TIRANË- Rikthehet shfaqja “Tramvaji Dëshire” në skenën e Teatrit Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli” duke filluar nga data 14 dhe 15 tetor ora 19:00.

“Tramvaji Dëshire” e autorit Tennessee Williams vjen në skenë nën regjinë e Kiço Londo, Endri Çela, Dajana Nenaj,nën interpretimin e aktorëve Myzafer Ziflaj, Ina Gjonçi, Genci Fuga, Laura Nezha, Adriana Tolka, Elidon Alika, Kristian Koroveshi, Ermal Rodi, Xhuliano Brisku, Merita Dabulla.

Tramvaji dëshirë e Williams është e zjarrtë, e papërpunuar, e stuhishme, e dhimbshme, vazhdimisht emocionuese dhe çuditërisht prekëse përgjatë studimit të depresionit që kalon një grua.

Çfarë duhet të dimë për “Tramvaji Dëshirë”?
Ai, është një burrë i fortë dhe i zgjuar, emigrant në Amerikë, me një krenari të përdhosur, në një shoqëri që vazhdimisht ndryshon.

Ajo, është një grua simpatike, e cila lejon që megalomania e saj ta shkatërroj atë, por pas vështrimit krenar të saj, fshihet një viktimë e lehtë, e torturuar nga dashuria, humbjet, jeta e rreme, shpresat dhe vetë jeta.Takimi i Stenli Kovalskit me Blansh Dy Bua, dy karaktere legjendare të dramaturgjisë botërore, rezulton të jetë fatal.

Dy protagonistët kryesor në kryeveprën e Tennssee Williams, na vërtetojnë se refuzimi i realitetit, dëshira për t’u rikthyer tek e pafajshmja dhe arratisja drejt një bote imagjinare, janë mendime dhe dëshira bashkëkohore të cilat shprehin veçanërisht njeriun e kohëve moderne.

Lëvizjet, mënyra sesi repertori i TKEKS gjarpëron, rrëshket brenda dhe jashtë kohës dhe brenda ndërgjegjes tonë ka arritur në shfaqjen e “Tramvajit”… të kombinoj realizmin me ekzaltimin poetik duke sjellë në skenë një tjetër prej kuarteteve protagonist më të fuqishme të stinës teatrore.

Aktorët në këtë shfaqje, gjallërojnë një histori sa te egër aq edhe të ndjeshme, sa të zgjuar aq edhe tragjike, sa komplekse aq edhe të thjeshtë, me dozën e duhur të butësisë dhe tensionit. “Tramvaji Dëshirë” dëshmon poezinë e Teatrit Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli”.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb