MM: Grup pune në dispozicion të Prokurorisë për hetimin e aksidentit*
TIRANE-
Tre ditë pas aksidentit tragjik, ku humbën jetën dy pilotë, ndërsa një i tretë u dëmtua, prokuroria e Shkodrës regjistron procedimin penal për dyshimet se janë shkelur rregullat e fluturimit ajror dhe për lëvizje të trupave ushtarake pa të drejtë apo pa një shkak të ligjshëm.

Ndërkohë një grup pune nga Ministria e Mbrojtjes dhe Shtabi i Përgjithshëm është ngritur për t’u vënë në dispozicion të Prokurorisë për hetimin e aksidentit me helikopterin e ushtrisë. Grupi i punës do të ndihmojë në hetim prokurorinë me të gjitha provat materiale.

Ekspertët amerikanë dhe shqiptarë kanë arritur të nxjerrin nga liqeni kutinë e zezë të helikopterit EC145, e cila do të dërgohet në Prokurorinë e Shkodrës.

Menjëherë pas aksidentit ministrja Kodheli urdhëroi hetim administrativ të ngjarjes.

NJOFTIMI I MINISTRISE SE MBROJTJES
Ministria e Mbrojtjes dhe Shtabi i Përgjithshëm kanë marrë masa e mëposhme lidhur me ngjarjen tragjike të rrëzimit të helikopterit EC 145 me pasojë humbjen e jetës së dy pilotëve të Forcave Ajrore.

Menjëherë sapo ka ndodhur ngjarja, me urdhër të Shefit të Shtabit gjeneralmajor Jeronim Bazo është ngritur një grup pune, i cili është vënë në dispozicion të prokurorisë me qëllim kordinimin e të gjithë veprimeve në zonën e ngjarjes, si dhe vënien në dispozicion të të gjithë dokumentacionit dhe provave materiale që do ndihmojnë në hetimin penal. Nga ana e vet Ministri i Mbrojtjes, konform legjislacionit në fuqi, ka urdhëruar hetim administrativ të ngjarjes menjëherë pas saj. Të gjitha informacionet që do të dalin nga ky hetim administrativ do t’i vihen hap pas hapi në dispozicion prokurorisë.

Për të ndihmuar procesin e investigimit, Ministria e Mbrojtjes ka thirrur ekspertë të kompanisë prodhuese të helikopterit EC 145, të cilët kanë mbërritur dje në Shqipëri.

Po dje, pranë Ministrisë së Mbrojtjes dhe FA-ve kanë mbërritur edhe ekspertë ushtarakë amerikanë me ekspertizë të specializuar të këtij lloj helikopteri.

Policia e Shtetit në bashkëpunim me Policinë Ushtarake ka marrë në ruajtje vendngjarjen me qëllim mos dëmtimin e provave.

Që në momentin e regjistrimit të procedimit penal ka pasur bashkëpunim të plotë me prokurorinë të cilës ndërkaq i janë vënë ne dispozicion dokumentacioni i kërkuar.

Ministria e Mbrojtjes falenderon prokurorinë lidhur me punën që po bën, që në momentin e parë, në hetimin e kësaj ngjarje dhe i mbetet kësaj fryme bashkepunimi.

PROKURORIA: DYSHOHET SE JANE SHKELUR RREGULLAT E FLUTURIMIT

Tre ditë pas aksidentit tragjik, gjatë të cilit humbën jetën dy pilotë, ndërsa një i tretë u dëmtua, prokuroria e Shkodrës regjistron procedimin penal për dyshimet se janë shkelur rregullat e fluturimit ajror dhe për lëvizje të trupave ushtarake pa të drejtë apo pa një shkak të ligjshëm.

Një burim zyrtar i tha “Top Channel” se këto vepra parashikohen në kodin ushtarak përkatësisht sipas neneve 83 dhe 48 te kodit ushtarak. Burimet shtuan se përsa kohë nuk dihet ende se përse helikopteri EC145 me ekuipazh dy dëshmorët Florian Deliaj dhe Donald Hoxha dhe të mbijetuarin Gerald Baramuça është ngritur nga baza e Farkës, dyshimet e prokurorisë fokusohen tek këto dy vepra penale.

Gjithashtu, nuk dihet ende itenerari i saktë i helikopterit, megjithëse shefi i Shtabit të Përgjithshëm menjëherë pas rrëzimit të helikopterit deklaroi se itenerari i helikopterit ka regjistruar si shkëputje nga baza në Farkë orën 12.10, ndërkohë që kontakti i fundit në fluturim ishte në orën 13.45 minuta të datës 6 prill.

Burimet shtuan se Prokuroia e Shkodrës ka përfshirë në hetime edhe prokurorine e kryeqytetit, të cilës i kërkohet të kryejë disa veprime hetimore, siç janë marrja e dokumentacionit në bazën ajrore të Farkës si edhe në qendrën e kontrollit të raportimit në Rinas.

Ndërkohë ende nuk është marrë në pyetje i mbijetuari Baramuça për shkak të gjendjes së tij shëndetësore.

Megjithatë ushtria raporton se helikopteri u nis sipas një programi të planifikuar dhe të miratuar më parë për një fluturim stërvitor, por ende mbetet e paqartë dinamika se kush ishte piloti kryesor, përgjatë cilit korridor ajror fluturonte eurokopteri dhe cilat janë shkaqet e rrëzimit të tij. Prokuroria thotë nga ana e saj se për zbardhjen e dinamikës do të ndihmojë edhe kutia e zezë që pritet të merret nga ekspertët e kompanisë Eurocopter që i janë bashkuar kërkimeve për nxjerrjen e mbetjeve të helikopterit të rrëzuar në Liqenin e Shkodrës.
(el.sp/er.nu/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: