Televizioni Francez M6, i ka kushtuar një reportazh Shqipërisë në emisionin shumë të ndjekur “Investigim Ekskluziv”. Titulluar “Plazhe ëndrrash, biznes dhe gjakmarrje: Fytyra e fshehur e Shqipërisë”, ky emision paraqet Shqipërinë, nga shumë këndvështrime, tregon zhvillimin pozitiv të vendit si dhe dukuritë negative.
Një pjesë e rëndësishme e dokumentarit, u realizua në televizionin informativ “News24”. Në bashkëpunim me gazetarin investigativ te “News24”, Artan Hoxha, në këtë emision francez është trajtuar edhe ana e errët e bashkëpunimit të disa segmenteve të policisë me klikat e narko-trafikut.

Kamera e TV francez hyn në mjediset e kanalit të parë informativ shqiptar, ku gazetari Artan Hoxha merr pjesë në një debat për kanabisin. Ai ka bërë shumë investigime, që tregojnë se disa policë janë të korruptuar nga trafiku i drogës.

“Kemi dyshime se policia e di se punëtorët që punojnë për narko-trafikantët vijnë nga periferia e Tiranës dhe se policia nuk reagon. Është objektivi i sotëm. Filmojeni këtë”.

“Nëse ju them mos lëvizni. Atëherë asnjë të mos lëvizë. Stiv, kamera duhet të qëndrojë gjithmonë e ndezur. Do të përdorim dritat e makinave, nuk e ndezim dritën e kamerave, për të mos rënë në sy. Në rregull? Jepini!”, thotë Hoxha.

Gazetarët francezë dhe Artan Hoxha shohin furgona që transportojnë punëtoret e drogës në magazina, ku do të shkojnë të ndajnë dhe paketojnë të korrat e kanabisit. Edhe pse pak më larg gjatë rrugës, policia nuk ndërhyn.

Në dokumentar është përfshirë edhe dëshmitari 18-vjeçar që ka punuar për 4 muaj në një fushë me kanabis.

“Në fillim hapja gropat për të vendosur plehun. Pastaj merresha me mbjelljen. Pastaj merresha me mirëmbajtjen. I ujisja dhe i krasitja. Pas krasitjes vinte korrja. Dhe në fund procesi i pastrimit. Kam bërë nga të gjitha”, shpjegon 18-vjeçari.

I riu thotë se gjatë veprimtarisë së tij, shpesh kishte të bënte me policinë. Por nuk vinin për të shkatërruar drogën, por krejt e kundërta.

Droga e mbjellë në Shqipëri dhe lufta e policisë ndaj kanabisit, përfshirë edhe bashkëpunimin e disa policëve në këtë veprimtari kriminale, ka tërhequr vëmendjen e mjaft mediave ndërkombëtare.

Përgatiti për BalkanWeb: Ilir Sinanaj

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb