Reshat Arbana ka qenë i ftuari i sotëm në ‘Pasdite në Top Channel’, edhe pse studio e emisionit është zhvendosur këtë herë në kuintën e sallës së teatrit. Duke u përgatitur për shfaqjen e re, Arbana foli jo pak edhe për jetën e tij personale. Duke qenë se aktorin do ta shohim shumë shpejtë në rolin e babait në skenën teatrale, artisti është pyetur edhe për rolin e tij si prind në jetën reale. Arbana është shprehur se edhe pse nuk i pëlqen, klasifikohet tek prindërit fanatik.

“E kuptoj dhe e kritikoj veten, por është diçka e pandryshueshme për fat të keq”, është shprehur aktori, duke theksuar se të qenurit baba është puna më e vështirë. Sipas tij, çdokush që merr përsipër të bëhet prind, duhet të ndjejë përgjegjësi për kujdesin dhe rritjen e fëmijëve.

“Nuk dua të flas për këtë, por kam kaluar disa probleme me djalin, dhe e ndjej shumë peshën e të qenurit baba”, ka vijuar edhe më tej aktori. Si në shumicën e rasteve, edhe Arbana nuk ka veçuar një emër të veçantë ndër kolegët, kur ka ardhur puna tek listimi i artistëve të preferuar.

Por mes tyre, veçon Sandër Prosin. “Edhe kur më bënte vërejtje për ndonjë rol, ma bënte me shumë finesë”. Aktori ka theksuar se me gjithsecilin ka patur marrëdhënie të mirë, ashtu sikurse nuk ka lënë pa përmendur qëndrimin kundra ndalimit të filmave komunistë.

Ai ka mbrojtur mendimin se pavarësisht tematikave apo cilësisë artistike, ato mbeten një kujtesë për brezin e ri dhe nostalgji për të vjetrin. “Mbase nga ana artistike nuk kanë qenë shumë cilësorë, por kanë pasur pastërti morale. Tani shohim VIP-a të zhveshur…”. Për Reshat Arbanën, kinematografia e pas ’90-ës ka prodhuar shumë pak filma. Sa i përket filmave sot, Arbana ka thënë se duhen para, të cilat nuk mungojnë.

“Para ka, ka shumë madje. Vetëm se shkojnë për disa projekte e të tjera gjëra, që nuk merren vesh”, ka shtuar artisti me ironi. Ndërsa, pyetjes mbi dakortsinë me mendimin se “aktorët e dikurshëm nuk kthen më”, Arbana i është përgjigjur me një frazë të vetme: “Nuk më takon mua të flas”.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: