Portieri i Kombëtares shqiptare, Thomas Strakosha është duke kaluar një formë të shkëlqyer në kampionatin italian me klubin e Lacios. Në një prononcim për “SuperSport” 22-vjeçari rrëfeu momente të veçanta të karrierës së tij, fillimet, të ardhmen por edhe nga jeta e tij.

Për sfidën ndaj Viteses
“Ishte ndeshje e fortë, na vuri në vështirësi Miloti, por ne reaguam edhe më mirë prandaj fituam. Në Ligën e Europës luhet më hapur, prandaj patëm dhe pak vështirësi në debutim.”

Derbi me Romën
“Nuk e di unë se çfarë ndodh. Roma e fitoi ndeshjen lehtë. Rivali kryesor është Xhenoa, kundërshtari i radhës. Jemi të fortë por duhet të përqendrohemi vetëm te ndeshja e radhës.”

Objektivat
“Të jemi më mirë se një vit më parë, të shkojmë mirë në Europë dhe të jemi në 5-6 ekipet më të mira të kampionatit. Dua të përmirësohem gjithmonë dhe të luaj në çdo ndeshje, të ndihmoj ekipin tim dhe të jap kontribut në Kombëtare.”

Me kë e ndan dhomën në ekipin kombëtar
“Në dhomë qëndroja me Kaçen, tani me Valon Ahmedin. I ka vendosur trajneri gjithmonë.”

Konkurenca në Serinë A
“Ndihem me fat që jam pjesë e një kampionati shumë të fortë me portierë të nivelit të lartë. Kam ardhur shumë i vogël këtu por kam mësuar shumë gjëra. Kam dëshirë të luaj në çdo ndeshje, kur trajneri më thotë jam i lumtur. Për rotacionin vendos trajneri.”

Debutimi në Kombëtare
“Debutimi kishte më shumë emocione, sepse nuk e prisja. Kisha shumë stres para ndeshjes. Me kalimin e kohës ke më pak stres dhe ke më shumë kohë për ta përgatitur ndeshjen.”

Vendi i titullarit
“Trajneri e di cili do të jetë titullar në Kombëtare. E kam thënë gjithmonë në Kombëtare nuk ka shumë rëndësi nëse luaj unë apo Etriti. Mjafton të marrim rezultatin e duhur.”/panoramasport/

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: