Nga Enrik Mehmeti

VLORË- Katër ditë pas ekzekutimit të 37-vjeçarit Marjen Xhaferraj në një lokal në Lungomare në Vlorë, bashkëshortja e tij dhe motra flasin për News24 dh “BalkanWeb”. Ato janë dy personat që mund të hedhin dritë mbi vrasjen e babait të 3 fëmijëve, një ngjarje që dyshohet se lidhet me një tjetër ekzekutim të nipit të viktimës, 2 vite më parë. Marjen Xhaferraj ose ndryshe Reni, ishtë dëshmitar i asaj vrasjeje, ndaj dhe mendohet se ekzekutimi i tij ka të bëjë me atë ngjarje. Këtë dyshim e përforcojnë edhe dy njerëzit më të afërt të 37-vjeçarit. Ato thonë se Reni ndihej i kërcënuar dhe ndaj lëvizte i armatosur. Gruaja dhe motra kërkojnë drejtësi pasi në të kundërt do vetëdigjen para Kryeministrisë bashkë me fëmijët.

Marjen Xhaferaj, 37 vjeç, u qëllua gjashtë herë me pistoletë rreth orës 21:00 të 30 korrikut, ndërsa ishte ulur në lokal me një tjetër person. Xhaferaj, i cili njihej dhe me emrin Marjen Omeri.

GRUAJA E VIKTIMËS: SHKOI TË PINTE KAFE DHE NUK ERDHI MË

Lionela Xhaferraj gruaja e 37-vjeçarit tregon bisedën e fundit me Renin dhe dyshimet e saj. Burri u kthye nga Tirana më tha që ka një punë u kthye në shtëpi. Më pas e mori një shok në telefon dhe i tha do zbresësh të pimë një kafe? Më tha Ela jam i lodhur por do shkoj tha. Shkoi me shokët piu kafe më pas në orën 21 e 10 më thanë që Renin e kanë vrarë. Unë sot po dal këtu i bëj thirrje kryeministrit jam nënë e tre fëmijëve jetim po ka drejtësi të gjejnë fajtorët. I bëj thirrje policisë së shtetit dhe prokurorisë mos të fshehin kamerat sepse ai kishte vendosur 8 kamera sigurie, ndihej i kërcënuar lëviztë gjithmonë i armatosur jeta jonë ndihet e kërcënuar nuk gjetëm drejtësi. I vranë nipin dhe atë pa i bërë keq askujt. Duam që shteti të na gjejë një zgjidhje se jeta jonë është në rrezik. Burri im nuk i kishte bërë keq askujt.

Pse lëvizte i armatosur?
Lëvizte i armatosur për arsye të nipit sepse në Shqipëri ekziston hakmarrja dhe burri im nuk dinte nga i erdhi nuk kish vrarë njeri, nuk ishte kriminel një njeri familjarë i përkushtuar pas familjes.

Cilat kanë qenë lëvizjet e fundit të burrit tuaj?
Një kafe në mëngjes e pinte me mua më pas çonte fëmijët në kopsht. Burri im nuk është fshehur edhe pse ai mendonte se ndihej i kërcënuar për shkak se i vranë nipin. I kalonte nëpër mënd se mund ti bënin keq se mos marrin hakun e nipit. Burri im thoshte më mirë të rroj 5 ditë si luan sesa një jetë si mi u fshehur. Burri im nuk fshihej ato që thonë nëpër media janë gënjeshtra dhe kohët e fundit që rrinte në shtëpi ishte i demoralizuar dhe i stresuar për humbjen e nipit të tij jo se fshihej burri im. Burri im ka ikur me brenga të mëdha por nuk është fshehur kurrë.

Kishit vënë re tension gjatë këtyre ditëve tek ai?
Kërcënime nuk ka marrë nga dikush se do ma kish thënë.

Cilat janë fjalët e tij të fundit?
Po flisnim për fëmijët për të ardhmen po thoshim do ikim jashtë shtetit. U nis për në Belgjik e ndaloi policia e kthyen. Unë ju kërkoj shtetit për ata fëmijët e mi dhe gjakun e tij që ajo nënë e ka rritur me sakrifica. Kërkoj drejtësi. Po ka shtet i bëj thirrje Z.Edi Rama më ndihmoni dhe gjeni vrasësin e burrit tim. Të di dhe unë ti them fëmijëve kur të rriten që ja gjaku babait tuaj ju mor haka. Të ma marrin haku shteti se ne nuk jemi të fuqishëm. Nga momenti në moment ndihem e kërcënuar.

Në qoftë se drejtësia nuk vihet në vend dhe gjaku i atij burrit tim të gjendet e drejta unë betohem përpara kryeministrisë me motrën e burrit tim dhe me fëmijët do marr bidonët me benzinë dhe do digjem në mes të Tiranës të më shikojnë të gjithë dhe të dinë të gjithë çfarë bëhen në këtë shtet unë betohem për këtë gjë. Për shpirtin e tij që iku dhe nipit unë do digjem me fëmijët e mi përpara kryeministrisë. Dhe po s’u gjet e drejta këtu në Shqipëri unë do marr dy mediat e botës kudo, do çaj kudo le të më vrasin unë atë që kisha për ta humbur e humba nuk kam çfarë humbas më. Po duan të më vrasin fëmijët le ti vrasin, ata jetim janë m’i kanë vrarë.

ENTELA CAUSHAJ, MOTRA E VIKTIMËS

Unë jam mamaja e Endri Caushajt dhe motra e Renaldo Omerit që u vra pak ditë me parë në Lungomare. Po e nis ngjarjen që nga vrasja e djalit tim Endrit. Djali im ishte një djalë shembull. Ai është vrarë në Durrës më 20 dhjetor me Ervin Kodrën. Djali ka qenë rastësi thjeshtë një rreth shoqëror dhe ka hipur me Ervin Kodrën në makinë për të blerë një paketë dhe sa ka hipur në makinë është ekzekutuar Ervin Kodra dhe djali im është vrarë gabimisht. Këtu lind historia e këtij strumbullari.

Çfarë po bënte djali në atë kohë?
Djali im kishte hapur një lokal me dajën në Tiranë dhe sapo mbylli atë lokal nuk i eci dhe do transportonte orenditë për tek tjetri ka ardhur në Vlorë për të blerë banakun e lokalit. Dhe daja e shikon të mërzitur nga mbyllja e lokalit dhe donte t’i ngrinte moralin dhe i tha hamë një darkë në Durrës dhe në atë kohë duke ngrënë në atë lokal dhe i thotë Ervin Kodra nipçes do vish të blejmë një paketë ai tregohet i gatshëm dhe sa hipi në makinë ekzekutohet Ervin Kodra dhe që nga ajo ditë asnjë thirrje letër apo policisë nga shteti nuk ka ardhur të më thotë më kë kishte djali jot ndonjë zënkë thjesht si qytetarë të interesohej shteti për fëmijën tim….

Pas gjithë këtyre gjërave më ekzekutojnë vëllain në pragun e derës.

Si ndodhi ekzekutimi?
Ekzekutimi, vjen vëllai në lokal merr diçka të tijën personale dhe shkon ulet tek bar Mango.

Ku ishte përpara se të ulej?
Ishte në shtëpi dhe i vjen një telefonatë nga një shok sado që ai ishte I lodhur zbret dhe ulet pi një kafe me shokun dhe ky shoku kalon në krahun tjetër tek restoranti për të ngrënë me familjen. Pas 10 minutash dëgjoj krisma dhe dal jashtë nuk po e shikoja vëllain thash shyqyr ka ikur me shokët kur dal pak më tutje shikoj vëllain duke dhënë shpirt.

E ka thirrur njeri vëllain në emër përpara se ta vrisnin?
Nuk e di se si ka ndodhur.

Vëllai ka pasur kërcënime këtë kohë?
Nuk e di për kërcënime.

Cili është apeli juaj?
I bëj thirrje kryeministrit të vërë pak drejtësi qoftë për djalin tim që ishte 25 vjeç por edhe vëllain 36 vjeç i cili ka lënë 3 fëmijë më të madhin 3 vjeç dhe më të voglin 2 muajsh në ka qeveri dhe zot këta kriminelë që bredhin ku rrinë ku fshihen, kush i mbron se të vrasësh dy të rinj dhe të mos kapen vrasësit nuk e di. Dua një drejtësi dhe nuk di ku ta kërkoj. Më ka humbur besimi…

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb