Aktori Mirush Kabashi ka rrëfyer sotdetaje nga jeta e tij dhe nga karriera. Aktori i madh ishte sot i ftuar në emisionin pasdites “Rudina”, në Tv Klan, ku i pyetur nga moderatorja ai ka kujtuar edhe fillimet e tij në kinematografi.

Ai tha se 4 vite pasi kishte qenë prezent në aktrim për shkak të diktaturës së asaj kohe është detyruar të punojë në ndërmarrjen e hekurudhave. Sipas Kabashit shkak ishin problemet biografike pasi babai i tij dhe një dajë kishin mbaruar shkollë amerikane dhe konsideroheshin si spiunë.

“Mjeshtri i Madh”, Mirush Kabashi foli edhe për lirinë e aktorëve. Sipas Kabashit ndryshe nga komunizmi sot ka një formë tjetër që nuk i lejon aktorët të flasin, ligji për teatrin.

“Nëse dikur aktorët gjenin një mënyrë për t’i thënë gjërat për shkak të regjimit, sot ka një formë tjetër që nuk i lejon ata të flasin, ligji për teatrin, nuk i lejon akoma të jenë të lirë dhe të pavarur. Drejtorët e institucioneve caktohen nga kryeministri ndërsa bordin e cakton ministri. Atëherë si mundet që këto persona që janë vendosur nga politika të lejojnë artin të jetë në dinjitetin e tij? Dinjiteti i artit është oponenca dhe nuk mund të jetë konjektural”, tha Kabashi.

Kabashi kujtoi vitin 1992 kur shqiptarët u çuan për të ndryshuar Shqipërinë, por sipas tij ngjarjet që po ndodhin po venë në dyshim nëse do ta kemi këtë të ardheme apo jo ndaj edhe bëri thirrje për të marrë përgjegjësi.

“Në ’92 u çuan të gjithë shqiptarët pavarsisht se disa prej tyre ishin në shërbim si sot dhe donin që Shqipëria të ndryshonte. Por ajo ëndërr filloi të përsëritej dhe ngjarjet që po ndodhin po na venë dyshim nëse do ta kemi këtë të ardhme apo jo. Ngjarjet tregojnë se kemi nevojë të zgjohemi dhe të marrim përgjegjësi”, shtoi më tej aktori.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: