NGA BEKIM SHEHU*
Deputetët e opozitës hodhën gaz lotsjellës në Parlamentin e Kosovës, në përpjekje për të penguar shqyrtimin e projektligjit për demarkacionin me Malin e Zi. Gazi lotsjellës u hodh nga një deputet i Lëvizjes Vetëvendosje në komisionin për procedim të projektligjit në kryesinë e Kuvendit të Kosovës.

Deputeti Driton Çaushi u shoqërua në polici, ndërkaq, komisioni pa prezencën e opozitës i dha dritën jeshile projektligjit për t’u proceduar më pas në parlament për miratim. Seanca e miratimit akoma nuk është caktuar. Deputetët e opozitës po kërkojnë që të anulohet marrëveshja për demarkacionin me Malin e Zi, duke pretenduar se Kosova po humbet, sipas saj, mbi tetë mijë hektarë tokë.

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje Donika Kadaj-Bujupi, e cila deri në momentin e hedhjes së gazit lotsjellës ishte pjesë e komisionit, tha se opozita do të përdorë masa edhe më radikale në mënyrë që kjo marrëveshje e demarkacionit të mos ratifikohet në parlament.

“Si Lëvizje Vetëvendosje do t’i përdorim të gjitha format. Të gjitha pa përjashtim. Edhe mënyrat jokonvencionale, në mënyrë që ta ndalim këtë tradhti, sepse ma shumë asnjëherë nuk ka pasur zëra kundër një marrëveshjeje, kundër një vendimi, kundër një ligji. Nuk guxojmë të lejojmë që ligji të vijë në Kuvend për votim”, – tha deputetja Donika Kadaj-Bujupi.

Edhe deputeti tjetër opozitar Pal Lekaj nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), tha se qeveria e Kosovës me insistimin e saj që ta ratifikojë marrëveshjen, vetëm sa po e thellon krizën politike në Kosovë.

“Po e them para jush, para deputetëve, para të gjitha mediave, se qytetarët janë shumë të shqetësuar dhe nëse kalon kjo marrëveshje, më besoni se do të fillojmë një revoltë që ndoshta askush nuk ka dëshirë ta përjetojë”, – tha deputeti Pal Lekaj.

Pas zhvillimeve në komisionin parlamentar ku u hodh gazi lotsjellës, i menjëhershëm ishte reagimi i Kryeministrit të Kosovës, Isa Mustafa, i cili në një konferencë për media u shpreh i vendosur që ta procedojë ligjin për ratifikim në kuvend. Sipas kryeministrit, deklarimet e opozitës nuk qëndrojnë ku thuhet se Kosova po humb territor. Kauza e opozitës sipas tij është e rreme.

“Kauza e opozitës, por edhe insistimi i disa gjeografëve se Kosova ka humbur territor duke përdorur lloj-lloj hartash dhe duke mos marrë parasysh realitetin mbi të cilin është shpallur pavarësia e Kosovës, konsideroj se është e rrejshme, është krejtësisht me motive politike dhe është për përfitime politike, duke shfrytëzuar edhe terminologji nacionaliste”, – tha kryeministri Isa Mustafa.

Sipas tij, manipulimi i procesit të demarkacionit nga opozita për të shantazhuar procesin si dhe etiketimi i njerëzve me termin “tradhtarë”, është i rrezikshëm dhe nxit dhunë.

Edhe ministri i Punëve të Jashtme, Enver Hoxhaj, e ka mbështetur ratifikimin e marrëveshjes së demarkacionit me Malin e Zi, duke thënë se “ratifikimi i kësaj marrëveshjeje është një hap tutje drejt rrumbullakimit të procesit të pavarësisë së Kosovës”.

“Mali i Zi, është një vend fqinj dhe mik i Kosovës dhe procesi i shënjimit të vijës kufitare nuk ka kthim pas. Demarkacioni me Malin e Zi, plotëson sovranitetin e shtetësisë së Kosovës, sepse ai kufi regjistrohet si kufi ndërkombëtar”, – tha ministri Enver Hoxhaj.

Ndërkohë, Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) që monitoron nga afër punën e Kuvendit, u bën thirrje të gjithë deputetëve dhe subjekteve politike që të ushtrojnë të drejtat e tyre parlamentare dhe të mos cenojnë të drejtën e asnjërit deputet për të ushtruar mandatin dhe përgjegjësitë kushtetuese për të cilat janë të zgjedhur.

Gjatë kohës që në Parlamentin e Kosovës ndodhnin këto zhvillime, një mjet shpërthyes u gjet në shtëpinë e kryetarit të komisionit qeveritar Murat Meha, që shënoi vijën kufitare me Malin e Zi, të kontestuar nga opozita. Policia arriti ta largojë mjetin me një shpërthim të kontrolluar. Tash për tash, sipas policisë, nuk dihen autorët.

Katër ditë më parë, me një mortajë dore u sulmua edhe Kuvendi i Kosovës, duke lënë pas dëme materiale, por pa pasoja në njerëz. Autorët e këtij sulmi ende nuk janë kapur.

Çështja e demarkacionit me Malin e Zi dhe asociacioni i komunave me shumicë serbe janë dy çështje, të cilat tash e më shumë se një vit e kanë futur Kosovën në krizë të thellë politike ndërmjet pozitës dhe opozitës. Opozita i kundërshton këto dy marrëveshje. Kosova në bazë të marrëveshjeve të arritura në Bruksel me autoritetet e Beogradit duhet ta themelojë asociacionin e komunave me shumicë serbe, ndërkaq, ratifikimi i marrëveshjes së demarkacionit me Malin e Zi është kusht i vendosur nga Komisioni i BE-së në mënyrë që qytetarët e Kosovës të lëvizin lirshëm pa viza.
* Marrë nga “Deutsche Welle”

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb