TIRANE– Shërbimi i Urgjencës në Pediatrinë e QSUT po përballet me një fluks tepër të lartë urgjencash, pasi për shkak të gripi sezonal numri i fëmijëve të prekur ka qenë i madh. Megjithatë, specialistja e ISHP, Sivla Bino thotë se situata gripale në vend paraqitet më e butë se një vit më parë, kur sipas saj pati një fluks më të madh.

Në rubrikën “Opinion” në “News24”, Bino thotë se: “Për këtë vit kemi një intensitet të ulët gripi deri tani. Shifrat janë në rritje, por krahasim me një vit më parë që kishim një peshë të rëndë, themi se ky sezon i gripit është më i butë krahasuar me vitin e kaluar”.

Duke përmendur dy viruset që qarkullojnë aktualisht në vendin tonë, Bino tha se deri më tani është raportuar vetëm një rast vdekje nga gripi.

Sakaq, ajo është ndalur edhe tek rasti i 7-vjeçares në Durrës, e cila ndërroi jetë në spital. Bino thotë se shenjat klinike që paraqiste vogëlushja nuk të çojnë tek gripi, por tek një infeksion i rëndë, shkruan “BalkanWeb”.

“Aktualisht kemi qarkullim intensiv të virusit të gripit, krahasuar me dy-tre javë më parë. Aktualisht qarkullojnë viruset B dhe AH1N1. Janë shënuar edhe raste të rënda. Rast vdekje ka patur vetëm një, i cili tashmë është raportuar. Pacienti ka patur probleme të tjera shëndetësore. Ndërsa rasti i vajzës 7-vjeçare është një rast fatkeq, që nuk mund të konstatohet ende nëse është grip apo ndonjë infeksion tjetër. Por shenjat klinike të vajzës nuk të çojnë tek gripi, por duket më shumë si një infeksion i rëndë”, u shpreh Bino.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: