TIRANE- Aktorja shqiptare Egla Ceno, e cila ka luajtur role të shumta në teatër, një nga të cilët edhe tek shfaqja “Burri dhe gruaja” me aktorin Elvis Pupa ka rrëfyer për jetën dhe karrierën e saj. Në një intervistë për supershendeti.com, aktorja ka treguar edhe një pjesë nga fëmijëria e saj e vështirë, ku i është dashur të flejë në teatër, pasi nuk kishin shtëpi.

“Teatri për mua është shtëpi, në kuptimin e vërtetë të fjalës. Nuk është metaforë dhe nuk ka të bëjë me sentimentalizma. Kur isha në kopsht, rrethanat e jetës e sollën që prindërit e mi të strehoheshin në Teatër. Im atë ishte kineoperator. Kemi fjetur në një dhomë grimi për disa muaj (gati një vit ndoshta). Për të shkuar në kopsht kaloja nga skena. Për t’u kthyer në shtrat, kaloja nga salla, skena, pas-kuintat… Debutimi im ka qenë në po atë skenë ku flija, kur isha 7-8 vjeç, si prezantuese e festivaleve për fëmijë, që bëheshin nga qendrat kulturore në atë kohë. Kur shihja publikun e ulur përballë, më dukej sikur shumë njerëz kishin ardhur për vizitë në shtëpinë time. Në çdo Teatër, që punoj si aktore apo ulem si publik, gjëja e parë instiktive që bëj është t’i marr erë, për të ndier erën e shtëpisë. Kjo është lidhja ime me Teatrin”- tha aktroja Egla Ceno.

(d.d/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: