kanë konstatuar në thellësinë 18 metra dhe në thellësinë 25 metra dy automjete. Me ndihmën e një mjeti të rëndë vinç, polumbarët dhe forcat e policisë të Komisariatit të Policisë Mat, kanë bërë të mundur nxjerrjen në anë të liqenit të njërit, konkretisht autoveturës tip Benz me targa FFV 562, (Suedeze).

Nga këqyrja paraprake, shenjat e konstatuara si, “llumi mbi sipërfaqet e lëmuara të mjetit” rezulton se ky mjet ka kohë që ndodhej brenda në liqen. Gjithashtu po nga këqyrja paraprake rezultoi se në automjet nuk kishte asnjë viktimë.

Ndërkaq ditën e sotme polumbarët e RENEA-s e kanë lidhur me litarë automjetin e dytë deri sa e kanë nxjerrë në anë të liqenit. Tashmë automjeti do t’i nënshtrohet një ekzaminimi nga ana e specialistëve.

Sipas burimeve policore, bëhet e ditur se makina dyshohet të jetë përdorur në vjedhjen e ndodhur në Rinas në 30 qershor. Po sipas këtyre burimeve, mësohet se brenda në liqen ka edhe makina të tjera.

(ed.me/m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: