TIRANË- Lëvizja Socialiste për Integrim nis nga sot riorganizimin e strukturave të saj pas zgjedhjeve të 25 qershorit. Në mbledhjen e kryesisë së LSI-së, kryetarja e saj Monika Kryemadhi tha se riorganizimi do të nisë me analizimin e rezultateve në çdo qark. Ajo tha se LSI kaloi me sukses një sprovë, atë të 25 qershorit ku u targetua në mënyrë kriminale për t’i dhënë pushtet të plotë oligarkisë dhe malavitës në institucione.

“Menduam që sot të mbledhim Kryesinë e madhe duke pasur parasysh që kemi nisur një sezon të ri politik me rastin e konstituimit të Kuvendit të ri më datën 9 shtator, i cili nis edhe filimin e legjislaturës së re për 4 vitet në vijim. Është detyra e kësaj kryesie për të udhëhequr dhe angazhuar të gjitha forumet drejtuese të LSI-së në të gjithë vendin dhe për të përmbushur me sukses rolin e LSI-së si një forcë opozitare në një moment mjaft kritik për demokracinë dhe të drejtat e qytetarëve. Është detyra dhe përgjegjësia jonë që t’i japim një dimension të ri veprimit dhe mendimit opozitar në vend dhe ne tashmë i kemi të gjitha mundësitë për ta bërë më së miri këtë punë. Sot LSI është më e fortë se asnjëherë pasi kaloi me sukses një sprovë të jashtëzakonshme të 25 qershorit ku ajo u targetua në mënyrë jo demokratike dhe kriminale për t’i dhënë pushtet të plotë oligarkisë dhe malavitës deri në kapjen e çdo qelize të institucioneve të shtetit. LSI edhe pse konkurroi e vetme dhe u sulmua pacipësisht dhe pabesisht nga forcat e së keqes, ajo tregoi qëndrueshmëri, rritje dhe vitalitet”, theksoi Kryemadhi.

Ajo deklaroi më tej se LSI ka sot mundësitë të jetë një opozitë profesionale dhe luftarake përballë maxhorancës që sipas saj është pakicë.

“Dhe sot ne kemi një grup parlamentar jo vetëm më të madh në numër por dhe shumë më cilësor edhe më të ri me të gjitha potencialet për të qenë një opozitë tepër përfaqësuese, profesionale por dhe luftarake dhe me integritet përballë një pseudomaxhorance të dalë nga zgjedhjet e 25 qershorit që në të vërtetë është pakica e shqiptarëve dhe jo shumica. Maxhorancë e cila del nga zgjedhje që janë më të deformuarat që nga zgjedhjet e 26 majit 1996. Në Kuvendin e ri në kemi një përgjegjësi shumë më të madhe se sa mund të mendojë dikush sepse ne nuk jemi më përfaqësues të pakicës por përfaqësues të shumicës së shqiptarëve. Ne jo vetëm do të jemi zëri i tyre në Kuvend por do t’i bashkohemi halleve, shqetësimeve dhe protestave të kësaj shumice kudo në të gjithë vendin. Ndaj dhe në këtë mbledhje nisim procesimin e riorganizimit të LSI-së në të gjitha strukturat e saj, të LGI-së dhe LRI-së për realizimin me sukses të misionit tonë opozitar në interes të vendit, demokracisë dhe qytetarëve”, tha ajo.

Kryemadhi u shpreh se ky proces do të shoqërohet me hapjen ndaj cilido që kërkon të përfshihet në këtë aksion që synon zgjimin e shumicës dhe shqiptarëve. “Ky proces do të shoqërohet me hapjen ndaj cilitdo që kërkon të përfshihet dhe të kontribuojë në këtë aksion që synon zgjimin dhe bashkimin e shumicës së shqiptarëve për të vendosur sovranitetin e tyre mbi qeverisjen dhe institucionet. Do ta fillojmë riorganizmin me analizat e rezultateve për çdo qark dhe njësi vendore dhe për të forcuar punën e strukturave tona”, paralajmëroi Kryetarja e LSI-së.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb