Nga: FATMIRA NIKOLLI* TIRANE-(Vijon nga numri i djeshëm) Në pjesën e dytë të intervistës së tij për “Gazeta Shqiptare”, akademiku Rexhep Qosja ndalet tek aleanca parazgjedhore Partisë Socialiste, të mbeturit jashtë saj, arsyet pse shumë shqiptarë po lënë vendin e po kërkojnë azil, Shqipërinë e 2015-ës dhe dëshpërimin e krijuar mes qytetarëve. Disi më gjatë, profesori ndalet te deklarata e kryeministrit Edi Rama për bashkim kombëtar, duke u marrë edhe me kundërshtarët e bashkimit, çfarë kujtimesh i sjellin në mendje këta dhe dallimet mes fjalës albanci e shqiptar.

Zgjedhjet po afrojnë, teksa kryeministri Rama po afron rreth vetes të djathtë si Bamir Topi e Partia për Drejtësi, Integrim e Unitet (çamët). Por, duket sikur jashtë po mbeten të majtë si Milo dhe Gjinushi. Si e shihni ju këtë aleancë?
-Aleancën, ende zyrtarisht të pakrijuar, me Partinë e Topit e të çamëve e konsideroj të dëshiruar. E djathta dhe e majta në Shqipëri, edhe në Kosovë, nuk kanë shumë dallime mes vetes. Partia Demokratike e Shqipërisë, sot për sot, po paraqitet më e majtë se partia Socialiste. Ajo po kundërshton reformat e Qeverisë, reformat e pashmangshme në qoftë se duam që Shqipëria të bëhet vërtet shtet, po kundërshton, pra, reformat e Qeverisë me një demagogji sociale, duke mbrojtur ata që vetë, kur ishte në pushtet, i shpërfillte fare: të varfrit. Nuk kam mirëkuptim, ndërkaq, për sjelljen ta quaj indiferente, për mua të papranuar të Partisë Socialiste ndaj të majtëve siç janë Paskal Milo dhe Skënder Gjinushi. Ata me dijet e tyre, me përvojën e tyre politike dhe të përgjithshme, me aftësitë e tyre mund të jenë shumë të dobishëm në aleancën e mundshme me Partinë Socialiste. Shumë të dobishëm për Shqipërinë.Udhëheqjet e Partisë Socialiste dhe të Partisë Socialiste për Integrim nuk duhet të kenë drojë prej identitetit dhe integritetit të fortë politik të Paskal Milos, Skënder Gjinushit e disa të tjerëve. Ato nuk duhet të frikësohen prej rolit të tyre politik dhe etik siç është frikësuar Partia Demokratike e Kosovës prej rolit të Adem Demaçit dhe të Rexhep Qosjes!
A keni ju kandidatura të këshillueshme mes të majtës për Tiranën, Vlorën etj. Po për të djathtën?
Nuk është punë e imja të them se cili është mirë të kandidohet në Tiranë, në Vlorë, në Durrës, në Shkodër a kudo qoftë tjerët. Jo. Çmoj shumë një varg vetjesh politike në Partinë Socialiste, në Partinë Socialiste për Integrim, në Partinë Demokratike e në disa parti të tjera, por nuk do t’i lejoja vetes të them se ata do të duhej të kandidoheshin në Tiranë a në qytete të tjera. Jo. Unë çmoj shumë aftësitë, vendosmërinë, guximin, nismat e Saimir Tahirit në një sektor fort të ndjeshëm të jetës shtetërore shqiptare, por nuk do t’i lejoja vetes të them se ai është kandidati më i mirë i Partisë Socialiste për Tiranën. Jo. Partitë vetë e dinë se kë duhet të propozojnë, megjithëse kjo dinë nuk do të thotë se nuk mund të gabojnë! Më 21 qershor Shqipëria do t’u drejtohet kutive të votimit për zgjedhjet vendore. Erjon Veliaj është zyrtarizuar kandidat i PS-së për kryetarin e Bashkisë së Tiranës. Keni një vlerësim për këtë kandidat? -Partia Socialiste e di më mirë se çdokush tjetër në Shqipëri a në Kosovë se kë dhe pse do të propozojë për kryetar të Bashkisë së Tiranës…
Intervitesn e plote e gjeni sot ne Gazeta Shqiptare ne print)

(a.n/GSH/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: