NGA: AURORA KOROMANI*

SHKODER- 20-vjeçari Sokol Mjacaj është zbuluar nga një telefon. Përveç gjurmëve të shumta që ai la në vendin e vrasjes së çiftit çek, i dyshuari ka marrë një celular të njërit prej viktimave dhe ia ka shitur një djali në një lokal pranë fshatit Prekal. Burime të prokurorisë pohuan për “Gazetën Shqiptare” se grupi hetimor ka lokalizuar celularin e vjedhur dhe ka gjetur blerësin.

Njeriu që ia bleu Mjacajt telefonin e çekëve është marrë në pyetje dhe ka pohuar se ishte pikërisht 20- vjeçari i dyshuar për krimin, që ia ka shitur atij celularin. Prokuroria gjithashtu pretendon se, fakti që këta dy persona janë takuar, provohet edhe nga kamerat e lokalit. Kështu, dy provat kryesore që ka grupi hetimor janë gjurmët e gishtave dhe celulari i vjedhur.

DESHMIA NE POLICI
20-vjeçari Sokol Mjacaj ka pranuar para hetuesve autorësinë e vrasjes së çiftit çek gjatë mbrëmjes së të premtes. I riu i arrestuar ditën e djeshme nga forcat RENEA ka shpjeguar para hetuesve të gjitha detajet e ngjarjes, ku humbën jetën 27-vjeçari Michael Svatos dhe 36-vjeçarja Anna Kasinova. Mjacaj u ka thënë hetuesve se ka hipur në makinë nën kërcënimin e armës dhe se i ka qëlluar dy çekët sepse tentuan t’i merrnin automatikun. 20-vjeçari u arrestua në një banesë dykatëshe, ku mendohet se kishte kaluar natën pas ngjarjes, ndërsa mësohet se gjatë arrestimit ka kërkuar vetëm garanci për jetën, por nuk ka kundërshtuar forcat policore.

DËSHMIA E PLOTË PARA HETUESVE
Sokol, pse i qëllove dy turistët çekë? Unë doja vetëm t’u merrja makinën, nuk doja që t’i vrisja. Si hipe në makinën e turistëve? Në makinën e dy çekëve hipa në fshatin Lotaj. Pasi pashë makinën e tyre, dola në rrugë dhe nën kërcënimin e automatikut hipa në makinë. Udhëtova me ata të dy deri në fshatin Prekal dhe aty i qëllova në kokë.
Përse i qëllove, kur kishe në plan vetëm të merrje makinën?
Unë nuk doja t’i vrisja, por më doli situata jashtë kontrollit. Gjatë rrugës u thashë dy çekëve që të ndalonin makinën dhe ata të dy të zbrisnin, sepse nuk doja t’u bëja gjë, por çeku tentoi të më merrte automatikun dhe aty e qëllova dy herë në kokë. Më pas qëllova vajzën në kokë. Pas kësaj, doja vetëm të ikja dhe u largova nga vendi i ngjarjes.
Kush të ndihmoi për t’u larguar nga vendi i ngjarjes?
Nuk më ndihmoi asnjë person, të gjithë planin e kam bërë vetë. Pasi pashë që kisha qëlluar dy çekët, u largova në këmbë, doja vetëm të ikja. Gjysmën e rrugës e kam bërë në këmbë dhe gjysmën me motor, i cili drejtohej nga një person që nuk e njihja. Ai doli rastësisht në rrugë dhe unë e detyrova të më çonte atje ku doja dhe pastaj e lashë të ikte. Te shtëpia që u strehova, kalova natën.

Mjacaj, i dënuar 5 vjet për vrasjen e 13-vjeçarit, u lirua para një muaji
Sipas policisë së Shkodrës, 20-vjeçari Sokol Mjacaj njihej si person me precedent penal dhe paraqiste rrezikshmëri të lartë kriminale. Në shtator të 2010-ës, Sokol Mjacaj është arrestuar nga Policia e Shkodrës për përfshirjen e tij në vrasjen e 13-vjeçarit Agim Lera.

Ngjarja e rëndë ka ndodhur në fshatin Pjollë të komunës Shalë dhe në masakrimin e fëmijës ishin përfshirë edhe dy vëllezërit, Besnik dhe Edmond Kodra. Në gjykatën e shkallës së parë, Besnik Kodra është dënuar me burgim të përjetshëm, ndërsa vëllai i tij Edmond Kodraj me 11 vite burg dhe Sokol Mjacaj me 10 vite burg për veprën penale të “vrasjes në bashkëpunim”. Çështja më pas i kaloi Gjykatës së Apelit, Shkodër. Gjatë seancave në shkallën e parë, Sokol Mjacaj ka qenë personi që ka dëshmuar në lidhje me vendndodhjen e trupit të pajetë të 13-vjeçarit në ujërat e lumit Shalë, pranë Grykës së Ndërshejit. Mjacaj gjithashtu ka dhënë detaje edhe për mënyrën se si dy vëllezërit Kodra kanë kryer vrasjen makabër, duke torturuar dhe keqtrajtuar 13-vjeçarin Lera derisa i kanë shkaktuar vdekjen.

Në dëshmitë e dhëna atëkohë, Mjacaj kishte thënë në prani të psikologut se Edmond Kodra, me të cilin ishin edhe shokë, i kishte kërkuar që të thërriste viktimën Agim Lera dhe ta çonte te vendi ku ndodhi krimi. Sipas hetuesve, vëllezërit Kodra e ekzekutuan fëmijën pasi ai nuk pranonte t’iu jepte varësen e floririt që mbante në qafë. Sipas Mjacajt, kanë qenë dy vëllezërit që e kanë qëlluar me grushte, më pas e kanë përplasur te gurët dhe i kanë vendosur këmbën mbi kokë 13-vjeçarit, derisa e kanë mbytur. Më pas e kanë hedhur te lumi. Sipas prokurorisë, viktima Agim Leraj është gjetur te vendi që ka treguar Mjacaj, në lumin e Shalës, në vendin e quajtur Gryka e Ndërshejit. Po sipas prokurorisë, viktima ka pasur shenja dhune në trup dhe vdekja i ka ardhur prej tyre. Më pas është hedhur në ujë. Kufoma është gjendur e hedhur përmbys në lumin e Shalës, brenda në ujë, ku gjerësia është 2.5 m dhe thellësia 12 cm. Ndërsa pak më tej, te një shkurre janë gjetur gjurmë gjaku dhe një këpucë e majtë, që kanë rezultuar të jenë të viktimës, dhe disa degë shkurresh të thyera. Gjykata e Apelit Shkodër e ka dënuar përfundimisht me 5 vite burg, ku doli vetëm përpara një muaji.

(ed.me/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: