Sot më 25 qershor akademiku Rexhep Qosja feston 80-vjetorin e lindjes. Lindi më 1936 në Vuthaj, zonë që sot gjendet në Mal të Zi, si pjesë e Plavës e Gucisë, ku ai po e feston këtë përvjetor.

Në kuadër të datëlindjes, shtëpia botuese “Toena”, vlerëson “veprën e shumanshme të Rexhep Qosjes si një pasqyrë e kontributit të tij për zhvillimin e shkencës, të arsimit dhe letërsisë shqipe; si vepër që ka luajtur një rol themelor në proceset e emancipimit dhe të ngritjes së ndërgjegjes atdhetare, qytetare e morale të popullit të vet, e afirmimit të aspiratave të tij, për rritjen e prestigjit të shkencës dhe të kulturës kombëtare të shqiptarëve në mbarë botën shqiptare dhe përtej saj”. Ka dalë para lexuesit ndërkaq edhe pjesa e 7 e ditarit të tij “Dëshmitar në kohë historike VII” që mban shënime për vitet 1990-1998. Në një material shpërndarë për mediat, “Toena” vërente se Qosja i hyri projektit për një histori të letërsisë kombëtare duke shkrirë në studimet e tij talentin e rrallë, erudicionin dhe pasionin shkencor e qytetar, duke i dhënë jetë një biblioteke të pasur veprash shkencore. Midis tyre mjafton të përmendim veprën madhore “Historia e letërsisë shqipe”, të projektuar në shumë vëllime prej të cilëve deri më sot janë botuar tri vëllimet e para për romantizmin (1984, 1986), monografinë me titull “Porosia e madhe” (1986) kushtuar veprës së poetit kombëtar, Naim Frashërit, monografitë “Asdreni dhe vepra e tij” (1972), “Prej tipologjisë deri te periodizimi” (1979) dhe “Tri mënyra të shkrimit shqip” (2004), përmbledhjet me studime e kritika “Dialogë me shkrimtarët” (1968), “Kontinuitete” (1971), “Panteoni i rralluar” (1973), “Shkrimtarë dhe periudha” (1975, 2005) etj.

PJESË NGA DITARI
11.2.1990
Përshëndetemi, përzemërsisht. Shqip. Nuk e pyes prej nga vjen, prej cilit shtet. Kurrë gazetarët e huaj nuk i pyes se prej cilit shtet vijnë, sepse i pyes në cilën agjenci gazete, radio a televizioni punojnë dhe prej përgjigjes që më japin e marr vesh se prej cilit shtet janë.
– Punoj, thotë me buzëqeshje tre gishtërinj të gjerë, për agjencitë që kanë nevojë për informatat që u ofroj unë. E në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ka shumë agjenci të tilla. Ia kthej buzëqeshjen po ashtu tre gishtërinj të gjerë, duke i dhënë të kuptojë se mendja ime e thotë se është më shumë sesa gazetar i zakonshëm.
– Kam dëgjuar, thotë, se gazetarët jugosllavë dhe të vendeve të tjera kanë dëshirë t’ju takojnë sepse në përgjigjet tuaja jeni shumë i drejtpërdrejtë, i thoni gjërat hapur, çka nuk e bëjnë ata të partive!
– Nuk kam shumë pyetje. Do t’ju pyes kryesisht për Shqipërinë. Në Shqipëri nuk po ndodh çka ndodhi e çka është duke ndodhur në vendet e tjera komuniste! Çka mendoni: Do të mbahet komunizmi në Shqipëri?
Nuk i përgjigjem menjëherë: E lë pak të presë e, mandej, i them si i befasuar nga kjo pyetje:
– Si mund të mbahet komunizmi në Shqipëri mbas rënies në vendet e tjera komuniste?! Si mund të mbahet komunizmi në Shqipëri mbas rënies në Bashkimin Sovjetik?! E pamundshme.
– Keni të drejtë, por ja po mbahet.
– Nuk do të mbahet edhe gjatë. Bashkimi Sovjetik e krijoi komunizmin në vendet e tjera, në vendet e Evropës Lindore, dhe me rënien e komunizmit në Rusi do të bjerë pashmangshëm në të gjitha vendet e tjera evropiane. Komunizmi në Shqipëri, prandaj, do të mbahet shumë, shumë edhe ndonjë javë a ndonjë muaj.
– Ndoshta nuk mendohet ashtu edhe në Shqipëri?
– Deri para dhjetë vjetësh kam qenë shumë herë në Shqipëri dhe e di se edhe në Shqipëri pjesa më e madhe e popullit dëshiron që Shqipëria të bëhet demokratike. Dhe, do të bëhet.
– Edhe shqiptarët e Kosovës e dëshirojnë këtë?
– Sigurisht, po… por ne më shumë se për demokracinë mendojmë për pavarësinë e Kosovës.
– Në Evropë dhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës flitet dhe, madje, shkruhet se në Kosovë shumë shqiptarë e adhurojnë Enver Hoxhën dhe e përkrahin diktaturën e tij.
– Ne të gjithë e duam Shqipërinë; në Shqipëri jetojnë vëllezërit tanë. Dashuria për Enver Hoxhën ishte e lidhur me dashurinë për Shqipërinë. Në Shqipëri gjithmonë e kemi gjetur dhe e gjejmë shpëtimin prej dhunës e terrorit të Serbisë, Por, ne, këtu, në Kosovë nuk dëshirojmë që në Shqipëri të ndodhë si në Rumani. Jo. Kurrë. Ne dëshirojmë që Shqipëria të demokratizohet në mënyrë paqësore. Dhe unë shpresoj se kështu do të ndodhë.
– Kam dëgjuar se ato intervistat që ju po ia jepni Zërit të Amerikës dëgjohen dhe çmohen shumë në Shqipëri.
– Nuk e di sa dëgjohen e sa çmohen, por në to unë përpiqem që të bind vëllezërit tanë në Shqipëri që pa asnjë pikë gjak, në mënyrë vetëm paqësore, ta kalojnë Atdheun në demokraci.
– Uroj që kjo që po thoni të ndodhë në Shqipëri dhe të ndodhë në mënyrën paqësore që aq shumë e dëshironi.
– Ju faleminderit për këtë urim.
Kam dhe një pyetje, të shkurtër, por me rëndësi të veçantë: Si e parashihni të ardhmen e Kosovës?
– Të gjitha pyetjet tuaja ishin shumë të rëndësishme. Ju thashë pak më parë se tash për tash më shumë se për demokracinë ne mendojnë për pavarësinë. Përvoja historike na tregon se kur një popull dëshiron të bëjë diçka pashmangshëm do ta bëjë. Nuk jam profet që ta di kur, por jam i sigurt se një ditë Kosova do të pavarësohet. Dhe, mandej, do të bashkohet me Shqipërinë.
Gazetari amerikan më shikon gjatë. Nuk jam në gjendje ta kuptoj shikimin e tij – nëse pajtohej apo s’pajtohej me fjalët e mia. Duke mos e ulur atë shikim zhbirues, më thotë:
– Ju faleminderit për këtë bisedë. Në qoftë se vij prapë në Kosovë do të doja t’ju takoja sërish?
– Populli shqiptar, kërkesave dhe dëshirave të miqve gjithmonë u përgjigjet me një thënie të njohur: Po, po, në qoftë se jemi shëndosh. Dhe, unë po ju them: Në qoftë se do të jem shëndosh e mirë me shumë dëshirë do të takohem sërish me Ju. E përcjell deri në dalje nga instituti. Jahirin e gjej në zyrë.
– Ai sigurisht nuk është gazetar, më thotë.
– Mund të kesh të drejtë, i përgjigjem; gazetarët e jashtëm që vijnë këtu vetëm rrallë e tek janë vetëm gazetarë.
– Ky është agjent, profesor, agjent. Sa kuptova unë ai është agjent amerikan.
– Sa mirë po të jetë siç po thua. Është fat në qoftë se CIA ka filluar të interesohet për ne.
– Se interesohet për ne është shumë e sigurt. Dhe frytet e këtij interesimi nuk do të mungojnë. Jugosllavia po shkatërrohet e Shtetet e Bashkuara të Amerikës ndoshta nuk do të jenë vetëm vëzhguese të këtij shkatërrimi.

(d.b/GazetaShqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: