Nga: ILIR KALEMAJ
Një studim i janarit 2017 i dy profesorëve amerikanë, Hunt Allcot i Universitetit të New Yorkut dhe Mathew Gentzkow të Stanfordit mbi përdorimin e rrjeteve sociale dhe efektet e shtrirjes së lajmeve të rreme (fake news) në ndikimin që patën në zgjedhjet presidenciale të nëntorit në SHBA kishte disa gjetje interesante në lidhje me trendin, por edhe efektin e tyre të vërtetë dhe të ndjerë në shoqëri. Disa nga gjetjet ishin që rrjetet sociale ishin të rëndësishme, por jo jetike për të marrë informacion rreth fushatës. Vetëm 14 për qind e amerikanëve e morën informacionin kryesisht përmes tyre, ndërsa pjesa tjetër është ende nën efektin e rrjeteve televizivë, kabllorë etj. Nga lajmet e rreme “fake news”, ato që favorizonin presidentin e zgjedhur Trump ishin rreth 30 milionë në “Facebook”, ndërsa znj. Klinton 8 milionë. Duhet thënë që një pjesë e mirë e tyre e kishin burimin jashtë Amerikës në fakt, ku vlen të përmendet rasti i adoleshentëve maqedonas, që krijuan dhe shitën dhjetëra faqe të tilla etj. Por, nga ana tjetër këto lajme të rreme luajtën një efekt krejt marxhinal në rezultatin final, sepse siç shprehen me të drejtë autorët, që të luanin një rol të rëndësishëm duhej që secili prej këtyre lajmeve të kishte aftësinë e 36 reklamave promocionale politike në televizione kombëtare dhe lokale.

Në vende të tjera europiane, efektet e lajmeve të rreme mund të kenë një efekt më të fortë dhe të ndryshojnë ndoshta edhe trajektoren e zgjedhjeve të ardhshme parlamentare, siç është raportuar dhe spekuluar për rastet e Gjermanisë dhe Francës. Në Gjermani për shembull, në fund të vitit të kaluar, një vajzë 13- vjeçare me origjinë ruse, Lisa F., u raportua sikur ishte grabitur dhe përdhunuar në grup nga një grup refugjatësh nga Lindja e Mesme, duke dëmtuar mjaft politikisht Kancelaren Merkel dhe partinë më të madhe në vend, CDU-në për shkak të politikave të hapjes dhe mikpritjes së refugjatëve të luftës dhe dhënies së azilit politik, që kishin reklamuar dhe mbrojtur me forcë. Pra, një politikë principale që kishte filluar t’i jepte anti-frytet e saj duke penalizuar mesazh-mbajtësin. Siç u dëshmua më vonë pas një hetimi nga zyra e prokurorisë së Berlinit, vajza kishte shpenzuar rreth 30 orë me disa miq të saj dhe nuk kishte shenja përdhunimi. Por ndërkohë në Rusi propaganda në lidhje me rastin kishte marrë dhenë dhe madje edhe ministri i Jashtëm, Lavrov kishte akuzuar Merkelin dhe qeverinë e saj se kishin “fshehur rastin poshtë qilimit” për efekte të politikës së ditës.
Edhe në Francë përgjatë dekadës së fundit është rritur në mënyrë eksponenciale leximi i rrjeteve sociale dhe blogjeve të së djathtës alternative, siç vetëquhen avokatët e ultra-nacionalizmit, ksenofobizmit dhe që bashkon grupet e ndryshme anti-emigratore, anti-myslimane, lëvizjet identitare etj. Disa i referohen këtij grupimi miks si fachospehere (fascho për fashist). Për shembull, një lajm që qarkulloi rëndom në prag të primareve të Partisë Republikane të qendrës së djathtë në Francë të para pak muajve ishte që Alain Juppe, ish-kryeministri i Francës ishte i lidhur me Vëllezërit Myslimanë, një lëvizje kjo radikale me origjinë Egjiptin, por e përhapur në shumicën e vendeve të Lindjes së Mesme. Është vështirë të përllogaritësh dëmin që i solli kjo kandidatit në fjalë, që ndonëse ishte në krye të sondazheve me diferencë, humbi përballë Francois Fillon, që përgjithësisht cilësohej si “underdog”.
Nga ana tjetër, po aq e rrezikshme është propaganda qeveritare, e cila kombinon efektshëm karrotën e reklamës shtetërore (apo si në rastin e Francës, një lloj monopoli të fondeve shtetërore për të mbështetur mediat që është kundërshtuar ashpër nga segmente të shtypit) me llojet e ndryshme të propagandës: që nga propaganda e zezë që falsifikon të vërtetat dhe shet “sapunin për djathë”, te propaganda “gri” që shtrembëron faktet apo tek ajo e “bardhë”, që bën marrëdhëniet me publikun të qeverive përkatëse në raport me elektoratin. Duke marrë parasysh peshën dhe mundësinë që ka qeveria për ta bërë një gjë të tillë, merret lehtë parasysh efekti elektoral, që përmes “kërbaçit” dhe “karrotës” mediatike të përcjellë PR-in e saj bashkë me lajme të fabrikuara për të maksimizuar shanset për fitoren elektorale të radhës. Në kushtet e Shqipërisë, pavarësisht mbylljes formale të ‘transparenca. al’, ky rrezik është akoma më akut dhe vetëm ndërgjegjja qytetare në aleancë me median e besueshme dhe rrjetet sociale mund t’i bëjnë digë minimit të demokracisë në vend.

(GSH/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: