NGA BRIKENA METAJ

GJIROKASTER- Në udhëtimin tonë “Rreth Shqipërisë”, nuk mund të mungonte Gjirokastra. Një qytet që shquhet jo vetëm për bukurinë, objektet arkeologjike, por dhe historinë e tij. Kalaja e Argjirosë, qyteti antik i Antigonesë, parku i Viroit vijnë përmes këtij reportazhi.

Gjirokastra, qyteti që të mbërthen me magjinë e vet. Aty ku çatitë e gurta hedhin valle me njëra – tjetrën, ndërsa shtëpitë karakteristike përqafohen përreth kalasë së gurtë, që ngrihet krenare mbi qytetin e historive të vjetra e të reja.

Të vizitosh Gjirokastrën dhe pasuritë e shumta të saj do të duhej shumë më tepër se një fundjavë, por pavarësisht kësaj Gjirokastra vijon ende të mbetet një destinacion i rëndësishëm i turistëve vendas e të huaj, ndërsa vitet e fundit numri i turistëve që e vizitojnë qytetin muze ka shënuar rritje.

Zona historike është ajo pjesë e qytetit që tërheq më së shumti turistët. Ndërsa zbresin në “Sheshin e Çerçizit”, aty ku si me thikë ndahet e shkuara me të tashmen, udhëtimi drejt pasurive të paeksploruara të Gjirokastrës fillon nga rruga më e bukur e qytetit, aty ku motivet e qilimta të kalldrëmit nuk mund t’i shpëtojnë syrit të turistëve dhe përjetëzimit në aparatet fotografikë.

Kalaja e Gjirokastrës ofron për vizitorët e saj një ndërthurje epokash, historish e ngjarjesh. Dhe udhëtimi i turistëve në Gjirokastër nis pikërisht prej këtu.

Kalaja e Argjiros, objekti i parë i vizituar nga turistët dhe jo vetëm. Vendi kryesor i fotove dhe videove të ditës më të bukur të jetës së një çifti të ri.

Kalaja, përmendet për herë të parë si qytet dhe kështjellë në vitin 1336. Historianë të ndryshëm mendojnë se ekzistenca e saj është më e hershme. Kulmin e historisë së vet, kjo kështjellë do ta kishte në periudhën e pashallëkut të Janinës kur Ali Pashë Tepelena do të realizonte një sërë ndërtimesh e ndërhyrjesh që i dhanë Kalasë së Gjirokastrës fizionominë arkitektonike e ndërtimore që ka sot. Një ndër to është edhe Kulla e Sahatit në anën lindore dhe ndërtim I ujësjellësit që sillte ujë në kala nga afro 12 km largësi.

Në hyrje të saj janë topat e luftës së dytë botërore. Këto janë armatime të braktisura apo të kapura forcave pushtuese gjatë Luftës II Botërore, mes të cilëve edhe një tank Italian prodhuar nga FIAT. Avioni amerikan, e vetmja relike e luftës së ftohtë është një tjetër objekt që tërheq vëmendjen e vizitorëve. Kulla e sahatit, objektet e kultit, kullat e princeshës, burgu i 7 penxhereve apo muzeu kombëtar i armëve janë disa prej objekteve të cilat mund t’i vizitoni në kalanë e Argjiros.

I hapur në 1971 Muzeu Kombëtar i Armëve është i vendosur aty ku më parë ndodhej një pjesë e burgut. Në këtë muze ekspozohen armët trofe që prej vitit 1912 deri në fund të Luftës II Botërore.

Por sigurisht që një vizitë në këtë muze nuk mund të anashkalojë edhe vizitën në burgun e njohur si “burgu i 7 penxhereve”. I hapur më 1932, ky burg u përdor fillimisht nga mbreti Zog e më pas nga pushtuesit fashistë e nazistë dhe së fundi nga regjimi komunist deri më 1968. E vizitueshme është vetëm, pjesa që u kthye muze nga regjimi komunist në vitet ’70.

Skena e festivaleve është ndër të parat detaje që të bie në sy në brendësi të kalasë. Rreth 2 muaj më parë mbi 1200 artistë popullorë nga mbarë trevat shqipfolëse janë ngjitur në këtë skenë, në edicionin e X të festivalit folklorik kombëtar Argjiro FestOn.

Një tur turistik në Gjirokastër do të duhej me patjetër të përfshinte edhe vizitat në shkollën e parë shqipe të qytetit, tunelin e luftës së ftohtë dhe shtëpitë karakteristike.

“Quhem Maria dhe vij nga Franca. Jam këtu për te bere një tur turistik ne Gjirokastër. Mblidhemi këtu së bashku, për të mësuar historinë, për te pare shtëpi karakteristike, për te shijuar ushqimet e për te mësuar pak mbi traditën e zonës. Marrim pjesë edhe në Work shop-e, ku ekspozohen punime artizanale, ushqime apo gjera të tjera shume interesante. Po ashtu vizitojmë edhe vendet historike që ka Gjirokastra.
Gjirokastra është qyteti i ndërtuar nga të kamurit që e kanë zgjedhur këtë faqe mali pikërisht për pamjen madhështore që të ofron dhe është kjo arsyeja pse shtëpitë e vjetra karakteristike gjirokastrite është kaq e vështirë për t’i ruajtur në gjendjen e tyre fillestare.

Por Gjirokastra është edhe qyteti i emrave të mëdhenj të së kaluarës e të së tashmes, që nga diktatori Hoxha, Eqrem Çabej, Musine Kokalari apo Ismail Kadare. E kthyer në muze etnografik, shtëpia e diktatorit Hoxha është ndër objektet e para të guidave turistike duke u vizituar nga pothuajse çdo turist që vjen në Gjirokastër.

Po kaq interes ngjall edhe shtëpia e Kadaresë, e rikonstruktuar së fundmi, ajo e Ficove, e rrallë përsa i përket arkitekturës, apo banesa e Angonatëve, e cilësuar si ikona e arkitekturës gjirokastrite.
Banesat karakteristike të kthyera në bujtina tërheqin gjithnjë e më shumë vëmendjen e vizitorëve që vendosin të kalojnë më shumë se një ditë në qytetin e gurtë. Sipas pronares së të parës bujtinë në Gjirokastër e vendosur në një nga ndërtesat më të bukura 230 vjeçare të Kompleksit madhështor të Angonatëve, është pikërisht tradita dhe origjinaliteti ajo që tërheq turistët drejt këtyre vendqëndrimeve.

Gatimet tradicionale gjirokastrite janë shumë të pëlqyera nga turistët, prandaj edhe në Gjirokastër janë jo të pakta restorantet që ofrojnë gatime tradicionale të cilat në fakt i gjen edhe në restorantet luksoze të gërshetuara nga menutë me receta kryesisht italiane. Qifqitë, sarmatë, lakrori janë disa prej recetave më karakteristike gjirokastrite.

Por të vizitosh Gjirokastrën nuk do të duhej të mjaftoheshe vetëm me ato që qyteti të ofron, pasi zona e Gjirokastrës është e pasur me monumente të shumta historike dhe pika arkeologjike. Qyteti antik i Antigonesë, i cili prej vitesh mban statusin e Parkut Kombëtar Arkeologjik, ndodhet 16 km larg qytetit të Gjirokastrës dhe vijon te mbetet një nga resuret më të njohura e të preferuara në jug të vendit.
Historianët thonë se ky qytet u ndërtua rreth viteve 297 – 296 para Krishtit duke zbatuar skemën e një arkitekti të famshëm që i jep qytetit pamjen e një fushe shahu. Qyteti u dogj 150 vjet më vonë nga konsulli romak Emil Pauli së bashku me 168 qytete që në luftërat iliro – romake ishin rreshtuar kundër Romës. Qyteti i dytë më i madh i Epirit më një sipërfaqe 47 ha dhe mur rrethues 4 mijë metra u rizbulua pas dhjetëra shekujsh harrese nga Dhimosten Budina, në ekspeditën e nisur në vitet ’70 në kodrën e Jermës pranë fshatit Saraqinishtë, që në greqisht do të thotë “vend i djegur”.

14 km larg qytetit të Gjirokastrës, shumë pranë rrugës nacionale Gjirokastër – Kakavije, pranë fshatit Sofratikë, ndodhet teatri antik i Adrianopolit, me një pozicion mjaft të favorshëm për zhvillimin e turizmit të zonës. Gërmimet e para në këtë teatër janë bërë gati 25 vjet më parë nga Instituti i Arkeologjisë. Deri pak vite më parë madhështia e këtij qyteti shfaqej vetëm në dy objekte, teatri dhe nekropoli. 10 ekspeditat italo- shqiptare kanë nxjerrë në dritë një pjesë tjetër të qytetit, që prej më shumë se 20 shekuj ishte i mbuluar nga aluvionet e lumit Drino.

Parku i Viroit është një tjetër pikë që nuk mund të mbetet pa vizituar nëse vjen në Gjirokastër. Edhe pse projekti i rindërtimit të këtij parku është ende në zbatim, ai është kthyer në një pikë atraksioni jo vetëm për vendasit, por edhe të huajt. Zhytës nga vende të ndryshme të Evropës kanë depërtuar në thellësitë e mistershme të burimit të Mëmës, aty ku vendasit hedhin monedha në ujin e thellë për të realizuar dëshirat e tyre.

Legjenda e parkut te viroit
Me një thellësi prej 60 m, Burimi i Mëmës në pikën turistike të Viroit është pjesë e legjendave që fillojnë me shpellën e Skotinisë, burimi i së cilës është i vetmi me ujë të pijshëm për fshatrat e Dropullit.

Shumë gra e vajza dropullite të detyruara të mbushnin ujë me bucela në këtë burim, kanë humbur në errësirën e plotë të shpellës. Rrymat e ajrit brenda shpellës e lagështia nuk u lejonin të mbanin qirinj apo fenerë. E vetmja rrugë për të mbushur ujë në burim ishte të numëronin 90 shkallët që të çonin në fundin e shpellës ku ndodhej edhe lumi i nëndheshëm. Pikërisht këtu fillon edhe historia që lidh shpellën e Skotinisë me Burimin e Mëmës. Një prej nuseve të reja të fshatit ngatërroi numërimin dhe ra në ujërat e ftohta të Skotinisë, ndërsa trupi i saj doli ditë më vonë në Burimin e Mëmës së Viroit.

(b.e/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb