Emigrantët e paligjshëm që hyjnë në Britaninë e Madhe, janë të detyruar që të merren me krime për të siguruar para kesh. Ky është shqetësimi që ka ngritur një gjyqtar britanik i cili, i ka rënë çekiçit dhe ka dënuar me burg shqiptarin e dytë vetëm brenda pak ditësh, i akuzuar për kultivim kanabisi. “Emigrantët e paligjshëm që vijnë në Britani të Madhe mbi kurrizin e kamionëve nuk kanë zgjidhje, por vetëm të përdorin krimin për të siguruar para kesh”,­ tha Robin Onions pasi ka dënuar me burg shqiptarin Ermir Bezati në Gjykatën Shrewsbury Crown.

Bezati u gjet nga policia në një operacion të madh kundër kultivimit të kanabisit, në një shtëpi në Doddington, Hollinswood, Telford, në qershor të këtij viti. Sipas mediave britanike, Bezati, 27­ vjeç, i cili nuk flet anglisht, kishte vetëm disa muaj që kishte hyrë ilegalisht në vend. Ai ishte paguar me 300 £ në javë plus ushqim për të jetuar në shtëpinë ku duhet të kujdesej për 243 bimë kanabis. Por ai u arrestua pasi oficerët bastisën pronën. Gjyqtari Robin Onions tha se evropiano lindorët ikin nga atdheu i tyre me shpresën për të siguruar punë, por e vetmja mundësi që ata gjejnë është puna e lidhur me vepra kriminale.

Bezati pranoi krimin dhe u burgos për dy vjet, teksa gjyqtari Onions e paralajmëroi se ai do të deportohetpërsëri në Shqipëri menjëherë pasi të lirohet.

Gjykatësi iu drejtua shqiptarit: “Ti erdhe në këtë vend në mënyrë të paligjshme në pjesën e prapme të një kamioni. Ti kishte menduar se do të gjeje një vend për të punuar në këtë vend. Por fakti është se emigrantët e paligjshëm nuk mund të punojnë në mënyrë të ligjshme, as nuk kanë të drejtë për asnjë përfitim tjetër apo strehim. Ata pra, duhet të mbështeteten në ekonominë e zezë, dhe të gjithë shumë shpesh detyrohen të kryejnë vepra penale. Ti je i dyti shqiptar në dy ditë që më është dashur të dënoj për kryerjen e kësaj vepre. Rasti juaj ka ngjashmëri shumë të forta me rastin e mëparshëm. Ti ke ardhur në një zonë që nuk e njeh, ke siguruar një shtëpi dhe je kujdesur për kanabisin dhe ju kanë dhënë paratë në dorë. Unë e pranoj që ti ishe në fund të zinxhirit të furnizimit të drogës, por megjithatë ti ke luajtur një rol të vlefshëm”.

(m.k/BalkanWeb)

 

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: