Nga: Edmond TUPJA

Para nja dy javësh kisha vënë re se në tregun e vogël fshatar, diku gati buzë rrugës “Mine Peza”, krejt të rinovuar nga Bashkia e kryeqytetit tonë të shtrenjtë eurodashës (komplimentet e përgëzimet e mia asaj), ishin vendosur dy kabina tualeti ose më shqip, nevojtoresh, si dy minikulla binjake fringo të reja, aq sa të hipte dëshira e papërmbajtshme për të zbrazur në to fshikëzën e urinës ose zorrën e trashë pa humbur asnjë sekondë; këtë ma konfirmuan sinqerisht edhe disa miq të mi që pazaret vijnë e i bëjnë po atje, madje edhe disa fshatarë te të cilët blej rregullisht zarzavate e fruta.

Mirëpo, ditët kaluan siç kalojnë zakonisht, me shi e pa shi, me diell e pa diell, me halle e pa halle, por ende dje dy kabinat nuk ishin funksionale, pra, nuk u ofronin asnjë mundësi praktike fshatarëve që shisnin dhe blerësve të tyre të kryenin nevojat personale në rast kushtrimi fiziologjik. Gjithsesi, një enigmë vazhdon të qëndrojë pezull mbi dy kabinat tona që mezi presin përurimin e tyre në mënyrën më konkrete e më njerëzore: thjesht duke i mirëpritur derëhapur nevojtarët e duke u shërbyer atyre më së miri e, me siguri, më së liri, sepse qarkullojnë zëra se ato do të jenë me pagesë, zëra që ende nuk janë përgënjeshtruar nga Bashkia.

Në u bëftë siç thonë këta zëra, diçka më pëshpërit në vesh se këtë ide do ta ketë hedhur personalisht kryebashkiaku ynë i nderuar Erion Veliaj, i cili, me siguri matematike, e njeh në majë të gishtërinjve historinë e Romës antike dhe, rrjedhimisht e di shumë mirë se si reagoi dy mijë vjet më parë i biri i perandorit Vespasian kur mësoi se ky do të taksonte gjithë ata zanaçinj që merreshin me ngjyrosje dhe që, për nevojat e punës së tyre, i lusnin kalimtarët të urinonin falas në qypat e mëdhenj që kishin vendosur në hyrje të punishteve.

“Baba, i tha ai i skandalizuar, por paratë që do të mbledhësh në këtë mënyrë qelben erë!” Mirëpo, Vespaziani i dha të birit këtë përgjigje: “Paraja, biri im, nuk ka erë!”, pra, siç do të thoshim ne shqiptarët, “paraja nuk është më e qelbur”, sidomos pasi është pastruar mirë e bukur, e gatshme edhe për t’u lëpirë se, ku i dihet, mund të vijë erë parfum marijuane, do të shtoja unë për ta aktualizuar dukurinë në fjalë. Sidoqoftë, le të kthehemi te dy nevojtoret tona si dy minikulla binjake ende të virgjëra në anë të tregut fshatar, pranë banesës sime.

Që të dyja u vendosën atje andej nga mesi i muaji nëntor që sapo kaloi. Çuditërisht, por ndoshta jo rastësisht, ky eveniment apo event, pra, më shqip, kjo ngjarje e shënuar, ndodhi pikërisht një ditë a dy ditë përpara apo një ditë a dy ditë pas datës 19 nëntor, që është prej vitesh, as më shumë e as më pak, Dita Botërore e Nevojtoreve. Po, po, nuk po bëj aspak shaka. Të shkretat nevojtore në shkallë botërore! Njerëzit i përdorin, por i lënë edhe pas dore!

(Them kështu, sepse, sipas statistikave që lexuesit e mi seriozë ose shpotitës mund t’i gjejnë në internet, 4,5 miliardë njerëz sot ose përdorin nevojtore në gjendje tejet mjerane, ose lehtësohen duke jashtëqitur në natyrë).

Dikur, kur ishte gjallë, diktatori ynë i dalldisur shpesh, sidomos nëpër kongreset e Partisë së Punës së Shqipërisë dhe të levave apo rripave të saj të transmisionit, përdorte shprehjen “nga fitorja në fitore”; sot, nën shembullin e tij, Bashkia e Tiranës, madje, pse jo, edhe Partia Socialiste në pushtet, si avatar i Partisë së Punës, pikërisht me rastin e Ditës Botërore të Nevojtoreve, mund dhe duhej të kishin hedhur parullën “Nga nevojtorja në nevojtore!” dhe, me siguri astronomike, populli ynë i urtë, i urtë sa s’bëhet më, dele e shkuar deles, do të ishte përgjigjur në kor: “Rrofshin sa malet nevojtoret tona!”/Opinion.al

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb