NGA: FATMIRA NIKOLLI * TIRANE – Asnjë çast nuk ma kanë mbushur mendjen ato akuza se kryeparlamen tari Ilir Meta vërtet paska dashur ta vriste Tom Doshin”. Kështu shprehet akademiku Rexhep Qosja në një intervsitë për “GAZETA SHQIPTARE”. Mbasi e titullon bisedën “BARBARIA DEMOKRATIKE”, profesori ndalet tek zhvillimet më të fundit në Shqipëri. Mendimi i tij për akuzat e Tom Doshit, çështjen e vëllezërve Arben e Mark Frroku, imazhin e vendit, drejtësinë dhe mungesën e saj, vijnë më poshtë.

Profesor Qosja, në një muaj, ashtu si qe paralajmëruar nga ish-deputeti i mazhorancës, Tom Doshi, Shqipëria u trondit. U trondit në fakt?

Mediat, sidomos ato elektronike, ndodh t’u fryjnë edhe vogëlsirave dhe ashtu i bëjnë të mëdha. Realisht të shikuara, të gjitha ato që kishin të bënin me ish-deputetin Tom Doshin ishin pak gjë, por, ja, për këtë pak gjë u harxhua shumë kohë, shumë retorikë politike, shumë ndjenja! Mjerisht.

Si u pa në Shqipërinë tjetër ajo që ndodhi në lidhje me Tom Doshin?

-Shëmbëllyeshëm asaj që pritej të trondiste Shqipërinë, edhe në Kosovë, shpejt, u fol për një atentat të përgatitur si ai në Shqipëri, por natyrisht të pa bërë. I akuzuar ishte Ibrahim Kelmendi, veprimtari i çështjes së Kosovës dhe i çështjes shqiptare në përgjithësi, i cili gjithë jetën e tij, me vëllezërit e tij dhe me familjen e tij, ia kushtoi lirisë dhe pavarësisë së Kosovës në Kosovë dhe në Evropë. E kaloi prej Jugut e në Veri, prej Lindjes e në Perëndim gjithë Evropën duke marrë pjesë, duke organizuar, protesta, demonstrata, greva për atë liri e pavarësi të Kosovës. Mjerisht, klasa politike e Kosovës u tregua e padrejtë ndaj Ibrahim Kelmendit, si edhe ndaj një vargu veprimtarësh të tjerë për pavarësinë e Kosovës, duke shpërfillur meritat e tij, kur e kur, madje, duke i sjellë pikëllime në vend të gëzimeve! Dua të besoj se, akuzuesi, një veprimtar tjetër i çështjes së Kosovës dhe i çështjes shqiptare, i merituar po ashtu për këtë çështje si Ibrahim Kelmendi, shpejt hoqi dorë prej akuzës. Dhe, një dramë morale nga e cila, sipas mendimeve të mia, do të krijohej një përshtypje e keqe në opinion, mori fund me kohë dhe siç duhej.

Si i lexuat , si i dëgjuat akuzat e ishdeputetit Tom Doshi për vrasje të porositur nga kryeparlamentari?

-Asnjë çast nuk ma kanë mbushur mendjen ato akuza se kryeparlamentari Ilir Meta vërtet paska dashur ta vriste Tom Doshin. Ilir Metën e shikoj si njeri e politikan të matur, të zgjuar, inteligjent, i cili në asnjë rast nuk do t’i lejonte vetes të futej në farë aventure të tillë për çfarë u akuzua. Mund mos të kem të drejtë, por nuk mund të mos mendoj se edhe Tom Doshi edhe Ilir Meta ishin shpallur protagonistë të asaj aventure të quajtur atentat i porositur prej ndonjë kuzhine tjetër djallëzore politike!

Si i shihni marrëdhëniet PS-LSI?

-Të shikuara nga jashtë ato janë marrëdhënie në rregull, por çka ka brenda tyre, natyrisht, unë nuk mund ta di. Akuzat u hodhën poshtë me aq shpejtësi sa u bënë publike, por çoroditja mbeti.

Çfarë po ndodh me imazhin e Shqipërisë nëse kemi parasysh ç’mendime na lindin në kokë, nëse kjo ndodh në Kroaci, për shembull?

-Ka shumë, tepër shumë çorodi në jetën tonë politike e shoqërore në Shqipëri dhe në Kosovë. E në përmbajtjen e këtyre çorodive më së shumti ka prishësi, që kryesisht e prodhojnë vetje të klasës politike dhe të disa medieve. E gjithë kjo çorodi po cenon rëndë përfytyrimet për Shqipërinë e Kosovën, për shqiptarët në Evropë e shumëkund tjetër. Vërtet nuk e meritojnë shqiptarët një përfytyrim aq të stërkequr që po ia “dhuron” klasa e sotme politike!

Një deputet tjetër i mazhorancës, Mark Frroku, është në burg me akuzën e vrasjes. Ndërkohë vëllai i tij u shpall i pafajshëm nga gjykata për vrasje, duke shkaktuar një zhgënjim të thellë në popull sa i takon drejtësisë. Si e pritët ju këtë?

-Nuk jam prokuror, as gjykatës, as avokat, as ministër a zëvendës ministër, as farë nëpunësi në Ministrinë e Rendit Publik që ta di më saktësisht a më përafërsisht se cili është jetëshkrimi qytetar e politik, i hapët a i fshehtë, i Mark Frrokut. Duke mos qenë as prokuror, as gjykatës, as avokat unë nuk mund ta di nëse u lirua me të drejtë a pa të drejtë i vëllai i tij. Unë, si shikues e si dëgjues i televizioneve të Tiranës, si qytetar, si intelektual, mund të mendoj, dhe në lidhje me Mark Frrokun, mendova për diçka tjetër: mendova duke shikuar e duke dëgjuar televizionet e Tiranës se në Kuvendin e Shqipërisë Mark Frrokut iu cenua integriteti dhe iu shkelën disa të drejta njerëzore dhe qytetare. Me orë të tëra, me ditë të tëra, edhe mbasi iu mor imuniteti i deputetit, deputetë mbas deputetësh, të të dy gjinive, u morën me të, me të bërat dhe me të pabërat e tij të supozuara; dhe u morën vrazhdë; dhe u morën me të si të ishin jo deputetë në Kuvendin e Shqipërisë, po si të ishin prokurorë të Shqipërisë, si të ishin gjykatës të, nuk mund ta di, cilës Gjykatë të Shqipërisë. Dhe, kështu Kuvendin e Shqipërisë e shndërruan në Gjykatore, kurse Mark Frrokun e shpallën dhe e trajtuan fajtor për çka nuk mund ta dinin ata si deputetë, por për çka do ta dinë mbas hulumtimesh e gjykimesh Prokurori, Gjykata dhe avokatët. Harruan ata, në të djathtë e në të majtë, se në demokraci edhe i akuzuari, edhe i burgosuri, edhe i gjykuari i mbajtur në burg kanë integritetin dhe të drejtat e tyre, që mbrohen me akte ndërkombëtare. Nuk ngurroj të them se trajtimi i Mark Frrokut në Kuvendin e Shqipërisë më revoltoi, bash, më revoltoi, dhe kjo revoltë në një mënyrë më solidarizoi me të. Mendja ime do të jetë kundër tij në qoftë se dëshmohet se ishte pjesëmarrës në vrasjen e bashkatdhetarit në Bruksel, por (sa shumë do të më akuzojnë për fjalinë që do ta them tani) jo pse zotërinjve evropianë u paska “dhuruar” drogë e prostituta, ua paska dhuruar dhuratat e zeza, të cilat ata, më parë, na i kanë sjellë neve!

E ndërkohë që opinioni publik vlon nga çështja Meta-Doshi-Frroku-Meta, u harrua guvernatori, u harruan faturat e majme të energjisë, u harrua papunësia, siç janë harruar më herët abuzime fondesh publike e doli i pafajshëm edhe kreu i Bashkisë së Vlorës.

-U harruan këto që i theksuat ju dhe u harruan edhe disa të tjera, që rëndojnë po aq rëndë sa të numëruarat e disa edhe më rëndë se ato: u harruan fajtorët e vërtetë për tragjedinë e Gërdecit; u harruan vrasësit dhe urdhëruesit e vrasjes së katër protestuesve më 21 janar; u harruan disa të akuzuar të mëdhenj për korrupsion të madh; u harruan shkelësit e nivelit më të lartë të Kushtetutës e të ligjeve të Shqipërisë, domethënë u harruan ata që demokracinë shqiptare në kohën e tyre e kanë bërë e vazhdojnë ta bëjnë edhe sot demokraci barbare. Pse jo? Drejtësia në jetën tonë, në dy shtetet tona, s’është bërë dhe ende nuk po mund bëhet pushtet i tretë shtetëror!

Dy deputetë të parlamentit të Shqipërisë gjenden në arrest, ndërkohë që partitë duket se po venë në jetë “dekriminalizimin”, platformën e miratuar me konsensus në fund të vitit të kaluar. Si i shihni zhvillimet e fundit politike në Shqipëri?

-Zhvillimet politike në Shqipëri mua më duken fort të tendosura. Kemi dy prirje politike në Shqipëri. E para është prirja ndërtuese, reformuese e Qeverisë. Reformat kanë filluar gati në të gjitha fushat e jetës, dua të them në të gjitha fushat e organizimit shtetëror. Qeveria e sotme ka trashëguar një shtet, që kishte kufijtë dhe popullin, kurse gjithë përbërësit e tij të tjerë ishin në gjendje anarkie. Për këtë arsye mund të thuhet se me reformat e sotme (fjala reformë në këtë rast mund të zëvendësohet me fjalën ndërtim) Shqipëria po rindërtohet shtetërisht.

Prirja e dytë politike është prirje me shumëçka shpërbërëse dhe në krye të kësaj prirjeje është Partia Demokratike, në të vërtetë udhëheqja e saj me kryetar Lulëzim Bashën. Mund të quhet kështu, prirje shpërbërëse, sepse kryetari i PD-së me PD-në flet dhe vepron jo vetëm kundër gabimeve, të metave, premtimeve të parealizuara të aleancës PS-LSI; por kundër të gjitha atyre ndryshimeve, kundër të gjitha atyre reformave, që po bën Qeveria. Natyrisht kundërshtimin e tyre, prirjen e tyre shpërbërëse politike drejtuesit e PD-së nuk e quajnë shpërbërje, por në thelbin e vet ajo është duke ushtruar funksion shpërbërës në jetën ekonomike, shoqërore, arsimore, shëndetësore, e të tjera të Shqipërisë. Të gjitha paraqitjet e kryetarit të Partisë Demokratike dhe të sekretarit të saj në thelbin e vet janë konkretizim propagandistik i asaj prirjeje shpërbërëse. Ish-kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, tani kur e kur duket më i matur, madje, më racional në krahasim me kryetarin e tanishëm e me sekretarin e kësaj Partie. Paraqitjet e tilla, shpërbërëse, të kryetarit të tanishëm të Partisë Demokratike janë të njëjta, shpërbërëse, si brenda Shqipërisë ashtu edhe jashtë saj – në Evropë. Ai po e denoncon, po bën çmos që ta komprometojë sa më pamatshëm shtetin e vet, vendin e vet, si askush deri tani në historinë e Shqipërisë shtet. As ai, as bashkëpunëtorët e tij nuk duan të marrin mësim prej të tjerëve. E dëgjuat çka tha, e patë si u soll, kryetari i Maqedonisë, Ivanov, gjatë vizitës në Shqipëri? Kur kryetari i Shqipërisë, Bujar Nishani, e pyeti se ç’mund të thotë për çështjen e përgjimeve në Maqedoni ai u përgjigj, o sa papritur për kryetarin tonë:

-Për çështje të tilla, tha serioz, dinjitetshëm, nuk flas jashtë shtetit tim. E Lulëzim Basha, e Sali Berisha, a ai Ristani, e disa të tjerë nga ata kolegët e tyre, pyetjeve të tilla mezi do të pritnin në Shkup, a në Podgoricë, a në Beograd, a në Athinë a lëre më në cilat qendra evropiane, mezi do të pritnin, pra, t’u përgjigjeshin zi e më zi, me të dhëna të vërteta dhe me të dhëna të trilluara! Këto dy prirje të zhvillimeve të tanishme politike në Shqipëri krijojnë shumë tendosje, tendosje të veçanta dhe tendosje të përgjithshme, krijojnë një gjendje që pengon mbarësinë, që dëmton Shqipërinë në BE-në. Populizmi i kryetarit të tanishëm të Partisë Demokratike në të vërtetë përmban jo pak përbërës retorikë, propagandistikë dhe praktikë revolucionarë, revolucionarë në kuptimin shqetësues të kësaj fjale!
(ed.me/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

 

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb