* Autoret e kane braktisur dhe djegur automjetin tek Ura e Tapizes
* Parate do të eksportoheshin jashtë Shqipërisë nga kompani që operojnë në sektorin bankar
* Grabitesit prenë menteshat e portës së jashtme që ndodhet nga krahu i rrugës Rinas – Fushë Krujë

TIRANË– Një grabitje spektakolare me armë ka ndodhur sot në ambientet e brendshme te aeroportit te Rinasit. Në pistën e avionëve, 3 persona të armatosur me armë zjarri e të maskuar kane grabitur thasë me para që po transportoheshin me automjet drejt një avioni që do të nisej drejt Vjenës, Austri.

Gazetarja Doriana Bezat tha se grabitja spektakolare ndodhi rreth orës 14:40 në zonën kargo ku bëhet zhdoganimi i mallrave para se të futen në avionë. 3 persona të armatosur e të maskuar kanë arritur të hyjnë në rrethimin e brendshëm të aeroportit, pasi prenë menteshat e portës së jashtme që ndodhet nga krahu i rrugës Rinas- Fushë Krujë.

Pas kësaj kanë arritur të grabisin shumat e parave në disa miliona euro të një banke të nivelit të dytë që operon në Shqipëri, që po transferoheshin me mjetin e Kompanisë së Sigurisë Fizike “Nazeri 2000” drejt avionit që kryente fluturimin e radhës.

Pasi kanë marrë paratë, autorët janë larguar lehtësisht, ndërsa pak minuta më vonë policia ka gjetur të djegur mjetin tip “Benz” 190, që dyshohet se u përdor nga ata gjatë grabitjes.

Ky mjet rezulton i vjedhur pak ditë më parë në Pogradec. Rrethimi i jashtëm i aeroportit, saktëson policia, sigurohet nga shërbimi i sigurisë së kompanisë private që menaxhon aeroportin.  Aktualisht policia e shtetit po vijon operacionin për gjetjen e autorëve, ndërsa është vënë në dispozicion edhe një helikopter që po patrullon nga ajri.

Në vendin ku u gjet makina e djegur mbërriti edhe Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Haki Çako si edhe drejtues të lartë të policisë së shtetit dhe policisë së Tiranës.

Nga ana tjetër forcat RENEA po ushtrojnë kontrolle në akset rrugore dhe zonat përreth në kërkim të gjurmëve të autorëve. Postblloqe të ndryshme janë ngritur nga pika të ndryshme të aksit Tiranë-Krujë.

Grabitja dyshohet të jetë e studiuar, pasi autorët dinin më saktësi orarin kur do të vinin paratë si edhe pikën më të dobët të rrethimit të aeroportit. Gjithë dinamika e grabitjes është fiksuar nga kamerat e aeroportit. Masat shtesë të sigurisë që janë marrë nga policia për të parandaluar sulmet terroriste nuk mundën të parandalonin grabitjen e miliona eurove. Kjo është grabitja e tretë e këtij niveli që ndodh brenda një harku kohor prej 18 muajsh.

NGJARJA SIPAS POLICISE
Policia e Tiranës është njoftuar se rreth orës 14:45 në sheshin e brendshëm të fluturimeve të aeroportit “Nënë Tereza” ka ndodhur një grabitje me armë.
Menjëherë janë angazhuar shërbimet policore në aeroport dhe forca shtesë nga Drejtoria Vendore e Kufirit.
Nisur nga informacioni paraprak, raportohet se është grabitur nje sasi monetare, qe po transferoheshin me mjetet e SHPSF “Nazeri 2000”, nga
Dyshohet se autorë të grabitjes janë të paktën 3 persona.
Ata hynë në rrethimin e brendshëm të aeroportit, pasi prenë menteshat e portës së jashtme që ndodhet nga krahu i rrugës Rinas – Fushë Krujë.
Rrethimi i jashtëm sigurohet nga sherbimi i sigurise se kompanise private qe menaxhon aeroportin.
Pasi kanë marrë sasinë e valutës, autorët janë larguar me shpejtësi.
Gjatë ndjekjes së autorëve policia ka gjetur të djegur mjetin tip “Benz”, që dyshohet se u përdor nga autorët.
Policia e Shtetit po vijon ndjekjen e tyre, me forca të shumta dhe nga ajri me helikopter.
Forcat RENEA po ushtrojnë kontrolle në akset rrugore dhe zonat ku dyshohet se strehohen autorët.
Vazhdojnë intensivisht kërkimet dhe hetimet për zbulimin dhe kapjen e autorëve dhe zbardhjen e ngjarjes.

Video ilustruese sesi transportohen parate ne pisten e aeroportit dhe futen ne avion

(d.b/m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: