Sindrit Guri është kthyer në “shpëtimtarin” e Kukësit. Golat e tij kualifikuan verilindorët në gjysmëfinalen e kupës dhe i dhanë një trepikësh të artë ndaj Partizanit në kampionat. Në një intervistë të dhënë për “Panorama Sport”, 24-vjeçari vjen në një rrëfim ndryshe.

Ai ndihet gati për të marrë peshën e sulmin, ndërsa me shumë modesti e pranon se Pejiç është një shembull për të. Nuk ngurron që të flasë për Kombëtaren, por as për objektivat.

Përmbysët i vetëm Partizanin, e priste Sindriti atë dygolësh?
E dinim që do ishte e vështirë, por duke parë mënyrën sesi e pësuam golin dhe si po luanim, na motivoi për përmbysjen dhe fatmirësisht ia dolëm. Jam shumë i lumtur që arritëm të fitonim në këtë transfertë të rëndësishme, jemi një ekip që luajmë futboll. Në një- farë mënyre, i kthyem reston e fazës së parë, kur edhe ata fituan me përmbysje.

Mos ndoshta e nënvlerësuat pak kundërshtarin prej mungesave?
Jo. Trajneri na porositi për këtë gjë, ndaj e dinim ç’na priste. Nuk u befasuam, i kishim paraprirë.

Një gol në 20 nëntor dhe dy gola të hënën, është Guri “ndëshkuesi” i madh i të kuqve?
Nuk mund ta them këtë, por do mundohem të shënoj sa më shumë, këto gola shijojnë më tepër kundër ekipeve që janë dhe me pretendime.

I prisje golat dhe sa i kënaqur je?
Unë jam sulmues, e pa dyshim që prisja të shënoja. Jam shumë i kënaqur për veten, po ashtu dhe për ekipin se e dëshironim këtë fitore.
GURI-470x312
Ke premtuar 15 gola në kampionat, ju duhen dhe 8 që t’ia dilni…
Do mundohem të shënoj sa më shumë. Kjo është një shifër që unë e kam premtuar, ndaj do kërkoj që ta arrij dhe pse mos ta kaloj.

Me Laçin keni pasur gjithmonë rivalitet, çfarë pret nga ndeshja e sotme?
Laçi ka një ekip mjaft të mirë dhe është për tu vlerësuar, por ne do bëjmë gjithçka që të arrijmë fitoren. Vetëm duhet të përqendrohemi që në fillim të takimit të japim më të mirën dhe të triumfojmë. Besoj shumë që do t’ia arrijmë, pasi kemi një ekip me mjaft cilësi.

Si e shikon garën për vendin e dytë?
Mendoj se vendi i dytë është i arritshëm dhe besoj se do e arrijmë shumë shpejt madje.

Pejiç pret shumë nga ju dhe ka deklaruar se me pak më shumë hapësirë ju do mbani peshën e sulmit te Kukësi. A ka ardhur ai moment?
Kam mësuar shumë nga Peron kur e kisha në ekip. Është sulmues tipik, më ka bërë shumë mirë konkurrenca me të, jam rritur mjaftueshëm nga ana profesionale, aq sa të mbaj peshën e sulmit të Kukësit. Pero gjithmonë kishte besim te aftësitë e mia, më ka ndihmuar shumë dhe e falënderoj.

Mund të jetë Guri një “Pejiç i ri” në kampionatin shqiptar?
Unë jam Guri dhe po rritem nga dita në ditë, Pero të jepte garanci në sulm me eksperiencën e tij, por dhe unë nga ndeshja në ndeshje po krijoj më shumë besim në vete dhe eksperienca nga ndeshjet vjen dhe besoj tani jam plotësisht gati të mbaj peshën sulmit të Kukësit. Natyrisht që Pejiç është një shembull shumë i mirë për tu ndjekur.

E mendoni Kombëtaren, golat ndaj Partizanit ishin një sinjal për Panuçin?
Mendoj se jam plotësisht gati, dua të vazhdoj kështu me këtë ritëm se kjo është me e rëndësishmja të kem vazhdimësi dhe besoj po të kem këtë ritëm pse jo dhe një ftesë nga trajneri i Kombëtares, Kristian Panuçi.

Burimi: http://www.panorama.com.al/sport/ekskluzive-rrefimi-i-gurit-me-pelqejne-kritikat-nga-pejic-kam-mesuar-shume-jam-gati-per-panucin/
(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb