NGA: Valentina Madani

Enno Bozdo, Sekretari Organizativ i PD-së, e sheh si shqetësuese situatën brenda PD-së pas humbjes së thellë të 25 qershorit, por jo të pariparueshme. Z. Bozdo përmes “Gazeta Shqiptare” shpreh besimin se PD-ja do të ringrihet shumë shpejt dhe se do të rikthehet në ditët e saj më të mira. Por ai këshillon liderin Lulzim Basha që të nxjerrë nga stoli rezervë më të aftët, t’i nxjerrë në vijën e parë të përballjes. Sipas tij, PD-së nuk i duhen kacavjerrësit dhe klounët, por njerëzit me integritet të lartë shoqëror, profesional dhe karakterial. “Dhe këta njerëz PD-ka i ka. Madje jo pak. Dhe nuk e ka më luksin t’i mbajë në stolin rezervë. Jo më! Tashmë duhet t’i nxjerrë në vijë të parë të përballjes”, shprehet z. Bozdo.

Bozdo, si e konsideroni raportin përfundimtar të ministrave teknikë për zgjedhjet e 25 qershorit?

Ashtu siç edhe pritej. Një dokument real dhe faktues se zgjedhjet ishin shumë larg të qenit të drejta dhe të ndershme dhe se vullneti i zgjedhësve është transformuar. Për të freskuar kujtesën e lexuesit, më duhet të përmend se Raporti i OSBE/ODIHR-it arriti ekzaktësisht në të njëjtin përfundim. Këto zgjedhje janë zgjedhjet më të manipuluara në historinë e pluralizmit shqiptar. Nëse zgjedhjet e vitit 1997 mbajnë rekordin e vjedhjes në tavolinë (atje ku u zhvilluan), 20 vite më vonë kemi zgjedhje ku manipulimi me të gjitha format arriti në pikën kulminante të tij. Situatë shumë dramatike nëse e konsideron brenda kontekstit historik. Tutje rezultatit në zgjedhje, PD-ja ka detyrimin përpara shqiptarëve të shpjegojë me hollësi sesi zgjedhjet u manipuluan dhe përse Edi Rama është përgjegjës. Në fakt, kjo gjë duhej bërë sistematikisht gjatë fushatës elektorale. Mund dhe duhej bërë përgjatë javëve që pasuan zgjedhjet. Mund dhe duhet bërë edhe tani. Shpresoj që kjo të ndodhë së shpejti, sa pa u mbyllur përfundimisht ky kapitull, pavarësisht buzëqeshjes së Edi Ramës!

Si mund të vidhen votat kur PD-ja për t’i mbrojtur ato, vendosi ministrat e saj teknikë?

Asnjë ministër, aq më tepër teknik, nuk mund të mbrojë vota kur ekziston vullneti madhor për të blerë dhe manipuluar votat, nga një aparat kompakt shtetëror, në aleancë të dukshme me krimin e organizuar, mbështetur me burime thuajse të pakufishme fi nanciare. Ministrat teknikë (siç edhe vetë emërimi i tyre tregon), ishin aty për të mundësuar, brenda mundë- sive që pozicioni dhe rrethanat ofrojnë, standarde për zgjedhje të lira dhe të ndershme. Për të kuptuar rolin e tyre më duhet t’ju kujtoj se, në qoftë se nuk do të ishin këta ministra, atëherë edhe disa standarde të pakta të arritura, nuk do të mundë- soheshin. Është e kotë të merresh me performancën e ministrave teknikë kur qeveria ishte e përbetuar për t’i manipuluar zgjedhjet. Kjo është njësoj sikur të fajësosh dëshmitarin e krimit dhe jo kriminelin përgjegjës për krimin. Të paktën dëshmitari i ra bilbilit, dhe ndërkombëtarët i besuan atij.

As marrëveshja ‘Rama-Basha’ nuk e mbrojti dot votën e 25 qershorit. Sipas jush, për cilat arsye?

Asnjë marrëveshje nuk do të mund ta mbronte dot blerjen e zgjedhjeve, kur vullneti nuk ekziston. Kush e ka besuar këtë, është thjesht naiv. Edhe ju që pyesni, e dini se kjo do të ishte e pamundur. Nuk mund të mbrohesh me marrëveshje ndaj një kundërshtar i cili kishte minimalisht 9 muaj që kishte ngrehur si çark një aparat të tërë të blerjes së votës, të presionit ekonomik ndaj votuesit, të frikësimit, madje edhe fizik, të kundërshtarit politik. Brenda kushteve ku u ndërtua marrëveshja, njëra palë e saj, PD-ja, u mundua në maksimum të realizonte zgjedhje të lira dhe të ndershme. Për hir të stabilitetit të vendit PD-ja hyri në zgjedhje. Pala tjetër, PS-ja, “gëlltiti” çdo premtim dhe fjalë të thënë në marrëveshje. Mendimi im personal është që, në çdo rrethanë PD-ja nuk mund t’i bojkotonte zgjedhjet. Por tjetër është të përpiqesh dhe tjetër është të besosh se marrëveshja do të ishte zgjidhja përfundimtare kundër blerjes dhe manipulimit të votës. Janë dy gjëra thellësisht të ndryshme.

Intervisten e plote mund ta lexoni ne GSH.al: http://www.gsh.al/2017/08/24/ringritja-bozdo-pd-me-njerez-te-afte-jo-kacavjerres-dhe-kloune-kerkohet-analize-e-ndershme-dhe-gjakftohte-per-humbjen/

 

 

 

 

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: