Është shuar dje në orët e para të mëngjesit në moshën 76-vejçare akademiku Jorgo Bulo. Profesori gjendej në Përmet, ku një natë më parë ka marrë pjesë në një aktivitet letrar për Xhevahir Spahiun dhe Dritëro Agollin, nën emrin “Ditët naimiane”. Dje në orët e para të mëngjesit ka pasur probleme shëndetësore dhe është dërguar në spitalin rajonal. Me gjithë ndërhyrjet e mjekëve, ai nuk ka mundur t’i shpëtonte infarktit. Për humbjen e tij ka ngushëlluar bota akademike, miqtë, kolegët, e ndërsa parlamenti ka mbajtur një minutë heshtje. Kreu i Kuvendit, Ilir Meta, ka dërguar edhe një mesazh ngushëllimi për akademikun.

Bulo, që do të mbahet mend si njeri i urtë, mbante titullin Profesor Doktor dhe është autor i një sërë studimesh në fushën e letërsisë. Akademiku ka lindur në 1939 në Sheper të Gjirokastrës. Ai është një filolog i njohur. Fusha kryesore e kërkimeve të tij ishte letërsia e Rilindjes Kombëtare, por edhe çështje të tipologjisë së zhanreve letrare, veçanërisht të romanit dhe poezisë. Ai ka fituar çmimin “PENDA E ARGJENDTË” dhe çmimin “FAIK KONICA”, ndërsa mes botimeve të tij përmendim “Shpirti i fjalës”, “Fjalori Enciklopedik Shqiptar”, “Tipologjia e lirikës së Naim Frashërit”, “Kosova në vështrim enciklopedik”, “Magjia dhe magjistarët e fjalës”, “Historia e letërsisë shqiptare”, “Tradita dhe risi letrare”.

Kryesia e Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës në një telegram ngushëllimi shkruante: “Me pikëllim të thellë morëm lajmin për ndarjen nga jeta të akademik Jorgo Bulos, studiuesit të shquar të letërsisë shqipe, intelektualit dhe eruditit të pashoq, mikut tonë të devotshëm. Kontributi i akademik Bulos sidomos në ndriçimin e figurave të mëdha të Letërsisë së Rilindjes Kombëtare është padyshim nga më të vlefshmit në fushën e këtyre studimeve, ndaj konsiderojmë se humbja e tij është e pazëvendësueshme për ne dhe për shumë gjenerata të ardhshme. Me këtë rast, Kryesia e Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës ju shpreh ngushëllimet më të sinqerta dhe ju lut njëkohësisht t’ua përcillni këto ngushëllime familjes, miqve dhe të dashurve të akademik Jorgo Bulos”. Ndërkaq, më poshtë po botojmë edhe një mesazh të një prej miqve të tij, prof.Rexhep Qosjes.

Rexhep Qosja
Shkove, shumë larg shkove, miku im i shtrenjtë, Jorgo! Shkove në largësinë prej nga s’do mund të kthehesh kurrë më, miku im i shtrenjtë Jorgo!
Shkove papritmas, shumë papritmas.
Para lajmit për shkuarjen tënde mendoja se do të na bashkojnë edhe më tej të gjitha ato që na kanë bashkuar gjatë dyzet e gjashtë vjetëve të miqësisë sonë, të përkushtimeve tona të ndërsjella, të cilat nuk u luhatën nga kurrfarë tronditjesh politike e shoqërore: se do të na bashkojnë si gjithmonë letërsia shqipe, historia e letërsisë shqipe, rilindja kombëtare shqiptare, rilindësit e mëdhenj që ndërtuan vetëdijen kombëtare dhe që krijuan Shqipërinë. Shkuarja jote prandaj ishte aq më tronditëse dhe aq më pikëlluese për mua. Por, shkuarja jote në largësinë e pakthim është pikëllim i përgjithshëm. Dhe është pikëllim i përgjithshëm sepse është pikëllim jo për njeriun që sundon, por për njeriun që mendon.
Shkove miku im, Jorgo, me trupin tënd, por na le një thesar të përjetshëm: na le shkrimet tua, na le studimet tua, na le trajtesat tua, na le mendimet dhe vlerësimet tua të drejta, të qarta, të parimshme dhe të ndershme. Shkojnë përgjithmonë ata që harrohen, por ti s’mund të harrohesh se na mbetet thesari i mendjes sate me të cilin janë pasuruar përgjithmonë shkenca shqiptare dhe mendimi kombëtar shqiptar.

(m.k/GazetaShqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb