Më shumë i prekur nga ‘padrejtësitë’ e demokracisë se sa ato të komunizmit, poetit, që nuk iu dha mundësia nga regjimi të bëhej piktor, vazhdon të shkruaj.

E takuam pikërisht dje, ditën që numëroi vitin e 82-të të jetës, me lajmin e mirë se priste dita-ditës të dilte në treg libri i tij më i fundit me histori. Sigurisht, nëpër vitet që ka jetuar, ka edhe pengje, edhe pakënaqësi, edhe sulme, për të cilat nuk folëm sot në festën e tij, duke i dhënë intervistës një trajtë të përgjithshme, që tregon për të gjitha rrugët ku eci e ku u pengua poeti Faslli Haliti.

I lindur në qytetin e Lushnjës, Haliti kreu Liceun Artistik për pikturë e më pas u diplomua për Gjuhë Letërsi, duke ‘përtypur’ kështu padrejtësinë që iu bë për mos të vazhduar Akademinë e Arteve për pikturë. Megjithatë, sikur të kishte mbetur me kaq, do të ishte mirë! Pasi u emërua mësues vizatimi e letërsie në qytetin e tij, përfundoi atje ku nuk ia priste mendja; në kooperativën bujqësore!

Për të drejtë botimi, gjatë këtyre viteve, nuk flitej më! Në vitet ‘e lirisë’, Haliti u angazhua edhe në politikë. Ishte deputet i PS, por ai nuk konsideron këtë si pjesën më të rëndë- sishme të karrierës së tij. Librat, përkthimet e autorësitë, bashkë me çmimet kombëtare e ndërkombëtare, janë ato që i japin kënaqësinë më të madhe një 82-vjeçari, në ditën e tij të lindjes!

Karriera juaj, shumë vite më parë, meqenëse kishte nisur, u duk se do të vijonte në pikturë. Çfarë ndodhi që pas Liceut artistik, nuk vijuat Institutin e Lartë për pikturë?

Në fakt, unë e fitova Institutin e Lartë të Arteve, por nuk u lejova nga pushteti dhe partia në rreth që të vazhdoja studimet e larta për pikturë, për mungesë «kuadri» (mësuesi vizatim) dhe pas gjashtë vjetësh m’u dha e drejta që të vazhdoja studimet në UT, me dëshirën time të plotë, për Gjuhë Letërsi. Provimim me Jakov Xoxën s’e kam harruar edhe sot. Pas provimit, ai më ftoi të pinim një birrë bashkë. U habita. Ai më njihte. Kishte lexuar poezitë e mia. I fola dhe unë me shumë entuziazëm për romanin e tij “Lumi i vdekur”. Modest, i gjerë e thellë si romanet i tij, ka mbetur ai në kujtesën time dhe i tillë do të mbesë.

Një i ri edhe mund të revoltohej ndaj këtij mohimi. Si reaguat?
Pretendoja se e meritoja të vazhdoja studimet e larta për pikturë. Por e kuptova psenë e moslejimit nga ana e pushtetit në rreth. Madje, tepër e rrezikshme se sa e çuditshme. Papjekuri e hatashme, sepse mund të kisha përfunduar në pranga.

Pse?
Kishte një arsye të fortë. Isha në vitin e tretë të Liceut Artistik. Isha shumë i mirë në akuarel dhe në letërsi, sidomos në hartim. Një ditë po bënim një orë mësimi të lirë. Profesoresha e letërsisë na lexoi një artikull të gazetës “Komsomolkaja Pravda”, botuar në faqen letrare të gazetës “Zëri i Rinisë”, i cili fliste për letërsinë dhe shkencën. Bëhej pyetja se cila qëndronte më lart, letërsia apo shkenca. Disa nga studentët sovjetikë thoshin shkenca, disa të tjerë thoshin letërsia, e kështu me radhë.

moikom-zeqo-fasli-haliti-poet

Pasi profesoresha e lexoi artikullin e “Pravdës” si dhe para se të kërkonte që të jepnim dhe ne mendimin tonë se cila qëndronte më lart, letërsia apo shkenca, tha: e shikoni nxënës se ç’demokraci dhe ç’liri fjale ka në Bashkimin Sovjetik?
Pa më pyetur kush, unë u ngrita në këmbë dhe thashë në mënyrë naive dhe idiote, “po, profesoreshë, në BS ka demokraci dhe liri fjale, por jo këtu te ne”. “Ka edhe te ne edhe demokraci, edhe liri fjale, tha ajo, si s’paska?!”.

Çështjen time profesoresha e letërsisë, që ishte edhe komuniste, e shtroi në Organizatën Bazë të Liceut. U propozua që të më kallëzonin në polici, por sekretari i Organizatës Bazë të Liceut, nuk ra dakord. ‘Ta edukojmë ne vetë, kishte thënë ai dhe jo t’ia dorëzojmë policisë për ta futur në burg. Duket që ai nuk është kundër partisë dhe pushtetit, por është naiv, gjersa foli hapur para gjithë klasës dhe në sy të profesoreshës. Nuk bëri propagandë. Bëri gafë, i ndikuar mbase dhe nga fjalët e reaksionit që qarkullojnë lart e poshtë. Ti, shoqja profesoreshë, do të merresh me të, do ta mbash afër si nxënës të mirë që e ke në letërsi, sidomos në hartim’.

Në fakt, unë e fitova Institutin e Lartë të Arteve, por nuk u lejova nga pushteti dhe partia në rreth që të vazhdoja studimet e larta për pikturë, për mungesë «kuadri» (mësuesi vizatim) dhe pas gjashtë vjetësh m’u dha e drejta që të vazhdoja studimet në UT, me dëshirën time të plotë, për Gjuhë Letërsi. Provimim me Jakov Xoxën s’e kam harruar edhe sot. Pas provimit, ai më ftoi të pinim një birrë bashkë. U habita. Ai më njihte. Kishte lexuar poezitë e mia. I fola dhe unë me shumë entuziazëm për romanin e tij “Lumi i vdekur”. Modest, i gjerë e thellë si romanet i tij, ka mbetur ai në kujtesën time dhe i tillë do të mbesë.

 

Ngeli me kaq?

Në fillim po, madje aq sa u gëzova! Por pas dy-tri ditësh, Ramiz Alia, në një mbledhje me punonjësit e shtypit, tha se gazeta “Zëri i rinisë”, ka botuar poemën “Dielli dhe rrëkerat” të poetit Faslli Haliti, që është e përshtatshme për t’u botuar në gazetën «Le Monde». Kaq deshi Rrapi Gjermeni, sekretar i parë i KP Lushnjës; bëri ngutshëm një mbledhje autodafe si ato të inkuizicionit mesjetar, ndërseu gjimnazistët kundër meje dhe më dërgoi për riedukim ideologjik e politik në orizore e Fiersheganit, ku prashita, vadita, korra oriz, misër; hapa kanale, vija kulluese; ngarkova zetorët e qerret me dega, shkarkova e ngarkova thasë me pleh kimik, spërkata grunja me mut e me shurrë, sipas metodës e stilit kinez; shkrova parulla nëpër muret e stallave të lopëve, të derrave, me erë të rëndë, që më shkaktonin të vjella. Vetë Perëndia Apolon i është dashur dikur, të ruante derrat e mbretit Admet, e pse të mos bëja dhe unë i vdekshmi, parulla në muret e stallave të derrave? Ato për derrat shkruheshin.

A keni pasur ndonjëherë rastin të takoheshit me Enver Hoxhën, Mehmet Shehun, Kadri Hazbiun, Petrit Dumen, Hito Çakon..?
Enver Hoxhën, Mehmet Shehun, Petrit Dumen, Hito Çakon, i kam parë vetëm në fotografi e në televizor. Kadri Hazbiun e kam parë në sallën e Lidhjes së Shkrimtarëve, në një takim me shkrimtarët dhe në sallën e kinema “Liria” në Lushnjë, ku bëhej një takim me popullin. Aty, Kadri Hazbiu foli për prishjen e kulteve fetare: kishave, teqeve e xhamive. Por pa mend më ka lënë shprehja e tij në sallën e Lidhjes së Shkrimtarëve, ku tha se, po ta shihnim ne shkrimtarët që ai të parakalonte me ushtrinë e tij, do ta pështynim në surrat, ngaqë kontingjenti i ushtrisë së tij ishin të deklasuarit e të përndjekurit politikë. Por mua, kështu ma do puna, tha ai. Tek ata hapen, edhe njerëzit e tyre dhe disa të pakënaqur e të paformuar ideologjikisht e politikisht nga njerëzit tanë, e mbylli fjalën ai.

Pas punës së detyruar, çfarë ndodhi me ju më pas?
Pas punës së detyruar në kooperativë, nuk më kthyen në profesionin tim të arsimtarit, por u vendos nga partia që unë të vazhdoja konvaleshencën ideologjike, më caktuan pa dëshirën time të punoja në Dekorin e Qytetit, ku punonin pesë disenjatorë, ku kishte të deportuar e të deklasuar, njeri prej të cilëve ishte kontingjent i ushtrisë së Kadri Hazbiut dhe, jo vetëm kaq, por ishte dhe një nga më të zellshmit, më aktivët, sepse ai nuk ishte vetëm bashkëpunëtor i Sigurimit, por ishte dhe i lig, e smirëzi, karakter i dobët.

Në këtë kohë, rreth jush, po vuanin edhe Visar Zhiti, Fatbardh Rustemi, Sherif Bali e plot të tjerë apo jo?
Si ishte marrëdhënia juaj me Zhitin? Ata ishin kolegët, shokët e mi krijues, poetët e ardhshëm, të cilët sot janë poetë e shkrimtarë të shquar. Por është e vërtetë që grumbullimet mbreti dhe mbretëresha i shihnin me dyshim dhe i kishin në shënjestër. Ata ishin shokët e mi krijues. Ne ishim shokë dhe krijues ,që na bashkonte poezia dhe arti. Midis nesh nuk kishte hierarki të tilla. As unë s’isha mbret, as shokët e mi nuk ishin ushtarë, por vetëm krijues pasionantë e të talentuar dhe vizionarë që aspironin lirinë. Madje, në vitet ’70, unë kam shkruar e botuar poezinë: «Midis jush», mesazhi i së cilës ishte fare i qartë: «Fatbardhi,/ Unë/. Visari/, Unë rri midis jush/, Si më i shkurtër/ Dhe jo si mësues/».
Sa për përvojën, atë e merrnim njëherësh të dy palët reciprokisht: ata nga unë e unë nga ata. Kur unë u dënova për poemën «Dielli dhe rrëkerat», dhe Visar Zhiti u burgos sepse shikonte njolla në diell, natyrisht kjo ishte një përvojë e hidhur, mizore, se të bëheshe poet, nuk ishte një profesion komod, në fakt, ishte një zgjedhje e ndërgjegjshme drejt iluzioneve pa fund, drejt vuajtjes dhe zhgënjimeve të hidhura. Vladimir Çuni, poet i ri atëherë, shkroi për mua në gazetën “Ora e fjalës”se: «Nga Faslli Haliti mësuam të rebeloheshim».

Ju thatë se keni punuar si arsimtar, përveçse me emra të tjerë të njohur, ju keni pasur të punoni edhe me djalin tuaj, Helidonin, çka nuk është përherë e lehtë…
Nuk kam qenë ndonjë mësues kushedi se çfarë në përgjithësi. Por veçanërisht, në punën me talentet në pikturë dhe në letërsi, kam qenë tepër pasionant, sistematik e i palodhur. Kisha kënaqësi kur punoja me krijuesit e rinj të talentuar në letërsi e pikturë, Fatbardh Rustemi, Visar Zhiti, Besim Golemi, Elmaz Qerreti, Edmond Papathimiu, me Helidonin, Armand Xhomon, të cilët sot janë bërë shkrimtarë, poetë e piktorë të njohur me performancë kombëtare e ndërkombëtare, sepse talentin e tyre ata e ushqyen dhe e rritën me dituri, kulturë, punë të përditshme.

Vërtet talenti lind, por ai do rritur dhe ai hedh shtat, vetëm duke mbajtur në gojë biberonin, nga i cili thith si perënditë ambrozion. Besim Golemi dhe Helidoni, kanë qenë dy talentet më të fuqishme që kam zbuluar, me të cilët unë kam punuar që nga klasa e gjashtë gjer në mbarim të Liceut Artistik, duke iu gjendur edhe më pas në të gjitha peripecitë e tyre për shkak të biografisë, që i pengonte për të vazhduar studimet në Akademinë e Arteve të Bukura për pikturë. Dhe kur papritur, Besim Golemi e mbylli jetën në mënyrë tragjike duke u vetëvrarë, unë, së bashku me shkrimtarin Halil Jaçellari, poetin Fatbardh Rustemi, Luan Boriçi e ndonjë tjetër, organizuam homazhe në sallën e Muzeut të qytetit për të nderuar njeriun, piktorin talentin e jashtëzakonshëm.

Mes gjithë vështirësive që përmendët më sipër, a veçoni një kohë a një episod që ka qenë më i rëndë se të tjerët?
Kam pasur shumë ditë të vështira, por më e vështira ka qenë dita kur u shpallën fituesit e konkursit të pikturës për në Akademinë e Arteve. Edhe pse në radhët e fituesve, edhe pse i nderuar me diplomë në ekspozitën e arteve pamore në Oslo të Norvegjisë, edhe pse me përkujdesjen e Kadaresë, djali im, Helidoni, nuk u fut në Akademi. Hija e dënimit tim për gabime ideore në krijimtari, kishte vepruar në pikën më vulnerabile me dhimbjen më të mprehtë e më të thellë. Disfatën kaloje me punë, i thashë djalit. Ai ma dëgjoi fjalën dhe për herë të tretë ai fitoi e fut në shumë të dëshiruarën Akademi të Arteve të bukura.
Suksesin shoqëroje, i thashë dhe ai përsëri ma dëgjoi fjalën. Që nga viti 1990 e deri tani, ai ka hapur ekspozita personale në Athinë, Paris, Amsterdam, Madrid, Montekarlo, Prishtinë, Tiranë në «Mezuraj Muze», në Galerinë Kombëtare të Arteve, në qytetin e lindjes, Lushnjë, Sarandë etj. Ai tashmë është një piktor i njohur dhe i suksesshëm, por i papunë. Edhe pse gjatë gjithë vitit 2012, në kuadrin e 100-vjetorit të Pavarësisë Kombëtare, ai hapi me shpenzimet e veta disa ekspozita në Madrid, Paris, Prishtinë, Montekarlo dhe në qytetin e lindjes, Lushnjë, përsëri, asnjë institucion nuk u interesua ta punësonte. Mirë që nuk e punësuan, por as Bashkia e qytetit të tij, e Lushnjës, pa le MTKRS apo Presidenca, nuk u kujtuan që të papunit Helidon Haliti, t’i jepej së paku “Medalja e Mirënjohjes”, për kontributin e dhënë, si një vlerësim kompensues honorifik.

Një angazhim tjetër i juaji ka qenë edhe ai në politikë. Pse kjo zgjedhje?
Kam qenë deputet i propozuar nga PS e PSD. Jeta ime si deputet ka qenë modeste, pa makinë, pa celular, pa kërkesa; me po ata shokë që kisha, kafen e pija me shokë dhe po në ato lokale ku e kisha pirë gjithmonë; shëtisja në të njëjtat rrugë e mjedise ku kisha shëtitur. Fëmijët e mi, vajza dhe djali, të dy me shkollë të lartë, ishin dhe mbetën emigrantë, kur disa nga fëmijët e kolegëve të mi u punësuan në ambasadat tona nëpër botë. Unë prisja të më thoshin ç’kërkesa kisha, por ata nuk më pyesnin në kisha kërkesa apo halle dhe unë nuk ju kërkoja gjë. Unë vetë, si deputet, mbase, isha i vetmi që nuk shkova asnjëherë jashtë shtetit me ndonjë delegacion parlamentar, edhe pse vetëm tre poetë ishim në grupin e deputetëve të PS. Dy kolegët e mi shkuan disa herë gjatë legjislaturës gjer në Kubë e Kinë. Nuk e fsheh, kjo më ka prekur shumë, por nuk jam ndier. Hera e parë që po e them sot publikisht.

Kjo është arsyeja pse hoqët dorë?
Tani nuk jam pjesë, por e ndjek politikën dhe kur duhet reaguar ndaj ngjarjeve, reagoj si qytetar dhe si poet me poezinë time. Politikës sot i mungon morali, por unë për veten time them se politika është art, imoralë janë klerikët, kuptohet, liderët politikanë. Politikanë me vizione dhe filozofi të re po shfaqen në horizontet demokratike shqiptare, idealistë, të mençur, me kulturë dhe edukatë të lartë, politikanë vizionarë evropianë, që jo vetëm dëshirojnë të lëvizin, por edhe dinë nga të shkojnë, drejt progresit: Europës.

Çfarë mund të kishit bërë gjatë jetës, që nuk arritët ta bëni?
Poezitë e mia mund të kishin qenë pjesë e antologjisë poetike «Kadare dhe brezi i tij», që u botua në Francë në vitin 1974, për arsye politike dhe që nuk i vazhdova studimet e larta si student i rregullt, këto janë dy pengjet e mia.

Meqenëse nuk mundët të bëheni, si kush do donit të ishit, kush janë për ju emrat më të mirë të pikturës shqiptare?
Quinteti i piktorëve dhe skulptorëve vlonjatë; piktori Vasil Talo, skulptori Skënder Tena, piktorët Petrit Ceno, Nestor Jonuzi dhe Hilmi Bani.

Po nga shkrimtarët?
Shkrimtarët dhe poetët, Dritëro Agolli, Ben Blushi, Moikom Zeqon, Roland Gjoza, Gëzim Hajdari.

Nuk po e përmendni Kadarenë?
Kadareja është i vetmi!

Burimi: Panorama http://www.panorama.com.al/rrefimi-pse-me-mbrojti-ramiz-alia-prej-sulmeve-ne-shtyp-me-denuan-te-shkruaja-parulla-ne-stallat-e-derrave/

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: