Në intervistën e gjatë që do të botohet në tre numra radhazi te MAPO, Mustafa Nano kthehet pas në hyrjen e tij në gazetari, duke e përdorur këtë përvjetor për të riparë nga sot rrugëtimin e tij dhe medias shqiptare në 20 vitet e fundit. Fiksimi për t’i nënshkruar artikujt me një formë më perëndimore të emrit të tij, dëshira për të zhdukur një pjesë të shkrimeve ose siç thotë vetë të “krimeve” të tij, që në fund të fundit është një proces që iu ndodh të gjithëve dhe dorëzimi për gazetarinë e lirë dhe të pavarur, e cila nuk ekziston.

Po pse ky mllef që në moshë të re ndaj emrave të vjetër myslimanë? Si e shpjegoni?

Kam thënë diçka te “Hinterlandi i kuq” lidhur me këtë gjë. Ishte një aversion i përgjithshëm, jo i imi. Dhe nuk ishte veç ndaj emrave myslimanë. Ishte ndaj emrave fetarë. Edhe emrat e krishterë si Kosta, Jorgo, Pal, Ndre etj., zunë të ishin gjithnjë e më të rrallë. U bënë në modë emrat jo fetarë, fillimisht të llojit Artan, Jeta, Arben, Margarita, Agim, Afërdita, Helena, Genci, Teuta, Agron, Aurora, Aleksandër, Lulzim, Ardian, Diana etj., që kishin zënë të përdoreshin qysh përpara Luftës II, me sa duket si një përpjekje për t’i dhënë munxët në rrugë antroponimike simptomave të përçarjes që ekzistonin për shkak të karakterit shumë fetar të shoqërisë. Më pas kjo modë mori forma të qarta oksidentalizimi. Parapëlqeheshin emrat e llojit Adrian, Robert, Suzana, Aida, Ana, Maksim, Viktor, Mariela etj. etj. Në vitet e adoleshencës sime kjo u bë një tendencë agresive dhe okupatore.

Regjimi komunist e lejonte këtë çshqiptarizim të peizazhit antroponimik, në mos e frymëzonte. Ka shumë njerëz, mes tyre edhe Ismail Kadare, që te diktatura komuniste e Enver Hoxhës kanë shquar tipare e imitacione të regjimeve të Lindjes (pa e specifikuar mirë se ç’kuptojnë me regjime të Lindjes), madje, edhe një disponim antiperëndimor. Unë nuk pajtohem deri në fund me këtë tezë. Diktatura e Enver Hoxhës ishte komuniste, dhe komunizmi, të gjithë e dimë këtë gjë, është një shpikje europianësh. Regjimi i Enver Hoxhës, edhe pse ishte më brutal se regjimet e Europës Lindore, mbeti në thelb komunist. Madje marksist. Ka një përpjekje për të bërë një ndarje mes versionit marksist të diktaturës së Proletariatit, që ishte teorik, dhe versionit leninist e stalinist, që ishte praktik. Mua nuk ma mbush shumë mendjen kjo përpjekje, që bëhet më shumë për të shpëtuar mendimtarët Marx e Engels sesa për ta çyshtëzuar apo tëhuajtur marksizmin prej dhunës e terrorit.

Nuk dimë se si do ta zbatonin në praktikë Diktaturën e tyre të Proletariatit Marksi e Engelsi, dhe me gjasë nuk do t’i gëzoheshin një spektakli gjakderdhjeje, por doktrina e tyre teorike e bart dhe e nënkupton dhunën. Ata flasin për revolucionin me dhunë (“revolucioni është … një akt, me anë të të cilit një pjesë e popullsisë imponon vullnetin e vet mbi pjesën tjetër me ndihmën e armëve, bajonetave, topave..”, shkruan Engelsi në “On authority”), më tej për diktaturën e proletariatit e luftën e klasave (që mbetën të pazhvilluara prej tyre si koncepte, ç’është e vërteta), për zhdukjen e pronës private, me fjalë të tjera shpronësimin, për vendosjen e pronës shoqërore mbi mjetet e prodhimit, e të gjitha këto nuk të mbajnë larg asaj që ndërtoi Enver Hoxha nën shembullin e Stalinit. Vetëm izolimi e bunkerizimi ishin shpikje të Enver Hoxhës. Të tjerat i kemi peshqesh nga Marksi e Engelsi. Literally.

Me këtë dua të them, se regjimi i Enver Hoxhës ishte europian. Ishte antikapitalist, por jo antieuropian e antiperëndimor. E gjithë struktura edukative e asaj kohe nuk prodhonte antieuropianë. Përkundrazi, në një formë a në një tjetër e inkurajonte simpatinë për Europën. Vetë krerët e regjimit visheshin alla frënga. Madje, bazuar te veshja e te paraqitja e jashtme, Enver Hoxha ishte udhëheqësi më alla frënga i gjithë Lindjes komuniste. Nëse regjimi bllokonte sinjalin televiziv të RAI-t, këtë nuk e bënte për një disponim antieuropian, por për një instinkt mbrojtjeje.

Filmat që shfaqeshin ato kohë nëpër kinematë tona, edhe kur ishin me fabula prej Romës e Greqisë së lashtë, ishin prodhime perëndimore që përcillnin një frymë po perëndimore. Edhe filmat e tjerë mbi aktualitetin në Itali e Francë, që zgjidheshin prej komunistëve tanë për një frymë kritike ndaj atyre shoqërive, sillnin në Shqipëri një copëz të perëndimit. Vetë fryma kritike e tyre nxiste mendimin kritik ndër shqiptarët. Disa filma kinezë u shfaqën në një kohë të shkurtër, por ata nuk ngjitën mes nesh. Nëpër teatrot e operas e të dramës viheshin shpesh në skenë vepra të autorëve të huaj. Shqiptarët nuk lejoheshin të dëgjonin Beatles-at, rollingstones-at e Celentanon, por ndërkohë njihnin, e mund të ndiqnin, Moxartin, Bet’hovenin, Verdin etj.

Koncerti tradicional i Vjenës në fund të vitit transmetohej gjithmonë edhe nga televizioni shqiptar. Nëpër librari gjeje libra të Shakespeare-it, Balzac-ut, Hugo-së etj. Televizioni i vetëm shqiptar, RTSH-ja, po në fund të vitit, organizonte një festival të këngës, që ishte një imitacion i qartë i festivalit të Sanremos në Itali, e që ishte gjithashtu produksioni më i rëndësishëm televiziv në Shqipërinë e atyre kohëve. Sigurisht, këngët, sidomos tekstet e tyre, ishin në funksion të propagandës së regjimit, por e gjithë ngjarja artistike, qoftë edhe në versionin e saj më të skematizuar, binte era perëndim. Edukimi patriotik, që është një praktikë europiane, ishte një fiksim i regjimit të Enver Hoxhës, gjithashtu. Prej kulturës shqiptare të lëvruar në shekuj studiohej e veçohej për mirë veç ajo me ngjyrim laik e perëndimor. Prej historisë gjithashtu veçoheshin ngjarje e personazhe që në një mënyrë a në një tjetër ishin të lidhur me qytetërimin perëndimor. Disa eksponentë të rëndësishëm të kulturës shqiptare që u sulmuan, dhe u zhytën në arkivat e harresës, nuk e pësuan për shkak të frymës e frymëzimit të vet perëndimor, edhe pse këto të fundit mund t’i bartnin, por për shkak të logjikës së regjimit për të goditur ato personalitete, të cilët ishte e pamundur t’i paketoje nën markën e komunizmit (Konicën e Fishtën, fjala vjen, i damkosën, ndërsa Migjenin e Nolin i quajtën të tyret).

Kongresi i Manastirit i vitit 1908 ku, pas një debati të fortë mes atyre që pëlqenin germat arabe e të tjerëve që ishin në favor të germave latine, u adaptuan këto të fundit, është celebruar me pompë në Shqipërinë komuniste. Përveç kësaj, asnjëherë nuk u fol për ndonjë kontribut të klerit islam në histori. Çotomanizimi i shoqërisë, ndonëse nuk nyjëtohej si qëllim kombëtar, ishte një gjë që praktikohej hapur, madje ishte edhe shenjë e militantizmit në krah të regjimit. Bejtexhinjtë, pionierët e poezisë lirike në gjuhën shqipe, trajtoheshin me shpërfillje, për të mos thënë që shiheshin me përbuzje. Dhe kjo vetëm e vetëm sepse poezitë e tyre shqipe i shkruanin me alfabetin arab, dhe sepse në to i bëhej jehonë një ethosi osman. Duhet thënë se në asnjë kohë tjetër të historisë së Shqipërisë nuk ka ekzistuar një frymë antiosmane e antimyslimane si ajo e kohëve të komunizmit. Deri edhe fjalët turke, që ekzistonin në ligjërimin e përditshëm prej shekujsh, censuroheshin në letërsinë e shkruar (Një nga pak momentet që më del prej kësaj kornize, është një studim putativ i Enver Hoxhës, në të cilin haxhiqamilistët, të cilëve u digjej xhani për baba Sulltanin, trajtoheshin me simpati). E në këtë kontekst, u ushqye edhe alergjia ndaj emrave myslimanë. Në gjeneratën time askush nuk do të ishte i lumtur të kishte emrin Mustafa.

Le të kthehemi tek argumenti që kishim, sidoqoftë. Prej vitit 1998, janë me qindra shkrimet që keni publikuar. Keni bërë shkrime që sot ju duken të gabuara?
Po, sigurisht. Kam frikë se janë shumë. E do doja që të mos ekzistonin. Do doja që një dorë e fshehtë t’i digjte. Por ato do të mbeten aty, provë e “krimeve” të mia. Në fakt, janë ca më shumë pjesë e një procesi evolutiv. Sa shumë kam ndryshuar gjatë njëzet viteve të fundit! Dhe kjo është shenjë e mirë. Koherenca, si rregull, nuk është ndonjë gjë për t’u çmuar intelektualisht, sepse përjashton fakultetin e ndryshimit, që është një nga magjitë më të mëdha humane. Por vjen një moment që njeriu përfton një marrëdhënie të qëndrueshme me botën, e pas këtij momenti, që rëndom vjen në një moshë të vonë e pas përvojash të shumta, koherenca është një gjë që merr kuptim, për të mos thënë që i jep kuptim edhe jetës sonë. Nuk është ky rasti im (as i yni) në këtë periudhë historike, megjithatë, kur neve na është dashur të kapim kohën e humbur, të hapim sytë, të riorientohemi në një botë të madhe të hapur, që është bota e vërtetë, që nuk e njihnim, ose e njihnim në mënyrë të turbullt a të pjesshme.

Në vitet 1990, ne kemi qenë si ata njerëzit e shpellës alegorike të Platonit, të lidhur këmbë e duar e qafë me zinxhirë në fund të shpellës, me fytyrë në drejtim të kundërt me hyrjen e shpellës, në pamundësi për të kthyer kryet pas. Ata ishin aty, dhe në atë pozicion, qysh nga momenti që kishin lindur. Gjithçka që ata mund të shihnin, ishte fundi i shpellës, muri shkëmbor përballë syve të tyre. Nuk mund të shihnin as veten, as njëri-tjetrin. Pas shpinës së tyre ishte një zjarr, e në mes të distancës që ndante zjarrin nga njerëzit e lidhur në zinxhirë ishte një ledh i ulët, me një mur të ulët, prapa të cilit disa njerëz bënin ecejake duke mbajtur nëpër duar, e duke i nxjerrë mbi mur, objekte që kishin forma njerëzish, kafshësh apo krijesash të tjera që, nën efektin e flakëve të zjarrit, projektonin hijet e tyre në murin para syve të njerëzve të burgosur të shpellës. Këta të fundit nuk arrinin të shihnin se ç’kishte prapa tyre. Gjithçka që shihnin këta të fundit, gjatë tërë jetës së tyre, ishin këto hije.

Dhe zërat e zhurmat që vinin nga pas shpinës së tyre, ata i merrnin si zëra të hijeve. Këto hije ishin bota për ta, e gjithë bota, e vetmja botë. Për ta nuk kishte një realitet tjetër. Dhe sikur – këtu vjen e bukura – njëri prej të burgosurve të zgjidhej prej zinxhirëve, ai do të kthente shikimin nga të gjitha anët, e do të shihte zjarrin e flakët. Prej kësaj drite të flakëve nuk do mund të shihte njerëzit me objektet apo gjallesat, hija e të cilave reflektohej në fund të shpellës. Prej kësaj drite që po shihte për herë të parë, ai do ndjente një si lëbyrje sysh, të shoqëruar me një dhembje të tyre. Për një çast, as hijet nuk arrinte t’i shihte më. Ai nuk do ta besonte kurrë, nëse dikush do t’i thoshte se kjo që po shihte ishte bota e vërtetë, dhe se çfarë kishte parë gjatë gjithë jetës së tij ishin vetëm hije e pasqyrime të deformuara të kësaj bote reale. E do donte të kthehej atje ku ishte, te bota e tij, ajo e hijeve, që për të ishte bota e vërtetë.

E nëse dikush do ta merrte me pahir prej krahësh, do ta tërhiqte zvarrë, me synimin për ta nxjerrë te hyrja e shpellës, atje ku binte drita e diellit, ai dikush me siguri do të ballafaqohej me rezistencën e të burgosurit. Drita e diellit do ta verbonte krejt këtë të fundit, dhembja e syve do të bëhej më e madhe, e do duhej të kalonte një copë herë e mirë që ai të mund të mësohej me dritën, e të fillonte të shquante gjërat, fillimisht në formë hijesh gjithashtu, por me kalimin e kohës shikimi do qartësohej, derisa të vinte çasti që ai t’i shquante në format e tyre reale njerëzit e kafshët përreth, natyrën, diellin vetë. “Një copë herë e mirë”, thashë pak më sipër, dhe kuptohet se në këtë interval kohor zhvillimesh të vrullshme e të pabesueshme nuk mund ka kuptim të flitet për koherencën e tij në raportin me botën. Në rastin e shqiptarëve që kanë dalë nga shpella e tyre (e regjimit komunist), kjo “copë herë e mirë” ka zgjatur shumë, për vite të tëra. Dhe në harkun e këtyre viteve, shqiptarëve u është dashur t’i ikin gjendjes së shpellës e të dalin në botën e dritës. E kështu, përsëris, nuk ka kuptim të flasim për, apo të mburremi me, koherencën tonë.

Duket sikur jeni i interesuar ta bëni këtë theksim mbi koherencën ….
Po. Sepse ka shumë njerëz në këtë Shqipërinë tonë publike që mburren me koherencën e tyre. Me këtë duan të thonë që ata kanë qenë të qartë qysh në krye të herës, në kapërcyell të epokave. Dua të thonë pra se ata i kanë ditur gjërat pikërisht atëherë kur askush nuk dinte gjë prej gjëje. Po të ishte e vërtetë, këta njerëz do kishin hak një medalje të mirë. Është zotësi e madhe (dhe fat, duhet thënë) të jesh syhapur në një kohë që krimi më i madh ka qenë të ishte syhapur. Mirëpo mua më rezulton se këta njerëz që mëtojnë të kenë qenë syhapur para 30 vitesh, janë në të vërtetë symbyllur edhe sot e kësaj dite. E lidhin, të shkretët, rreshtimin e tyre të hazërtë e të vendosur antikomunist me një ndriçim të tyrin. Nuk ka qenë kështu.

Nuk ka qenë e thënë që të ishe veçanërisht i mençur për të qenë antikomunist. Rëndom, antikomunizmi i njerëzve ishte diçka instiktive. Siç ka qenë i imi, për aq sa ka qenë. Në mos, te ca njerëz ishte i natyrës praktike, fjala vjen për shkak të përndjekjes që u ishte bërë prej komunizmit. Dhe është kjo arsyeja që unë nuk besoj tek antikomunizmi i të përndjekurve politikë, i cili ka qenë i ngritur mbi një vuajtje personale, e jo mbi një frymëzim impersonal. Nuk ka në antikomunizmin e tyre një disponim në mbrojtje apo në kërkim të lirisë. Thënë kjo, të përndjekurit kanë empathinë time të plotë për vuajtjet që kanë hequr. Unë vetë komunizmin e urrej edhe për shkak të vuajtjeve që komunizmi u ka shkaktuar atyre.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: