NGA OLA MITRE*

Vizitat në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” mund të prenotohen paraprakisht, pa qenë e nevojshme të paraqiteni fizikisht. Pas përurimit të Qendrës së Konsultave në këtë institucion shëndetësor, tashmë ekziston mundësia për të zgjedhur vetë ditën dhe orarin e vizitës. Megjithatë, për të gjithë ata persona që duan të bëjnë prenotimin pranë sporteleve, kjo mundësi vijon të jetë e hapur.

Praktikisht janë 4 mënyra, që mund të zgjidhen për të bërë një konsultë me mjekun specialist, për të bërë një ekzaminim, konsultën e KEMP-it apo për barnat me rimbursim. Ju mund të telefononi falas në numrin e gjelbër 08002828, nga numrat fiks të shtëpive tuaja. Ndërkohë që, ata qytetarë që dëshirojnë të bëjnë prenotimin duke telefonuar nga një numër celular, mund ta bëjnë duke telefonuar në numrin telefonik të Zyrës së Informacionit të Qendrës së Konsultave +355 42 34 92 17.

Mundësia e tretë për të rezervuar vizitën është nëpërmjet internetit, duke hyrë në adresën www.qsut.gov.al. Në të majtë të faqes ju gjeni një dritare, që lexon ‘rezervo konsultën ambulatore’. Pasi klikoni në të, ju jepet mundësia të zgjidhni llojin e shërbimit që ju nevojitet (konsultë me mjekun specialist, ekzaminim, konsultë për KEMP apo barna me rimbursim) si dhe shërbimin spitalor përkatës (kardiologji, infektiv, alergologji, nefrologji, kirurgji, urologji, neurologji, etj.). Pasi keni përcaktuar këto dy kërkesa duhet të klikoni ‘më tej’, duke iu shfaqur një kalendar, i cili ju jep mundësinë të zgjidhni datën dhe orën kur doni të kryeni vizitën.

Kalendari ju mundëson prenotimin vetëm për datat dhe oraret, që nuk janë zënë paraprakisht nga pacientë të tjerë. Më tej, programi ju kërkon që të plotësoni disa të dhëna personale si: Emri, mbiemri, gjinia, adresa e-mail, një numër kontakti, data e lindjes, vendbanimi, numri personal, që e gjeni në kartën e identitetit, emrin e mjekut referues dhe qendrën shëndetësore përkatëse. Pasi të keni plotësuar këto të dhëna, duhet të klikoni ‘më tej’ për të përfunduar prentomin e konsultës.

Në dritare ju shfaqen të dhënat që ju keni plotësuar, duke ju kërkuar t’i rikonfirmoni ato. Për të kryer konsultën e rezervuar ju keni në dispozicion 30 minuta kohë. Sistemi informon se duhet të paraqiteni 30 minuta përpara orës së rezervimit, për të kryer formalitetet administrative në Sportelet e Qendrës së Konsultave Ambulatore të QSUT si dhe të keni me vete të gjitha dokumentet mjekësore që dispononi (kartën e shëndetit, ekzami-nime radiologjike, ekzaminime laboratorike, etj, si dhe të ndiqni sistemin e referimit).

Ju nuk mund të kryeni prenotimin online vetëm në rast se keni preferenca për mjekun e konsultues. Për të zgjedhur mjekun që ju dëshironi duhet të përzgjidhni mënyrën e katërt të reze-rvimit, që është paraqitja pranë zyrës së informacionit në qendrën e konsultave të QSUT. Prenotimi mund të bëhet direkt në këtë zyrë, nga ora 10:00 – 16:00, ku operatori në këtë zyrë do t’ju ndihmojë sipas disponueshmërisë në sistemin e rezervimit.

Ajo që duhet të keni parasysh në këtë rast është fakti se mjekët kryejnë konsulta sipas një dite dhe orari të caktuar, ndërkohë që “Gazeta Shqiptare” zbardh sot të plotë kalendarin për secilin prej tyre, të cilin e gjeni bashkëngjitur shkrimit.

4 mënyrat e prenotimit të vizitës në QSUT

1- Telefonoi falas në numrin e gjelbër 08002828, nga numrat fiks
2- Prentoni nga numrat celularë në numrin telefonik të Zyrës së Informacionit të Qendrës së Konsultave +355 42 34 92 17
3- Online duke hyrë në adresën www.qsut.gov.al / rezervo konsulten ambulatore
4- Direkt në Zyrën e Informacionit pranë Qendrës së Konsultave, nga ora 10:00 – 16:00

(m.k/GazetaShqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: