Klubi i Vllaznisë me anë të një deklarate ka reaguar për fatin që skuadra pësoi ditën e djeshme, duke rënë nga Superliga. Shkodranët, një klub me histori
të madhe në vendin tonë sezonin e ardhshëm do të festojnë 100-vjetorin në Kategorinë e Parë.

Për këtë arsye klubi i ka kërkuar ndjesë tifozëve dhe ka theksuar se e gjithë përgjegjësia bie mbi drejtuesit, stafit teknik dhe futbollistëve, duke përjashtuar bashkinë e cila sipas tyre i ka përmbushur të gjithë detyrimet.

DEKLARATË

Klubi i Futbollit “Vllaznia sh.a.” është sot në një moment shumë të vështirë. Rënia nga Superliga është një lajm qe ka tronditur të gjithë opinionin sportdashës në Shkodër dhe jashtë saj. Fillimisht, e ndjejmë detyrim moral që në emër të klubit, t’i kërkojmë një ndjesë të madhe publike të gjithë sportdashësve shkodranë për këtë tronditje që i kemi shkaktuar.

Stafi i KF Vllaznia sh.a., futbollistët dhe stafi teknik, janë përgjegjësit kryesore të rënies së ekipit dhe kjo përgjegjësi po analizohet hap pas hapi dhe shumë shpejt do të bëhen të ditura edhe masat përkatëse. E theksojmë se Bashkia e Shkodrës, si aksionare e vetme e Klubit, ka plotësuar të gjitha kërkesat që i kane vajtur në mbështetje të Vllaznisë. Kjo e shton edhe më shumë përgjegjësinë tonë për atë qe i ka ndodhur Vllaznisë pasditen e djeshme.

Në orët e në ditët në vijim, do të komunikojmë sërish së bashku dhe përmes jush me sportdashësit shkodranë, lidhur me të sotmen dhe të nesërmen e KF Vllaznia sh.a. Natyrisht, do të jetë Këshilli Bashkiak në cilësinë e Asamblesë së Përgjithshme të Klubit që do të marrë vendimet e duhura për përballimin e situatës aktuale dhe kthimin e Vllaznisë aty ku e ka vendin brenda sezonit 2018- 2019.

(e.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: