MAQEDONI- Banorët u lejuan të rikthehen në shtëpitë e tyre në lagjen e Trimave të Kumanovë, (njohur nga maqedonasit si lagjja Divo Naselje) të hënën pas luftimeve të përgjakshme të fundjavës, që la tetë policë të vdekur dhe rreth 37 të plagosur. Edhe 14 njerëz u vranë nga pala luftuese.

Ndërsa njerëzit u kthyen në shtëpitë e tyre të shkatërruara, ata gjetën pellgje gjaku në rrugë, makina të shkatërruara, karikatorë municionesh, predha dhe siguresa bombash të cilat bënë që skena t’i ngjante një zone lufte dhe që tregonin për ashpërsinë e betejës që u zhvillua në Kumanovë të shtunën dhe të dielën.

Kjo lagje, jo shumë larg nga qendra e qytetit, qe e mbushur me njerëz të hënën ndërsa banorët e pjesës tjetër erdhën për të parë shkatërrimet. Pavarësisht numrit të madh të njerëzve, heshtja dominoi, e ndërprerë vetëm nga shkrepjet e herëpashershme të aparateve fotografikë.

Disa nga banorët filluan të pastrojnë rrënojat, pronarët e disa shtëpive nuk janë rikthyer ende. Dyert e shkyera lejonin të shikohej shkatërrimi brenda shtëpive.

Pasa se njerëzit të lejoheshin të ktheheshin, policia përdori përdori kamionë për të nxjerrë nga lagjja katër mjete të blinduara të shpartalluara nga plumbat dhe të nxjerra jashtë përdorimit.

Shumë njerëz në rrugë këmbëngulën se beteja nuk do ta dëmtojë marrëdhënien mes maqedonasve dhe shqiptarëve. Shqiptarët përbëjnë rreth 37 për qind të popullsisë së qytetit – dhe rreth një të katërtën e popullsisë së Maqedonisë. Ata rikujtuan konfliktin e vitit 2001 në Maqedoni mes guerilasve shqiptarë dhe forcave të sigurisë, konflikt që nuk u shtri në luftime brenda qytetit.

Një video në YouTube tregoi shqiptarë dhe maqedonas që flisnin për fqnjinjësinë e mirë – si dhe mosbesimin ndaj versionit qeveritar të ngjarjes. Fillimisht e postuar në Facebook, kjo video tërhoqi rreth 500 mijë lexime brenda pak orësh.

Presidenti i Maqedonisë Gjorge Ivanov drejtoi të shtunën një seancë të këshillit të sigurisë kombëtare, në të cilën morën pjesë edhe udhëheqësit e opozitës morën pjesë.

Seanca nënvijëzoi se veprimet e shpejta të policisë neutralizuan disa dhjetëra njerëz që patën planifikuar sulme terroriste në të gjithë vendin me synimin e krijimit të destabilitetit.

“Veprimi policor u ndërmor në mënyrë që të parandaloheshin viktimat mes civilëve dhe kjo është arsyeja se pse pati kaq shumë viktima mes policëve,” tha Ivanov për gazetarët pas takimit.

Ivanov bëri thirrje që NATO dhe BE të zhbllokojnë integrimin e Maqedonisë duke shtuar se përjashtimi i saj nga këto organizata ka nxitur grupimet radikale në vend.

Maqedonia ka qenë kandidate për në BE që nga viti 2005 por nuk ka bërë shumë progres drejt bashkimit në BE apo në NATO për shkak të bllokadës së vendosur nga Greqia në lidhje me mosmarrëveshjet mbi emrin e këtij vendi.

Të dielën, një gjykatë në Shkup la në arrest me burg 30 njerëz që qenë pjesë e grupit të armatosur, të cilët u dorëzuan. Shumica janë akuzuar për akte terroriste.

Tetëmbëdhjetë nënshtetas të Kosovës, nëntë nënshtetas të Maqedonisë dhe një nënshtetas shqiptar me rezidencë në Gjermani si dhe dy nënshtetas maqedonas me qëndrim të përkohshëm në Kosovë janë të akuzuar, theksoi gjykata.

Më herët, policia tha se kanë arrestuar së paku tri nga pesë njerëzit e dyshuar si kryesues të grupit. Policia tha se që të gjithë qenë nënshtetas të Kosovës.

Emrat e tyre janë: Muhamed Krasniqi, i njohur si Komandant Malisheva, Mirsad Ndrecaj, i njohur si Komandant NATO, Sami Ukshini, i njohur si Komandant Sokoli, Beg Rizaj, i njohur si Komandant Begu dhe Deme Shehu, me pseudonimin Juniku.

Gjithsesi policia tha se Ndrecaj, i përmendur si i dyshuar për udhëheqës, nuk qe mes të dorëzuarve.

Operacioni policor u zhvillua në një kohë kur Maqedonia gjendet në një krizë të thellë politike të shkaktuar nga pretendimet e opozitës se kryeministri Nikola Gruevski ka urdhëruar përgjimin e paligjshëm të rreth 20 mijë njerëzve.

Disa kundërshtarë të qeverisë, përfshirë udhëheqësin e opozitës socialdemokrate Zoran Zaev, kanë ngritur dyshimet se autoritetet po përpiqen të heqin vëmendjen e publikut nga kriza – dhe nga protestat e planifikuar – duke orkestruar një kryengritje etnike.

James Ker-Lindsay, një ekspert britanik mbi Europën Juglindore në Shkollën Ekonomike të Londrës tha se koha e zhvillimit të dhunës natyrisht që ngre shumë pikëpyetje.

“Koha duket thjeshtë shumë e dyshimtë. Pyetjet po ngrihen nëse qeveria e ka orkestruar në një farë mënyre këtë në mënyrë që të heqë vëmendjen nga skandali që po ngrihet,” tha ai.

“Një këndvështrim i tillë nuk mund të hidhet poshtë thjeshtë si një teori tipike komploti ballkanike. Duke parë provat e shkeljeve të rënda të kryera nga qeveria, shumë njerëz besojnë se administrata është mëse e aftë për të sajuar një sulm terrorist në mënyrë që të qëndrojë në pushtet,” shtoi ai.

Që nga shkurti, opozita ka qenë duke publikuar biseda të përgjuara që duket se tregojnë se qeveria është përfshirë në një numër të madh shkeljesh dhe hilesh politike, përfshirë manipulimin e zgjedhjeve, abuzime me sistemin e drejtësisë dhe fshehjen e vrasjes së një të riu protestues nga një oficer policie.

Protesta të mëdha anti-qeveritare u zhvilluan gjatë javës së fundit para se të ndodhnin luftimet ndërsa në protesta morën pjesë njerëz me etni të ndryshme të cilët protestuan sëbashku.

Ndërsa vendi po mban ende zi për viktimat e dhunës në Kumanovë, protestuesit kanë vendosur që të hënën të vishen me të bardhë dhe të zezë dhe të ndezin qirinj para selisë së kryeministrisë për të shprehur trishtimin për të vrarit në Kumanovë.

Protestuesit dhe organizatat e të drejtave u ankuan se ndërsa luftimet po zhvilloheshin në Kumanovë, policia në Shkup arrestoi tetë studentë të tjerë të akuzuar për dhunë. Më herët, nëntë studentë u arrestuan për të njëjtën arsye, masë që protestuesit thonë se synon të frikësojë të gjithë lëvizjen e protestës.

Në një deklaratë të përbashkët të dielën, OSBE, BE-ja, SHBA dhe NATO thanë se ata shpresonin që luftimet në Kumanovë do të mbeten një ngjarje e izoluar.

“Ne po kuptojmë se grupi i armatosur në Kumanovë është një fenomen i izoluar. Ne besojmë fort se ai nuk duhet të lejohet të dëmtojë marrëdhëniet brenda shoqërisë,” thuhet në deklaratë.

“Ne gjithashtu shpresojmë se ky do të jetë çasti për udhëheqësit e vendit që të bashkohen dhe të angazhohen në dialog mbi të gjitha problemet që përballet vendi, përfshirë krizën e gjatë politikë dhe reformat e nevojshme,” thuhet në deklaratë.

Në Kosovë, lëvizja majtiste dhe nacionaliste opozitare Vetëvendosje i kërkoi shqiptarëve dhe maqedonasve të bashkohen në protestat anti-qeveritare në Shkup, duke thënë se kryeministri ppo drejton “terror policor kundër shqiptarëve” në këtë vend.

“Gruevski do të rrëzohet në Shkup, jo në lagjet dhe fshatrat e Kumanovës,” tha Vetëvendosje.

Opozita socialdemokrate po përgatitet për një protestë të madhe më 17 maj me synimin ppër të rrëzuar qeverinë. Reporter.al

 

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: