BULQIZE– Një ngjarje e rëndë ka ndodhur paraditen e sotme në shkollën e Shupenzës në Bulqizë. Testimi i sistemit të ngrohjes me pelet, për pak sa nuk ka shkaktuar tragjedi në shkollën 9-vjeçare. Gjatë provës, ka patur rrjedhje gazi nga kaldaja e godinës, duke shkaktuar asfiksi te nxënësit e 9-vjeçares.

Mësohet se 60 nxënës janë dërguar me urgjencë në spitalin e Bulqizës, për të marrë ndihmën mjekësore.

Gazetari Enver Doçi raporton për “BalkanWeb” se në shkollë ka rreth 120 nxënës, ndërsa ambulancat kanë transportuar edhe të tjerë nxënës me probleme, si dhimbje koke dhe të vjella.

NJOFTIMI I POLICISE
Rreth orës 10.40, specialistët e postës së policisë Shupenzë, kanë marrë informacion se disa nxënës shkolle kanë shkuar për të marrë ndihmë mjekësore në qendrën spitalore në Shupenzë.

Menjëherë kanë shkuar në ambientet e qendrës spitalore ku nga veprimet paraprake të kryera ka rezultuar se: Në një shkollë të mesme në qendër Shupenzë, janë ndezuar kaldajat me lëndë drusore për ngrohjen e ambientit, dhe në momentin e ndezjes oxhaku i shkollës ka qenë i bllokuar dhe për pasojë tymi është shpërndarë në ambientet e brendshme të shkollës duke shkaktuar ndotje të ambientit.

Për pasojë janë asfiksuar dhe ndjerë keq nga ana shëndetësore disa nga nxënësit e kësaj shkolle, ku 16 prej tyre të moshave 16-18 vjeç, po transportohen për ndihmë më të specializuar drejt spitalit të Bulqizës, jashtë rrezikut për jetën.

Grupi hetimor vijon hetimet për zbardhjen e kësaj ngjarje.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: