“Elbasan Arena” do të presë sot finalen e Kupës së Shqipërisë mes Skënderbeut dhe Laçit, që do të luhet në orën 19:00. Skuadra fituese do të ketë privilegjin që trofeun t’ua dorëzojë Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta.

Burime të besueshme të “Panorama Sport” konfirmojnë se do të jetë pikërisht kreu i shtetit ai që do ta japë këtë trofe, i dyti për nga rëndësia në vend, pas kampionatit.

Meta njihet si një nga politikanët që e ndjek futbollin, por zakonisht e sheh në stadium në sfidat e Kombëtares dhe në ndonjë finale si kjo e sotmja. Ndërkohë, përgatitjet në stadiumin “Elbasan Arena” për këtë finale kanë kohë që kanë nisur dhe pritet që fusha të ketë një dekor disi më të veçantë në krahasim me ndeshjet e tjera.

Tapeti duket në një gjendje shumë të mirë, ku do t’u japë mundësi skuadrave që të shpalosin futbollin e tyre. Gjithsesi, ajo që është vënë re gjatë këtyre ditëve në Elbasan është indiferenca për t’u pajisur me një biletë dhe pritet që në stadium të mos ketë shumë tifozë.

Gjithsesi, shpresohet që gjatë ditës së sotme të rritet interesimi në qytetin e Elbasanit, për të qenë sa më shumë tifozë të Skënderbeut dhe Laçit.

Burimi: http://www.panorama.com.al/sport/risia-me-kupen-e-shqiperise-trofeun-e-jep-presidenti-ilir-meta/

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb