Nga: ILIR ÇUMANI
Kush dëshiron anëtarësimin në një parti politike në Shqipëri, është fare e thjeshtë. Po, po! Është shumë e thjeshtë. Kemi plot, plot… Mbi 140 parti e partiçka të vockla. Por, me një kusht: Së pari, duhet të njiheni me “manifestin” e tyre. Të mësoni 10 cilësitë e çmuara të “idealit” që ato kanë…!
1 – Nëse dëshiron të njohësh një popull të nënshtruar dhe një komb që hera-herës “noton” i përhumbur në ndërgjegje dhe vetëdije kombëtare, merrni leksione dhe lexoni “manifestin” e partive tona. Ato janë të njëjta dhe nuk ndryshojnë nga njëra-tjetra.
2 – Në Shqipëri, partitë politike janë “anestezia” që në mënyrë konstante mbajnë në gjumë letargjik popullin e vet.
3 – Pas 27 vitesh pluralizëm politik, partitë mbeten pjesë e gjenezës së tyre; copëza mbetjesh të mitrës së përgjakur të nënës që i lindi dhe i rriti: Partia e Punës.
4 – Në Shqipëri, partitë janë si bisha të uritura, partiçkat, krijesa po aq të lebetitura e të llahtarisura. Në çdo çast, ato janë të gatshme të hanë edhe krijesën e vet…!
5 – Partitë janë si “fallxhorët” që shkëlqejnë me gurë diamantesh. Ushqimi i përditshëm i tyre janë njerëzit e varfër, turmat lumpiane dhe të dëshpëruara – viktimat e tyre.
6 – Partitë janë lojtare të shkëlqyera të bixhozit. Letrat dhe gurët e tavllës që ato i luajnë mrekullisht, është populli, i cili historikisht është udhëhequr dhe drejtohet nga turmat e verbra.
7 – Partitë janë si “prostitutat e bukura vip”. Gjithmonë shëmbëllejnë me ndriçime llambash e neonesh shumëngjyrëshe. Gjatë sundimit, ato miklohen por, edhe egërsohen, hyjnë në garë me njëra-tjetrën kush të kafshojë më shumë pjesë nga Atdheu i përbashkët. Pas zgjedhjeve, ato shkëputen nga turmat dhe jetojnë në pallate luksoze, shtrojnë tryeza, dreka dhe darka qeveritare nëpër salla mondane, bëjnë diplomaci e pazare të ndyra nëpër resorte e avionë çarter… Kur trokasin zgjedhjet e radhës, sërish “prostitutat vip” zbresin poshtë nëpër turma. Dalin në semafor dhe fshehtas ia shkelin syrin njëra-tjetrës për të kapur gjahun e radhës.
8 – Partitë janë “baktere” të këqija. Ato gjallojnë vrullshëm në trupin e një populli të tërë që dergjet në shtratin e të sëmurit kronik në dispanserinë-Atdhe.
9 – Mileti – elektorati, tradicionalisht është i ndarë në parcela mes partive. Mirëpo, gjithmonë të fituara kanë dalë dhe dalin këto të fundit, duke e lënë popullin me gisht në gojë. Deri kur…?!
10 – Për sa kohë do të vazhdohet të tubohet në sheshe e zgëqe të fëlliqura mes moçaleve për partitë dhe partiçkat tona të “ëmbla” dhe të “dashura”, për aq kohë ato nuk do të kursehen t’ua bëjnë në kokë të gjithë shqiptarëve…!
Nëse ende nuk ke asnjë kundërshti, i dashur populli im, shko dhe anëtarësohu… Rrofshin e qofshin, partitë mbi të gjitha!

(GSH/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: