TIRANE– Autoriteti i Konkurrencës pas njohjes me shqetësimet në lidhje me rritjen e çmimit të gazit të lëngshëm në treg, i cili në ndryshimet e fundit ligjore për paketën fiskale ka prekur vetëm përdorimin e gazit të lëngshëm për automjetet dhe jo përdorimin e tij për nevoja të konsumatorit (rritja e akcizës për këtë kategori është 0 lekë), ka nxjerrë në terren me urgjencë specialistët për monitorimin e tregut sipas nenit 28 të Ligjit 9121 datë 28.07.2003 “Për mbrojtjen e Konkurrencës”, i ndryshuar.

Autoriteti i Konkurrencës do të vlerësojë kushtet e tregut për të parë nëse ka shenja të ndonjë marrëveshjeje të ndaluar (kartel) apo abuzim me pozitën dominuese, e cila mund të sjellë pengimin, kufizimin apo shtrembërimin e konkurrencës nëpërmjet vendosjes në mënyrë të drejtpërdrejtë apo të tërthortë të çmimit të blerjes apo të shitjes, ose të ndonjë kushti tjetër tregtimi, i cili ndikon në mënyrë të drejtpërdrejte tek konsumatori.

Tregu përkatës nën monitorim do të jetë tregu i importit dhe tregtimit me shumicë dhe pakicë të gazit të lëngshëm për konsum familjar dhe për bizneset, të cilat e përdorin si lëndë djegëse në ofrimin e prodhimit dhe shërbimeve të tyre kundrejt konsumatorit.

Pas monitorimit dhe vlerësimit të situatës, nëse ka shenja të kufizimit të konkurrencës, Autoriteti do të procedojë menjëherë me marrjen e masave konkrete ndaj subjekteve të tregtimit me shumicë ose pakicë për kthimin e tregut në kushtet e konkurrencës.

(Gazeta Shqiptare)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: