TIRANE-Arbër Bako, 31- vjeçari nga Kuçova, është bërë protagonisti kryesor i mediave në Greqi për shkak të ngjarjeve ku është përfshirë.

Ai akuzohet se plagosi 15 veta në një lokal një javë më parë, por dyshohet se ka qëlluar për vdekje një klient në një bar të Athinës muajin e shkuar. Policia e ka marrë në pyetje dhe i riu shqiptar ka treguar për herë të parë çfarë ka ndodhur me vitet e qëndrimit të tij në Greqi. Vetë Bako e ka përjashtuar veten nga vrasja, ndërsa thotë se plagosi 15 të tjerë në gjendje të dehur. “Në Greqi erdha për herë të parë në vitin 1997 dhe prej atëherë veja e vija nga Shqipëria. Në vitin 2009 më kapi policia në Mitilini për vjedhje banesash. U dënova 7 vjet e gjysmë burgim dhe ndenja brenda 6 vjet. Dola nga Malandrino sivjet në gusht. Duhet të paraqitesha dy herë në muaj në Policinë e Hanias, por ishte larg se jetoja në Athinë dhe para nuk kisha. Për këtë arsye nuk u ktheva më”, ka nisur rrëfimin 31-vjeçari. Ai ka treguar për disa persona me të cilët krijoi shoqëri, të cilët i ka identifikuar si grabitës dhe më pas autorët e vrasjes. “Shoqëri bëja me disa çuna nga Shqipëria, Oltin, Klodin dhe një polak që quhet Kuba. Olti me Klodin shkonin në metro dhe vidhnin portofola, dhe nga paratë që nxirrnin, më jepnin dhe mua”, thotë Bako. Në një rast ai tregon se ka qenë duke pirë në një lokal në “Mixalopopulou”. “Në bar qëndronte një vajzë që më pëlqeu dhe i thashë kamerierit të ma sillte në tavolinë. Ai më tha: “Shko merre vetë”. Kjo ndodhi dytri herë. I thosha të ma sillte dhe ai nuk e bënte. U nervozova, nxora një pistoletë që e kisha në çantë dhe qëllova dy herë”.

Ky është rasti i parë kur Bako rezulton të ketë qëlluar me armë në një lokal. Po atë natë ndodh vrasja e një shtetasi grek në një lokal në lagjen “Agio Pavlo”. “U takova me Oltin dhe më tha për një sherr që kishte ndodhur dhe e kishin rrahu. Pas drurit që hëngri mori në telefon Klodin dhe Kubën. Pas 20 minutash ata shkuan me një Ford që e kishin marrë me qira dhe qëlluan me Kallashnikov lokalin. Olti qëlloi dhe brenda në makinë ishte shofer Klodi, ndërkohë ishte dhe Kuba. Nuk e mbaj mend mirë. Nga televizori mora vesh që atë natë ishte vrarë një grek brenda në lokal. Rastësisht e hëngri plumbin”. Gjatë tregimit, Arbër Bako ka lënë dyshimet se bashkë me personat e tjerë ndërhynin për të zgjidhur konfliktet me armë.

“Një shoku im më tha se ishte zënë me një shqiptar para 10 vitesh. Më mori në telefon dhe më tha që ai që ishte zënë ndodhej në një kafene në Filis. Unë, Olti dhe Kuba shkuam te kafeneja. Lamë makinën në një cep dhe Olti doli me Kallashnikovin që kishim qëlluar dhe herët e tjera. Shkoi para lokalit dhe nisi të qëllonte. U larguam, lamë makinën në një mal dhe u takuam më vonë në sheshin ‘Koliatsou’”. Në këtë rast nuk shënohen viktima. Të plagosurit e radhës regjistrohen mbrëmjen e 22 nëntorit. Sipas rrëfimit të shqiptarit, ai kishte zbritur sërish në një bar, ku kishte pirë alkool. Duke mos dhënë asnjë arsye, por thjesht duke u mbrojtur me faktin se ishte i dehur, Bako me të njëjtën armë që është përdorur në ngjarje të tjera qëlloi mbi klientët. “Isha çmendur. Nuk mbaj mend asgjë. Di që ika me vrap dhe hipa në një taksi”.

Deri në momentin e arrestimit ai ka qëndruar i fshehur te banesa e një të njohuri.

(d.b/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb